Kryemadhi: Opozita ka shumë pika të përbashkëta, 25 prilli është referendum popullor kundër Ramës
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një intervistë për ”News24″ deklaroi se data 25 prill do të jetë referendum për të gjithë qytetarët shqiptarë si dhe do të jetë dita më e rëndësishme për ta.
”Tashmë na ndajnë vetëm 96 ditë nga 25 prilli, çdo ditë e më shumë vjen duke u ngushtuar hapësira midis datës 25 prill që do të jetë referendumi për të gjithë qytetarët shqiptarë, por nga ana tjetër rrit dhe përgjegjësinë e forcave politike, por më shumë të të gjithë atyre individëve, personaliteteve, liderëve apo edhe figurave publike të partive, për të shpallur programet dhe angazhimet e tyre, gjë që është nga më të rëndësishmet sot, për të cilat qytetarët shqiptarë kanë nevojë”,-u shpreh Kryemadhi.
Nga ana tjetër, Kryemadhi nënvizoi se pozita ka shumë pika të përbashkëta, ku rënditi disa prej tyre. ”Një nga pikat tona kryesore kush është. Made in Albania me TVSH zero. Do të thotë që qumështi i Maqedonisë, Kroacisë, Bosnjes mos të vijë dhe të shkatërrojë tregun shqiptar, mos të shkatërrojë fermerët shqiptarë. Do të thotë që domatja, speci i Shqipërisë të kenë çmimin më të lirë sesa ato që vijnë nga importi. Dhe ti japim mundësi fermerëve tanë, blegtorëve, bujqësisë që të rimëkëmbet dhe të eci sa më shpejt. Është dhe nafta, është dhe transporti,teknologjia për të zhvilluar dhe për të krijuar hapësira pafund për studentët që diplomohen në teknologji. Dhe tu krijojmë mundësinë e bizneseve të tyre dhe shumë e shumë hapësira të tjera për ti ndihmuar ato”,– tha Kryemadhi.
E pyetur nëse do të ketë një program të përbashkët me opozitën e bashkuar për këto zgjedhje, Kryemadhi u shpreh se “kemi shumë pika të përbashkëta si opozitë e bashkuar. Pika jonë kryesore është largimi i Edi Ramës më 25 prill. Largimi i Edi Ramës dhe i Rilindjes më 25 prill krijon hapësirën për të tjetërsuar klimën e biznesit, për të krijuar hapësira për investime të reja të huaja për të cilat ka nevojë vendi që krijojnë vende pune, çlirimin e mentalitetit dhe të ekonomisë shqiptare, krijimin e një shëndetësie më të mirë dhe më të merituar për shqiptarët“.