Kryemadhi: Front të madh OPOZITAR
-Ben Blushi ra dakort për FRONTIN OPOZITAR, Paskal Milo është pro kësaj ideje, Agron Duka krejtësisht pro, Fatmir Mediu 100 % dakort, Nard Ndoka pa hezitim, Vangjel Dule me të gjitha forcat, Dashamir Shehi me zjarr për këtë ide. Pritet vetëm Lulzim Basha të jetë dakort për FRONTIN E MADH OPOZITAR.
Lëvizja Socialiste për Integrim është e qartë në qëndrimet e saj politike, për një opozitë të fortë dhe krijimin e një fronti të përbashkët me Partinë Demokratike. Në intervistën e parë të dhënë pas zgjedhjes si kryetare e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaron se forca politike që ajo drejton është e hapur për një opozitë pa dallime ideologjike. Në intervistën e dhënë dje për “Top Channel” Kryemadhi bën dhe një ftesë publike për drejtuesit e Partisë Demokratike. “Ne jemi gjithmonë të hapur për një front kombëtar opozitar, pa dallime ideologjike. Të luftosh për qytetarët e tu, nuk do të thotë të kesh ideologji politike”,- deklaron kryetarja e LSI.
Në skenën politike për herë të parë do të ketë dy forca opozitare, PD dhe LSI që kanë peshë të madhe në zhvillimet e vendit. Janë dy forcat politike që kanë në dorë kushtëzimin e vendimeve të qeverisë, nëse do të jenë të bashkuara si dy parti opozitare. Deri më sot, gati një muaj pas zgjedhje, koordinimi mes dy partive ka munguar. Në vend të bashkimit, ka ndodhur e kundërta. Në jo pak raste PD-ja ka sulmuar më shumë LSI-në sesa Partinë Socialiste që e ka kundërshtare historike si dhe që Rama ia mori pushtetin në tavolinë me blerje votash, siç akuzon vetë PD. Lulzim Basha dhe selia blu janë ende të paqartë me mënyrën si do organizohen, kurse LSI-ja e ka hedhur hapin e parë duke kërkuar krijimin e një fronti të fortë opozitar.
Për një front të tillë është dakort edhe Ben Blushi, lideri i LIBRA, që ka deklaruar që nëse PD, LSI, LIBRA dhe krejt spektri opozitar dhe i shoqërisë civile mblidhet, jeta politike e mazhorancës i ka muajt të numëruar.
Monika Kryemadhi thotë se shumë shpejt qytetarët do të shtojnë radhët në anën e opozitës përballë keqqeverisjes dhe problemeve të mazhorancës së Partisë Socialiste. Ajo thotë se edhe vetë një pjesë e socialistëve po ndërgjegjësohen për atë që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve dhe për manipulimet që u bënë me votat. Ndërsa rruga më e mirë për përballjet e ardhshme politike është bashkimi i partive me peshë politike opozitë.
Por cilidoqoftë qëndrimi i PD-së, LSI-ja e ka bërë tashmë zgjedhjen e saj për qëndrimet që do të mbajë. Dje Kryemadhi foli për një opozitë të ashpër nga partia që ajo drejton. Një opozitë që do të zhvillohet me forcën e argumenteve në parlament, në institucionet e pushtetit vendor, por edhe në sheshe. Kryemadhi shprehet se opozita ka fjalën dhe protestën si mjete për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe demokracinë e vendit. Ajo premton se LSI në mbrojtje të interesave të qytetarëve nuk do të ketë asnjë kompromis me mazhorancën. Por nga ana tjetër thekson se LSI nuk do të bëj një opozitë mohuese dhe destruktive.
“Opozitë frontale pa asnjë lloj kompromisi. Frontale, por edhe konstruktive, sepse opozitë nuk do të thotë të thuash “jo” për çdo gjë. Opozitë do të thotë të bësh opozitë dhe të japësh alternativa, të cilat janë në funksion të qytetarëve, janë për një jetë më të mirë për qytetarët dhe mbi të gjitha krijohet dhe një lloj stabiliteti jo vetëm politik, por edhe ekonimik, financiar dhe njerëzor”, deklaroi Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së ka sqaruar dje qëndrimin e kësaj force politike në këshillat bashkiak. Në shumicën e bashkive të PS-së votat e LSI-së janë vendimtare për votimet e projekteve. Edhe në këtë pikë, Kryemadhi jep një përgjigje të prerë, LSI është në opozitë me Partinë Socialiste në të gjitha pushtetet. “Pozicionimi i LSI-së tashmë është shumë i qartë, jo vetëm në Parlament, por edhe në të gjitha këshillat bashkiak, aty ku merren vendime në funksion të qytetarëve”,- deklaroi kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi ka komentuar dhe debatin për votimin në këshillin bashkiak të Tiranës. Ajo thotë se çështja e bashkëpunimit me Partinë Socialiste është një etapë e mbyllur tashmë. “Sa i përket marrëdhënies me PS-në e kemi deklaruar pas zgjedhjeve të 25 qershorit, që LSI do të jetë opozitë. Opozita nuk është më çështje numrash, opozita është çështje morali, sepse fundja opozita ka moralin dhe fjalën e lirë. Kështu që pozicionimi i LSI-së tashmë është shumë i qartë”,- shprehet kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Mbetet që Lulzim Basha, kreu i PD-së të shprehet për propozimin e Monika Kryemadhit për krijimin e FRONTIT OPOZITAR kundër kryeministrit Edi Rama.
Ben Blushi ra dakort për FRONTIN OPOZITAR, Paskal Milo është pro kësaj ideje, Agron Duka krejtësisht pro, Fatmir Mediu 100 % dakort, Nard Ndoka pa hezitim, Vangjel Dule me të gjitha forcat, Dashamir Shehi me zjarr për këtë ide.
Mbetet Lulzim Basha të jetë dakort për FRONTIN E MADH OPOZITAR.
S.P.