Kryemadhi: LSI u beson qytetarëve, jo sondazheve. LSI do jetë forcë e parë

Nënkryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sot se LSI-ja do të jetë forcë fituese në zgjedhjet e 25 qershorit.  Në një intervistë në News 24, Kryemadhi u shpreh se në zgjedhje ka rëndësi vota e qytetarëve dhe jo parashikimet e sondazheve.

Nënkryetarja e LSI-së u shpreh se sondazhet janë të pabesueshme dhe jo shqetësuese për politikën reale. E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, përballë gazetarit Bledian Koka, Kryemadhi tha se LSI nuk paguan haraçe për sondazhe të tilla.

“Më vjen për të qeshur por fillimi i mbarë nuk janë sondazhet, por puna që ka bërë LSI me qytetarët. Sondazhet nuk e kanë treguar asnjëherë fituese. Sondazhet periferike janë qesharake dhe nuk janë absolutisht shqetësuese. LSI nuk ka për të paguar asnjëherë haraçe për sondazhe të tilla që jo vetëm kërkojnë të manipulojnë opinionin publik por edhe të heqin vëmendjen nga hallet e problemet e shqiptarëve. Edhe Hillary Clinton fitoi nëpërmjet sondazheve por humbi. Është trillim apo demagogji që jemi mësuar ta shohim në mediat shqiptare për më tepër po të shikojmë metodologjinë”,- deklaroi Kryemadhi.

VIDEO:

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/videos/1281841561928583/

Intervista e plotë e Zv.Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në studion e televizionit “News 24”: 

Ka patur dje një sondazh të publikuar në një televizion, që ka bërë edhe projeksionet e para se ç’mund të prodhojnë zgjedhjet e 25 qershorit. Është një rezultat që të paktën nga shifrat që i referohen 2013 dhe shifrave të këtyre sondazheve duket sikur LSI ka një dyfishim të rezultati, por një dyfishim që në kushtet aktuale të llogarive aktuale nuk jep më shumë se sa 5 deputet?

Mua me thënë të drejtën më vjen gjithmonë për të qeshur, por fillimi i mbarë i LSI-së nuk janë sondazhet. Fillimi i mbarë i LSI-së është puna, që ajo ka bërë çdo ditë dhe në çdo moment me qytetarët dhe në funksion të qytetarëve përsa i përket premtimeve të saj të mbajtura në gjithë historikun e saj. Historikisht, sondazhet LSI-në nuk e kanë treguar fituese, por në fakt vota e populli ka treguar të kundërtën e asaj që kanë treguar sondazhet.

Megjithatë, sondazhet periferike të cilat janë shumë qesharake sa i përket fakti se kërkojnë të manipulojnë opinionin publik, nuk janë absolutisht shqetësuese. Unë do të doja të theksoja që LSI-ja nuk ka për të paguar asnjëherë haraçe për sondazhe të tilla, të cilat në një farë mënyrë kërkojnë jo vetëm të manipulojnë opinionin publik, por edhe të shfokusojnë jo vetëm problematikat që kanë qytetarët në jetën e përditshme, por edhe problematikat e mëdha dhe thelbësore që ka politika shqiptare. Në një farë mënyrë njerëzit duhet të jenë çdo ditë të informuar përsa i përket problemeve halleve dhe zgjidhjes së problemeve dhe për të dëgjuar atë argument dhe atë zgjidhje të cilët shqiptarët kërkojnë çdo ditë e më shpejt për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë tranzicionit.

Madje, unë mund të them se edhe Hillary Clinton fitoi me sondazhet, por faktikisht ndodhi e kundërta e saj. Sondazhet janë thjeshtë një mekanizëm, që në një farë mënyrë është manipulim ose indoktrinim apo demagogji që ne tashmë jemi mësuar rëndomtë ta shikojmë në mediat shqiptare dhe unë nuk shqetësohem fare. Akoma më shumë duke menduar po të shikosh metodologjinë dhe po të thellohemi më shumë do të shikojmë gjëra shumë më të errëta, që faktikisht jo vetëm do të fundosin kompaninë, por edhe ata që i sponsorizojnë.

