Kryemadhi takon zyrtarin e SHBA: Zgjedhjet të zhvillohen menjëherë dhe me standarde

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim në selinë e LSI me drejtorin e ri për Europën Qëndrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik.

Kryemadhi i shprehu Kostelancik vlerësimet më të larta për bashkëpunimin strategjik me SHBA dhe e falenderoi për mbështetjen ndër vite që SHBA ka dhënë për progresin demokratik të Shqipërisë, si dhe mbështetjen e veçantë për anëtarësimin në NATO dhe rrugëtimin e vendit tonë drejt Bashkimit Europian.

Shqipëria ka nevojë kritike për hapjen e negociatave në tetor. Hapja e negociatave është e kushtëzuar vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme. Për këtë arsye, zgjedhjet duhet të zhvillohen sa më parë dhe me standarte, pasi kjo është e vetmja rrugë për integrimin europian të Shqipërisë”, u shpreh kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në lidhje me krizën aktuale politike e institucionale që ka përfshirë vendin.

Duke e falenderuar për vizitën në Shqipëri, Kryemadhi i ritheksoi diplomatit Kostelancik bindjen e LSI-së për të vijuar raportet e ngushta të bashkëpunimit me SHBA, si aleate e patjetërsueshme për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe të rajonit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar sot me Drejtorin e ri të Zyrës së Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik.

Në përfundim të takimit, Basha bënë me dije se me diplomatin e lartë amerikan ka diskutuar për krizën politike në Shqipëri.

Diskutim shume i hapur dhe konstruktiv me David Kostelancik, Drejtori i ri i Zyrës së Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit. Në fokus, fund pandëshkueshmërisë së politikanëve, rikthim i Sundimit të Ligjit, dhënie fund kapjes së shtetit dhe korrupsionit dhe forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SHBA”- shkruan Basha.

SHKARKO APP