Kryemadhi: Dekada e shpresës dhe ndryshimit, shqiptarët të marrin në dorë fatin e tyre

Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur sot Konventën e partisë për Tiranën. Takimi i parë i LSI për 2020-ën është jo vetëm ndezja e motorëve për një vit që pritet i ngjeshur me ngjarje politike, por edhe prezantimi i strategjisë së kësaj partie për dekadën që sapo ka nisur.

Në fjalën e mbajtur në Konventë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se kjo do të jetë dekada e shpresës dhe ndryshimit. Duke u uruar shqiptarët për vitin e ri, Kryemadhi u shpreh se është koha që shqiptarët të rifitojnë të drejtat që u janë grabitur. “Ju uroj një vit të ri të mbarë, të paqtë, të gëzuar dhe të begatë për ju dhe gjithë shqiptarët. Ju uroj këtë vit, i cili hap dekadën e shpresës, dekadën e fitores mbi të keqen, dekadën kundër varfërisë, dekadën e rifitimit dhe konsolidimit të lirive, dekadën e një Shqipërie pjesë të Europës së Bashkuar, dekadë që e bën Shqipërinë edhe njëherë vend të dashur të shqiptarëve nga e cila ata nuk do donin të iknin kurrë, në dekadën që do ta kthejë Shqipërinë realisht në shtëpinë e të gjithë shqiptarëve. Startimi në këtë dekadë të re është një mision i madh dhe i pakthyeshëm. Është një mision që nuk e ndal dot asnjë, autokrat, burokrat i korruptuar, oligark, kriminel, trafikant a kushdo qoftë, pasi përballë nuk ka as një, as dy, as pesë e as dhjetë, por shumicën absolute të shqiptarëve, që janë ngritur në këmbë për të rifituar Shqipërinë që po përpiqen t’ua grabisin”,- tha Monika Kryemadhi.

Kryetarja e LSI shtoi se është koha që familja dhe kombi të jenë në vend të parë të shqetësimeve të gjithë politikës dhe qytetarëve. “Viti 2020 është fillimi i një dekade ku Shqipëria, Familja, Kombi shqiptar janë dhe do të jenë të parët! Asnjë dorë e zezë nuk mund të shtrihet mbi to pasi të gjithë shqiptarët së bashku do ta refuzojnë me forcën e rezistencës dhe shpirtit të tyre.  Ne jemi krenarë për sot dhe për gjithë jetën se do të jemi ne njerëzit e dekadës së re të një Shqipërie krejt tjetër nga kjo e sotmja që nuk është hall dhe problem vetëm i shqiptarëve por edhe i Ballkanit. Të një Shqipërie e njerëzve të lirë, e inisiativës së lirë, gjithashtu edhe një shembull përparimi dhe zhvillimi”,- tha Kryemadhi.

Ajo shtoi se kjo dekadë do të hedhë poshtë gjithë abuzuesit dhe tradhtarët. “Kjo dekadë do të flakë tej Rilindjen e shëmtisë politike dhe morale, Rilindjen e shpërbërësve të familjes, Rilindjen e tradhtarëve të Kombit dhe do të ngrejë lart atdhetarët e vërtetë, të rinjtë e talentuar, burrat dhe gratë që mbajnë mbi shpatulla ekonominë e vendit dhe të familjeve të tyre. Do të ngrejë lart talentin dhe dijen e shqiptarëve me të cilët ne krenohemi dhe që sot kemi aq shumë nevojë. Tashmë ka ardhur më në fund dita që të ringremë shpresën dhe besimin dhe të rivendosim në piedestal dinjitetin njerëzor”,- tha kryetarja e LSI.

Kryemadhi u shpreh se korrupsioni qeveritar po lë pa mbështetje dhe në të ftohtë edhe qytetarët e prekur nga tërmeti. “Ndonëse, ishte viti i fatkeqësisë së shqiptarëve, ndërkohë që sipas shifrave të qeverisë 10225 qytetarë flenë në çadra,mbi 3580 shtëpi dhe godina janë prishur, dhe 3650  qytetarë duhet të dalin nga vendet ku janë strehuar se ju ka mbaruar afati,  e vetmja gjë që rritet është pagesa për koncesionet dhe klientët e qeverisë. Edi Rama dhe Rilindja paguajnë vetëm një koncesion 8.5 milion euro për punë të pabërë. Dhe nuk ka as humanizmin, as inteligjencën që me këto 8.5 Milion euro mund të ndërtonte 40.000m2 apartamente për 10000 shqiptarë që jetojnë në çadër”,- deklaroi Kryemadhi.

SHKARKO APP