Kryemadhi: Edi Rama është një prej bandave të krimit. Prokuroria të hetojë
Konferenca për shtyp e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi.
Kryeministri iu dorëzua pa kushte krimit dhe trafikantëve tha kryetarja e LSI. Ajo tha se “Kryeministri shqiptar iu hoqi çdo mëdyshje shqiptarëve për lidhjen me krimin dhe trafikantët. Po, ai është një prej tyre, mbështetësi, inspiruesi dhe përdoruesi i tyre. Drejtësia po përballet sot me një pengesë të madhe që nuk janë më vetëm kriminelët por edhe kryesuesi i falangës politike që i mbështet dhe sakrifikohet për ta.
Kryetari i Kuvendit dhe mazhoranca e kthyen Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve në një gjykatë politike.
Ata dhunuan Kushtetutën dhe nga garante e kthyen në mbështetëse të krimit. Dhunuan edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias i cili shprehet qartë në raportin e 2014 se: “ Ky komision nuk duhet në asnjë rrethanë të japë qëndrimin e tij për pafajësi ose jo të deputetit përkatës”. Komisioni i Këshillit të Mandateve, e patë dhe vetë, që u kthye në një gjykatë politike dhe teatrale.
Të gjithë shqiptarët prisnin më të paktin veprim që kryeministri i tyre duhet të bënte: Të lejonte drejtësinë të zbardhte të vërtetat. E prisnin të gjithë shqiptarët që janë burgosur për kalimin e semaforit të kuq, e prisnin me qindëra dhe mijëra shqiptarë që janë burgosur për mos pagimin e energjisë elektrike, për shkak të varfërisë së tyre.
E prisnin me qindra dhe mijëra shqiptarë që janë ndaluar dhe janë gjobitur për mosvendosjen e një rripi sigurimi apo për një parkim të gabuar. Ata panë sot kryeministrin që shndërrohej në një mburojë të krimit.
Shqiptarët sot panë një kryeministër që shantazhon hapur Drejtësinë dhe e kërcënon atë, duke dashur ti lërë shqiptarët në duart e trafikantëve që po helmojnë brezin e ri dhe po dëmtojnë shpresën dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Edi Rama po lë shqiptarët në duart e kriminelëve gjobëvënës, të vrasësve me pagesë dhe profesionist dhe po u hap trafikantëve autostrada të reja të trafikut të drogës, të armëve e shumë trafiqeve të tjera të rrezikshme.
Fjala e tij sot ishte dëshmi publike jo e qëndrimit të një kryeministri, por e një pazari mes kriminelëve që ndajnë rolet dhe hesapet midis tyre.
Fjala e tij ishte sot një dëshmi publike e strategjisë së tij për ta kthyer drejtësinë shqiptare në një zgjatim të kriminelëve dhe jo në një institucion në luftën ballore kundër krimit, korrupsionit dhe në një drejtësi që të jetë në shërbim të qytetarëve.
Kryeministri edhe para pak minutash i përfshirë nga frika dhe paniku kërkoi ti mbyllte gojën prokurorisë pasi ai do që të jetë edhe kryeprokuror, edhe kryegjykatës edhe kreu i organizatave kriminale.
I bëj thirrje Prokurorisë të mos intimidohet, por t’ju shkojë të vërtetave deri në fund sepse kjo është ajo që presin të gjithë shqiptarët, të cilët nuk duan të qeverisen nga krimi dhe kriminelët”
Pyetja nga gazetarët
Në Komisionet parlamentare deputetët e PD nuk janë paraqitur, ndërkohë që thuhet që do të bojktojnë deri të mërkurën. Do të ketë dhe LSI një reagim të tillë?
Kryemadhi: Patjetër. Partia Demokratike aktualisht është në mbledhje grupi, ndaj deputetët e PD nuk kanë qenë në mbledhjet e komisioneve, sepse ka qenë një mbledhje urgjente. Ne në orën 13.00 si LSI kemi mbledhjen e grupit për të vendosur përsa I përket vendimeve. Jam e bindur që në të dyja partitë, qoftë në PD, qoftë në LSI do të vendosin grupet parlamentare, jo kryetarët e partive. Paraprakisht kemi rënë dakord, por tani do ta institutionalizojmë, pasi ka ardhur koha që opozita të institucionalizojë çdo veprim të saj.