Kryeministri Rama: Dorëheqje! Ministri Drejtësisë: Jo dorëheqje, por shkarkim!

Kryeministri Rama mblodhi para pak ditëve drejtorët e ipotekave në kryeministri dhe pasi i kritikoi për moskorrektesë ndaj qytetarëve, u kërkoi publikisht dorëheqje. Por ministri teknik i drejtësisë, i PD, deklaron sot se nuk duhet dorëheqje, por shkarkim dhe penalizim për ato që kryeministri u ka kërkuar dorëheqje.

Drejtorët e Hipotekave që kanë shkelur ligjin do të hetohen dhe do të shkarkohen. Nuk do të lejohet largimi i tyre me një dorëheqje. Ky është urdhëri i fundit, i ministrit teknik të PD Gazment Bardhi. Ai ka dalë kundër ultimatumit të Ramës për dorëheqje të drejtorëve të Hipotekave. Për Ministrin e Drejtësisë, zyrtarët publikë që cenojnë interesin e qytetarëve shqiptar, apo që kryejnë shkelje të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, deri në nivelin e talljes kolektive me to, nuk mund të largohen me akt dinjiteti, pra me dorëheqje.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Drejtësisë

Ministri Gazment Bardhi urdhëron ZQRPP, që nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, të ushtrojnë kontroll dhe inspektim të punës së Regjistruesve në 6 muajt e fundit, dhe të evidentojnë të gjitha shkeljet e kryera prej tyre.
Ministri Gazment Bardhi vlerëson se zyrtarët publikë që shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve, duhet të lagohen me masë disiplinore “shkarkim nga detyra” dhe jo me dorëheqje.

Bardhi, është njohur sot me kërkesën për dorëheqje të Regjistruesve të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës, Vlorës, Kukës, Dibër, Elbasan, Tropojë, Has, Mat, Kuçovë, Bulqizë, Lezhë, Kurbin, etj.

Duke vlerësuar se dorëheqjet vijnë në vijim të konstatimit publik të Kryeministrit të Shqipërisë, se këta funksionarë publikë kanë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve, duke konsumuar një tallje kolektive dhe individuale me njërëzit, Ministri i Drejtësisë ka marrë një vendim të ndërmjetëm, për pezullimin e procedurave të miratimit të dorëheqjes së tyre, deri në përfundimin e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtyre funksionarëve publikë.

Kjo masë vjen në kuadër të detyrimit moral dhe ligjorë që kanë autoritetet publike, që kur konstatojnë shkelje të të drejtave të qytetarëve, të mos pranojnë dorëheqjen e zyrtarëve, por t’i bëjnë ato t’i nënshtrohen pasojave që parashikon ligji.

Për këtë qëllim, Ministri Bardhi, ka urdhëruar Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, të ngrejë 3 grupe kontrolli, me qëllim inspektimin e veprimtarisë së Regjistruesve në ZVRPP përkatëse. Afati i ushtrimit të kontrollit është 10 ditë nga hyrja në fuqi e urdhrit.

Gjatë kësaj periudhe, me qëllim mos pengimin e veprimtarisë së grupeve të kontrollit dhe vijimin normal të punës në ZVRPP, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Regjistruesve përkatës, deri në përfundimin e hetimit administrativ.

Ministri i Drejtësisë shpreh vendosmërinë e tij se të gjithë Regjistruesit e ZVRPP që kanë kryer shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe kanë cenuar të drejtat e ligjshme të qytetarëve shqiptar, do të largohen nga detyra me masë disiplinore “Shkarkim nga detyra”, me qëllim shmangien e ushtrimit të funksioneve publike në të ardhmen.

Që nga data e fillimit të detyrës së tij dhe deri më sot, Ministri Bardhi ka urdhëruar shkarkimin nga detyra të rreth 1/4 së të gjithë Regjistruesve të ZVRPP dhe garanton se nuk do të hezitojë ta bëjë këtë në asnjë rast kur konstatohet cenimi i interesave të qytetarëve apo abuzimi me detyrën.

Për Ministrin e Drejtësisë z. Gazment Bardhi, zyrtarët publikë që cenojnë interesin e qytetarëve shqiptar, apo që kryejnë shkelje të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, deri në nivelin e talljes kolektive me to, nuk mund të largohen me akt dinjiteti, pra me dorëheqje.

Largimi i tyre nga detyra, duhet të jetë një përpjekje e autoriteteve përgjegjëse për të zhdëmtuar cenimin e dinjitetit të qytetarëve, duke i larguar këta zyrtarë me masë disiplinore “shkarkim nga detyra”, apo duke përcjellë informacionin për shkeljet e tyre në organet kompetente.

Kjo do të pamundësonte, që në rrethana të caktuara, apo për qëllime politike të momentit, këta funksionarë të riktheheshin në funksione publike në administratë shtetërore dhe të bëheshin premisë për cenimin e interesit të qytetarëve përsëri në të ardhmen.

Ky është urdheri i ministrit të drejtësisë në qeverinë Rama. Tani pyetja është kjo: Cili ka të drejtë në këtë rast, kryeministri apo ministri?

Sejcili e ka të qartë se ministri është teknik, por bën politikë. Edhe kryeministri Rama bën lojë politike për të larguar ato që ai i quan nga “tepsia” dhe për të emëruar nga Rilindja.

SHKARKO APP