Në fund i bie që ju vetë të keni të dhënat tuaja dhe sondazhet tuaja?

Sondazhet nuk janë numra dhe unë dua të them që ky është gabimi që kanë bërë gjithmonë mediat, por edhe parti të caktuara politike që e kanë bazuar programin e tyre apo punën e tyre në bazë të numrave.

LSI absolutisht nuk bazohet në sondazhe. LSI bazohet në terren, në kontaktin që ka të përditshëm dhe në çdo moment me qytetarët, sepse unë mendoj që kontakti me njerëzit është sondazhi më i mirë që ka çdo parti politike dhe ajo çka dua të theksoj është që arroganca politike që ne shikojmë rëndomtë, duke i parë gjërat nga larg e jo ashtu siç njerëzit janë në jetën e përditshme, e vendos politikën shumë larg njerëzve dhe pastaj shikojmë që kemi jo vetëm një jetë virtuale politike, që ua servirim qytetarëve, por pastaj zhgënjehemi jashtëzakonisht shumë kur shikojmë rezultatet.

Në 13 vitet e jetës së saj, LSI asnjëherë nuk është zhgënjyer, edhe pse Kodet Zgjedhore, edhe pse ligjet edhe pse rregullat janë bërë kundër LSI-së, asnjëherë nuk e kanë lënë LSI-në në baltë, por gjithmonë i kanë dhënë të drejtën asaj, sepse është populli që voton, nuk janë sondazhet ato që vendosin.

Me pretendimet dhe objektivin që i keni vendosur vetes për të qenë forcë e parë, kur shpalosni këtë lloj pritshmërie çfarë nënkuptoni që LSI do të marrë të drejtën se kush vendos se cila do të jetë qeveria nesër apo do të jetë një LSI me 71 vota për të bërë qeverinë e vetme?

LSI-ja do të jetë forcë e parë, sepse do të marrë drejtimin e qeverisë, sepse shqiptarët asnjëherë nuk ia kanë dhënë mundësinë LSI-së për të drejtuar dhe do të jetë forcë e parë për të vetmen arsye për të drejtuar qeverinë: për ta çuar Shqipërinë në rrugën e drejtë që duhet drejt integrimit evropian.

Por ajo çka është më e rëndësishme, për të hapur më shumë vende pune, për të garantuar vendet e punës dhe për t’i pasur vendet e punës të sigurta dhe mbi të gjitha për të pasur paga më të mirë. LSI-ja është e vetmja parti politike që deri më sot që ka një program dhe që ka një plan të vërtetë, që ne e kemi nxjerrë kudo dhe e themi gjithmonë, që ky është plani i vërtetë dhe real, i cili tregon për vendet e punës, jo thjeshtë numra, por tregon vende pune të shpërndara në mënyrë të drejtpërdrejtë, në fusha të caktuara, në mënyrë të shpjeguar analitike, por edhe ekonomike dhe reale. Dhe akoma më shumë po të futemi.

Kush e ka hartuar programin znj. Kryemadhi?

Është një forum ekonomik, që është i përbërë nga disa intelektualë dhe specialistë ndërkombëtar dhe shqiptar, të cilët janë në fushën e ekonomisë dhe të statistikave. Po ashtu ne jemi koshientë dhe e dimë shumë mirë që në radhët e LSI-së ka mjaft intelektualë dhe mjaft ekspertë, të cilët jo vetëm që e njohin ekonominë, por njohin edhe funksionimin e institucioneve shtetërore, funksionimin e sistemit fiskal, gjë që po të hyjmë dhe të shikojmë akoma më thellë do të shikojmë që sistemi fiskal apo taksat që kanë shqiptarët sot janë taksat më të larta në rajon.

