Kryemadhi takon Nancy Pelosin: Dua të përfitoj nga përvoja e saj për ta bërë Shqipërinë më të fortë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ndodhet për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara. Në vazhdën e vizitës zyrtare, dje, ajo ka zhvilluar një takim me Nancy Pelosin, kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryemadhi ka njoftuar se bisedoi me znj. Pelosi për marrëdhënien e Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndër të tjera, Kryemadhi shprehet se “kryetarja Pelosi është një model shumë i fortë për të gjitha gratë në botë dhe veçanërisht në Shqipëri. Kemi nevojë për më shumë gra e vajza në politikën shqiptare, për ta bërë Shqipërinë shtëpinë tonë”.

Postimi i plotë i Kryemadhit

Ishte kënaqësi e madhe të takoja Nancy Pelosin, Spikeren e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, dhe të bisedoja me të mbi marrëdhënien e Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryetarja Pelosi është një model shumë i fortë për të gjitha gratë në botë dhe veçanërisht në Shqipëri. Kemi nevojë për më shumë gra e vajza në politikën shqiptare, për ta bërë Shqipërinë shtëpinë tonë.

Pres me padurim për të vazhduar diskutimin me një grua kaq të fuqishme për mënyrën se si duhet të fuqizojmë marrëdhënien tonë me SHBA dhe të përfitoj nga eksperienca e saj për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë.

Ndërkohë, Monika Kryemadhi ka zhvilluar edhe takime të tjera gjatë vizitës së saj Uashington.

Ajo është pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Znj. Susan K. Falatko, Drejtore e Zyrës për Çështjet e Europës Qendrore e Jugore.

Kryemadhi ndau me znj. Falatko opinionet dhe shqetësimet lidhur me situatën e rëndë politiko-sociale në Shqipëri, si dhe angazhimin politik të LSI-së në këtë moment tepër delikat për vendin.

Ajo nënvizoi rolin e veçantë dhe vëmendjen e SHBA për Shqipërinë, bazuar edhe në vlerat e jashtëzakonshme të demokracisë, që Amerika përfaqëson për vendin tonë.

Në foto: Monika Kryemadhi dhe Susan K. Falatko, Drejtore e Zyrës për Çështjet e Europës Qendrore e Jugore në DASH.

Monika Kryemadhi pas takimit me Daniel Serwer të Qendrës për Çështjet Transatlantike, në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare, Johns Hokpins ka postuar në profilin e saj këtë shënim:

Pata kënaqësinë të takoja në Washington profesor Daniel Serwer të Qendrës për Çështjet Transatlantike, në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare, Johns Hokpins. (https://www.sais-jhu.edu/daniel-serwer )
Diskutuam dhe bashkëbiseduam për problematika nga më të ndryshmet parë nga këndvështrime shumë interesante. Debatuam dhe pamë Amerikën me sytë e Daniel Serwer, ashtu si edhe ai pa Shqipërinë me sytë tanë.
Një bisedë e frytshme, me ide të qarta, si vendi mund të dalë nga kriza dhe të kthehet sërish në shtëpi për të gjithë shqiptarët.

Në foto: Monika Kryemadhi dhe Daniel Serwer të Qendrës për Çështjet Transatlantike, në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare, Johns Hokpins. 

SHKARKO APP