Kriza/ Pse nuk ndërhyn zyrtarisht Uashingtoni dhe Brukseli mes PD dhe PS?
Në fillim bojkoti i PD-së dhe qëndrimi i PS-së për të hyrë e vetme në zgjedhje shiheshin si manovra politike dhe elektorale para zgjedhjeve. Pas 47 ditësh protestë të PD-së nuk ka asnjë njeri që nuk e pranon se vendi ndodhet para një prej krizave më të rënda politike të viteve të fundit. Afrimi i datës së zgjedhjeve në Kavajë dhe dita e zgjedhjeve parlamentare, nuk shihen më si procese normale, por si afrim i datës së përplasjes mes palëve. Sepse nëse nuk ka marrëveshje dhe PS-ja shkon pa PD-në në zgjedhje, e sigurt është që në vend të votimeve do këtë kacafytje, përleshje masive të opozitës me policinë.
Por kriza politike nuk është vetëm ajo që shohim çdo ditë në fjalimet e Lulzim Bashës dhe reagimet e Edi Ramës. Më shumë se kaq, kriza po jep efekte në gjithë zhvillimet e vendit. Një ditë më parë Banka Botërore njoftoi se pasojat e zhvillimeve politike në vend do të japin efekte direkt në ekonomi. Biznesi është trembur. Investimet e kompanive të huaja po e heqin nga lista Shqipërinë. Edhe ato që kanë planifikuar projekte në vendin tonë, tashmë po mendohen dy herë para se të fillojnë zbatimin. Për disa javë pritet çelja e sezonit turistik. Por me këtë situatë në prag shpërthimi asnjë turist i huaj nuk do rrezikonte të vinte në një vend që edhe mediat ndërkombëtare e raportojnë në krizë të thellë politike.
Konflikti dy mujor mazhorancë-opozitë, pavarësisht se cila nga palët ka të drejtë, është përshkallëzuar këto ditë duke shkuar në ekstrem. Retorika politike, prapaskenat, arroganca e palëve e kanë karikuar dhe shoqërinë drejt konfliktualitetit. Vetëm një gjest apo lëvizje e pa menduar e palëve kryesore mund të sjellë konfliktin masiv.
Kriza ka arritur në pikën kur nëse nuk jepet zgjidhje urgjente, pasojat do të jenë fatale për zhvillimin e vendit. Kriza lindi në Tiranë, por PD dhe PS që e ndezën deri në këtë pikë situatën, nuk mund të jenë brenda ditës edhe zjarrëvënës dhe zjarrëfikës. Secili mbron me kokëfortësi qëndrimet, sipas tyre të drejta. Basha nuk tërhiqet sepse thotë se mbron një kauzë të drejtë. Rama gjithashtu, mbrohet me të drejtë pas Kushtetutës dhe mandatit që i ka dhënë vota e vitit 2013.
Në këtë panoramë ata që mungojnë janë ndërkombëtarët. Në 47 ditë kemi parë vetëm qëndrime standarde nga ambasadorët, ndonjë deklaratë nga gjysmë zyrtarë nga Brukseli dhe më pas heshtje. Ndërkohë që situata tensionohet dita-ditës, si rrallë herë në krizat e tjera në vend, zyrtarisht nuk ka asnjë nismë nga selitë kryesore diplomatike për të negociuar. Janë dy partnerë strategjikë që mund ta zgjidhnin krizën që në nisje të saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Përvoja e krizave shqiptare ka treguar se nëse palët nuk i ulin ndërkombëtarët që në fillim në bisedime, me kalimin e kohës dialogu bëhet më i vështirë. Do ishte ideale për vendin nëse kriza zgjidhej me marrëveshje pa ndihmën e të huajve, por zakonisht marrëveshje të tilla kanë sjellë pazare si ai i vitit 2008 dhe jo pakte politike afatgjata. Sot palët janë aq mosbesuese ndaj njëra-tjetrës, sa produkti i çdo tryeze bisedimesh do paragjykohej me humbës dhe fitues duke mos ndryshuar asgjë në krizën politike.
PS dhe PD kanë treguar se janë të pa afta të negociojnë dhe dialogojnë normalisht, ajo që nuk kuptohet është përse faktorë që mund ta zgjidhin ngërçin, SHBA dhe BE nuk ndërhyjnë. Janë të vetmet palë që mund të vendosin normalitetin në vend dhe të ulin dy kampet ekstreme politike në bisedime pa kushte.
Pse heshtin ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE Vlahutin që nuk negociojnë mes palëve që të gjëjnë zgjidhjen, por shkojnë herë takojnë Ramën e Metën, e herë Bashën, por veçmas dhe asgjë nuk arrijnë?
Kur do ti marrin përdore, pozitën dhe opozitën, dhe ti ulin që të gjejnë zgjidhje për zgjedhjet?