Sistem laksativ që e keni pranuar znj. Kryemadhi kur jeni futur në koalicion?

Ne kemi qenë të detyruar, sepse PS ka vendosur veton për taksat, për arsimin dhe për shëndetësinë. Prandaj edhe LSI-ja do të jetë forcë e parë. Shqiptarët do ta votojnë LSI-së për të qenë forcë e parë, sepse nëpërmjet LSI-së duke qenë forcë qeverisëse, do të jetë ajo që do të ulë taksat.

Që do të thotë që jeni kundër taksës progresive?

Taksë progresive e cila vjen me fasha të shkurtuara dhe me tatim të ulur. Ajo çka bëjmë me të ardhurat personale që deri në 35 mijë lekë të reja taksa do të jetë zero. Nga 35 mijë lekë deri në 100 mijë lekë do të jetë 8% dhe mbi 100 mijë lekë do të jetë 10%. Gjë që është shumë normale dhe është një taksë progresive e moderuar dhe krijon mundësinë e një shtrese të mesme, jo për ta varfëruar, por për ta konsoliduar shtresën e mesme.

Kur, ndërkohë, aktualisht me 15% taksë progresive dhe 23% taksën mbi të ardhurat personale është jashtëzakonisht shumë.

Ndodhi që nga 12 mijë persona që paguanin taksën, me paga mbi 150 mijë lekë, përfundoi numri i reduktuar në 6 mijë veta që deklaronin realisht të ardhurat e tyre. Ashtu sikurse futemi te taksat e biznesit, që biznesi i vogël deri në 20 milionë lekë të reja do ta ketë taksën 5%, nga 20 milionë deri në 100 milionë të reja do ta ketë 8% dhe mbi 100 milionë e sipër do ta ketë 10%.

Gjë që jo vetëm krijon një formalizim të ekonomisë shqiptare, që ne aktualisht me idenë e katër viteve më pare do të rrisim taksat me 15%, ne jo vetëm që nuk rritëm buxhetin, por ne filluam të krijojmë një luftë të brendshme edhe të drejtpërdrejtë midis biznesit dhe shtetit. Biznesi dhe shteti filluan të shiheshin si armiq dhe jo si partnerë.

Në çdo vend të botës biznesi dhe shteti janë partnerë, sepse ata mbushin arkën e shtetit, krijojnë investime, i jepen mundësi biznesit të ri-investojë të ardhurat e tij e kështu me radhë. Ne e kemi parë biznesin si armik në luftë. Atë ç’ka pamë të ndodhte ishte fatkeqësi e madhe. Po të shohim, klima e biznesit është shumë e ftohtë, e acartë, e ngurtë. Ajo çka është më e rëndësishmja, po të shohim edhe praninë e investitorëve të huaj sa vjen e më shumë zvogëlohet.

Rama ka nisur një retorikë jo të drejtpërdrejtë, por qartazi duket që i referohet LSI-së kur u kërkon qytetarëve shqiptarë që ta mandatojnë si qeveri më vete, duke kërkuar që timonin e qeverisë ta ketë i vetëm dhe pa të tjerë në prehër. Si ndjeheni kur dëgjoni të tillë retorikë?

Kjo historia me makina më duket si bisedë tavolinash, apo mesazhet që shpërndahen nëpër telefona. E para do t’i sugjeroja z. Rama që të marrë lejen e drejtimit të automjetit, që të kuptojë sa e lehtë apo e vështirë është ta drejtosh makinën.

E dyta, dua të theksoj që historia e figurave letrare është bërë pak qesharake, sepse sot dëgjova edhe z. Tahiri që përmendte çështjen e timonit dhe të makinës. Ai në fakt nuk ka probleme me lejen e drejtimit të makinës, ai ka probleme me pronësinë e makinës, makina e të cilit ka qenë e regjistruar në emër të disa trafikantëve të drogës.

