Kryemadhi: Në fund të muajit maj do të kemi zgjedhje të parakohshme
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë takimit me të rinjtë e LRI-së në njësinë nr. 2 në Tiranë ka deklaruar se sot 94% e shqiptarëve mendojnë se sot Shqipëria është më e varfër se çka qenë dhe janë të pakënaqur me qeverinë. Kryetarja e LSI ju referua rezultateve të disa sondazheve, të cilat tregojnë se shumica dërrmuese e shqiptarëve kërkojnë ndryshim në vend. Duke u ndalur në zhvillimet politike, kryetarja e LSI u shpreh se shumë shpejt vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Të jeni të bindur që 94% e shqiptarëve meqë flitet për sondazhet dhe po jua them unë që bëjmë dhe ne sondazhe dhe i bëjmë sondazhet shumë të mira. 94% e shqiptarëve mendojnë që Shqipëria është më e varfër se ç’ka qenë. 94% e shqiptarëve besojnë që jeta e tyre është më e shtrenjtë se ç’ka qenë, çka do të thotë se dhe socialistët edhe ata që nuk votojnë kurrë, mendojnë si ne. Prandaj detyra juaj është që t’i zgjojmë, t’i sensibilizojmë, t’u flasim për LSI. Që jemi një forcë politike dhe parti politike e të rinjve dhe të rejave”,- deklaroi Monika Kryemadhi.
Kryetarja e LSI tha se është e bindur që në muajin maj do të ketë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, ndërkohë që theksoi se do të jenë vetë socialistët, por edhe gjithë shqiptarët që do ti thonë JO krimit të organizuar që ka marrë peng vendin. “Njerëzit e kanë perceptimin shumë të mirë për LSI-në. Njerëzit e kanë perceptimin shumë të mirë për ta ndryshuar këtë realitet. Tashmë duhet të bëhemi gati që njerëzit ti çojmë në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve që do të jenë në fund të majit, sepse jam e bindur që zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të jenë të parakohshme. Sepse në radhë të parë do të jenë socialistët ata që do ta vendosin në cep Edi Ramën dhe në radhë të dytë do të jetë e gjithë shoqëria shqiptare që do ti thotë JO krimit të organizuar që ka marrë në dorë fatet e fëmijëve të shqiptarëve. Prandaj që nga ky moment mos hezitoni më. Çdo ditë e më shumë që zvarritet pushteti i kalbëzuar i Edi Ramës aq më shumë kalbëzohet dhe aq më i pafuqishëm bëhet. Prandaj terreni është i juaji, hapësirat janë tuajat, mos ndaloni”,- tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Video/Takimi i kryetares së LSI, Monika Kryemadhi me të rinjtë në Njësinë Nr. 2 në Tiranë
https://www.facebook.com/kohajone/videos/330708324243928/