Edi Rama tek gratë e majta: Jam pak feminist, por jam socialist dhe artist
Në takimin me Forumin e Gruas Socialiste, Kryeministri Edi Rama ka folur dhe për akuzat që i bëhen nga Partia Demokratike lidhur me marrëdhëniet e tij me gratë. Rama tha se “jam feminist, por jam dhe socialist e artist”.
“Eshtë gjithmonë nder dhe privilegj i madh që të jesh burrë midis kaq shumë grave dhe kaq shumë vajzave. Ju e keni dëgjuar që edhe këtë ma përflasin shumë, ma përflasin shumë dhe ma përflasin keq shumë, po unë nuk kam çfarë të bëj. Unë jam feminist, se jam socialist. Por, duan s’duan, jam dhe artist. E të jesh socialist dhe të jesh dhe artist dhe të mos jesh i emocionuar kur ke përpara gra dhe vajza, është e pamundur. E nga ana tjetër unë nuk mund të pranoj dot asnjë leksion nga ata që kur ishin në qeveri e kishin qeverinë një çetë me burra dhe mbanin një grua të vetme për hajmali. E aq më tepër pastaj të marrësh leksion nga burra që i abuzojnë gratë për t’i bërë viktima, siç abuzuan me atë të shkretën që unë i thashë “motër”, ata thonë i tha “mostër” se duan ta përdorin viktimën për të luftuar me mua dhe me ne. Por, sa më shumë të na luftojnë, aq më shumë na forcojnë. Saliu thotë “e kam dëgjuar nga Enver Hoxha”, por Enver Hoxha e kishte dëgjuar nga populli, kështu që unë për vete nga populli e kam marrë: Qentë le të lehin, karvani do eci përpara”,- tha Rama.
Duke folur për PD-në ai tha se nuk mund të pranonte asnjë leksion nga ata që dikur kishin një qeveri me burra dhe vetëm me një grua.
Duke folur për PD-në ai solli në vëmendje dhe debatin e ditëve të fundit për incidentet në Kuvend. Rama tha se demokratët po përdorin deputeten Albina Deda për të sulmuar atë personalisht. “Unë i thashë motër dhe ata e përdorin një keqkuptim për të më sulmuar mua”,- tha Kryeministri.