Këtë nuk e vendos as z. Rama dhe as ne, këtë gjë do ta vendosin qytetarët, të cilët çdo ditë e më shumë binden dhe çdo ditë e më shumë ata e shohin me vërtetësi dhe realisht se kush ka një plan të vërtetë për ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni dhe nga ky stanjacion i tmerrshëm, që çdo ditë e më shumë po u merr frymën shqiptarëve.

A u shqetëson ajo çka po përflitet për një koalicion të mundshëm PD-PS? Si ndjehet LSI kur artikulohen të tilla gjëra? A po përgatiteni ju për t’i bërë ballë?

Këtë e vendosin shqiptarët me votën e tyre në datën 25 qershor. Di të them vetëm një gjë, që çdo ditë e më shumë që jam në terren, në kontakt me njerëzit, njerëzit ndjejnë, ashtu siç ndjejnë mungesën e shpresës dhe dëshirës për t’u folur për politikë, ashtu ndjejnë edhe neverinë për politikën që u kemi ofruar deri më sot shqiptarëve me mungesën e sinqeritetit, me arrogancën që kemi treguar ndaj tyre, duke i parë gjërat nga larg dhe jo duke i parë gjërat nga aty ku njerëzit vërtetë jetojnë jetën e përditshme.

Unë di të them që LSI do të jetë një forcë qeverisëse, që do ta çojë Shqipërinë të sigurt drejt BE-së dhe për këtë nuk kam asnjë pikë dyshimi, sepse besoj te kapacitetet, vlerat dhe listat e LSI-së që janë listat më të mira të partive politike, janë lista që brenda vetes së tyre mbartin vlera, institucionalizim dhe demokracinë brenda partisë.

Nuk mendoni që e keni tepruar me moshën shumë të re të listave?

Më mirë një student të ekselencës në listë se sa një deputet që është në kërkim në BE për vrasje, trafik droge apo krim të organizuar. Për këtë jam e bindur, sepse unë mendoj që rinia është e ardhmja e Shqipërisë, jo e shkuara.

Ne duhet të punojmë çdo ditë e më shumë për të ardhmen e të rinjve shqiptarë, të cilët të gjejnë jo vetëm veten e tyre në Shqipëri, por të ndërtojnë edhe të ardhmen e tyre dhe familjet e tyre në Shqipëri. Unë nuk mendoj që e ardhmja e Shqipërisë është duke krijuar karvane të gjata me të rinj e të reja, të cilët kërkojnë një jetë më të mire në Amerikë dhe Gjermani. Zoti i ka dhënë Shqipërisë pozicionin më të bukur në botë dhe është fatkeqësi e madhe që qindra e mijëra të rinj të largohen nga këtu.

Zoti ia ka dhënë të gjitha bukuritë natyrore, diellin, tokën, liqenin, lumenjtë, çdo gjë dhe vetëm politikën nuk ia ka dhënë të mirë. LSI-ja do të jetë një nga ato që do ta ndryshojë këtë realitet të politikës, këtë politikë të vjetër për t’u kthyer te politika e re për t’i rikthyer shpresën njerëzve dhe mbi të gjitha për t’iu rikthyer shpresën të rinjve

Sepse unë mendoj sot që më shumë ka nevojë për shpresë, edhe unë kam nevojë për shpresë për fëmijët e mi, jam e bindur që edhe ju gazetarët keni nevojë për shpresë që puna juaj të jetë e sigurt, që paga juaj të jetë e sigurt dhe e mirë e mbi të gjitha të jeni në rregull me ligjet sa i përket taksimit dhe përsa i përket marrëdhënies suaj me shtetin, jo për t’u fshehur.

Pra ne duhet të krijojmë një lloj bashkëpunimi midis bizneseve, midis shoqërisë dhe qeverisë, sepse ka ardhur koha që çdo gjë të jetë formale, jo më informale, jo të jetë me preferenca politike, pasi ka 27 vjet që ecet me preferenca që dashur pa dashur ka krijuar këtë lloj standardi.

Ju artikuluat një akuzë të fortë ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Tahiri, sa i përket pronësisë së automjetit të tij, akuzë e cila ka qenë refren i aksionit opozitar për gati 2 vjet. A mos po mundoheni të shkëmbeni vendet në këtë pikë me PD-në? Pse nuk folët atëherë kur flitej…?

Sepse nuk isha Zv.Kryetare e LSI-së atëherë kur u përfol. Por dua të them se është shumë e rëndësishme, ndoshta kjo është edhe arsyeja që jemi sot këtu në këtë situatë politike, që dashje pa dashje ne e shikojmë të paqartë dhe jemi jo vetëm të dobët ekonomikisht, të paqartë politikisht.

Që do të thotë se për hir të shumë arsyeve qofshin këto edhe politike, ne nuk jemi treguar shumë të drejtpërdrejtë sa i përket qëndrimeve tona. Kam parasysh këtu ligjin e arsimit të lartë, ku ne na u premtua që ta votonim ligjin e më pas do të kalonin aktet nënligjore. Ndërkohë u rakorduam dhe me PD-në, pasi edhe ata ishin kundër dhe thanë që do ta çonin në Gjykatë Kushtetuese. Ne i bëmë me dije që nëse PS-ja nuk do të sjellë aktet nënligjore, do t’u bashkoheshim atyre për ta çuar ligjin në Gjykatë Kushtetuese, por në të dyja rastet edhe PD-ja edhe PS-ja nuk e mbajtën fjalën.

Pra, PS-ja nuk bëri aktet nënligjore, ndërsa PD-ja nuk e çoi ligjin e Arsimit të lartë në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ne do ta vazhdojmë këtë proces më tutje, nuk do ta lëmë me kaq, sepse jemi të detyruar dhe u kemi dalë garant maturantëve dhe mbi të gjitha atij brezi të ri, që do të drejtojë Shqipërinë në të ardhmen, të cilët nuk duhet të jenë të diskriminuar, jo vetëm në arsim…

Kur thoni këtë, nëse do të merrni drejtimin e qeverisë do ta shfuqizoni ligjin?

Absolutisht ne do të ndërmarrim nismë ligjore për t’i dhënë jo vetëm identitet dhe integritet ligjit për arsimin e lartë, por për të bërë një ligj të arsimit të lartë për të fuqizuar universitetet publike dhe për të mos e kthyer shtetin në funksion të universiteteve private.

Në rast se LSI del forcë e parë dhe i jepet e drejta për të formuar qeverisjen, kush do të jetë Kryeministri i LSI-së, z. Vasili apo z. Meta?

Sigurisht z. Vasili, sepse ai është kryetar i LSI-së dhe ne e kemi theksuar këtë gjë dhe jam e bindur që z. Vasili do të jetë një nga Kryeministrat më të mirë që ka pasur Shqipëria.

A ka një skenar që z. Meta të tërhiqet nga posti i Presidentit të Republikës për të marrë drejtimin e qeverisë, duke e justifikuar ose duke e argumentuar këtë si një nevojë…

Meta ishte i gatshëm të lëshonte postin e Presidentit të Republikës vetëm kur duhej për të ulur në një tryezë PD-në dhe PS-në që të gjenin zgjidhje për të hyrë në zgjedhje dhe për të krijuar një stabilitet politik. Z. Meta e bëri përsëri këtë më 17 maj, kur edhe z. Vasili tha se LSI ishte gati të hiqte dorë edhe nga posti i Presidentit vetëm e vetëm për të pasur dialog dhe zgjidhje në mënyrë që të shkonim në zgjedhje për të krijuar një stabilitet politik që jeta të vazhdojë normalisht. Jo vetëm jeta ekonomike, por edhe jeta politike dhe jeta shpirtërore e shqiptarëve dhe e gjitha ana institucionale.

SHKARKO APP