Kryeministri Edi Rama jep me koncesion porte dhe toka, por pa transparencë
Parlamenti miratoi të enjten e kaluar një ligj për lidhjen e një marrëveshje mes Qeverisë Shqiptare dhe një kompanie të huaj që kërkon të zhvillojë në Shqipëri një nga investimet më të mëdha në 26 vitet e fundit.
Projekti njihet këto ditë në media me emrin Porti i Karpenit. Në dokumente figuron si projekti “Morgan”. Bëhet fjalë për 5 miliardë dollarë investim, 70 mijë vende pune, ndërtimin e një kompleks rezidencial, një impiant i rigazifikimit të gazit të lëngshëm, një termocentral dhe një akademi sporti.
Synimi është që ky Port të kthehet në një qendër rajonale. Drejtues të Ministrisë së Ekonomisë kanë bërë krahasime me portin e Roterdamit në Holandë për kapacitetin e tij përpunues! Duke parë relacionin e vendimit të Qeverisë, ky projekt është nga ata që duhen vlerësuar, jo vetëm për zhvillimin e zonës, por edhe për faktin e fut në ekonominë shqiptarë një sasi parash që arrin në gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Po a është kaq rozë situata me këtë projekt? Pas entuziazmit që krijojnë shifrat 5 miliardë dollarë dhe 70 mijë vende pune, ngrihen disa dyshime serioze.
Si fillim, çështja ka të bëjë me seriozitetin e qeverinë në negocimin e kësaj kontrate. Gjithë procedura ligjore hyri me procedurë të përshpejtuar në Kuvend. Po me procedurë të përshpejtuar u kalua dhe në seancën e datës 21 korrik, ku në kulmin e krizës politike, askush nuk kishte mendjen tek ligji që kalonte qeveria me nxitim.
Por veç kësaj, pikëpyetje serioze ngrihen dhe për kompaninë e huaj që ka shfaqur interes për investimin në zonën e Kavajës. Në vendimin e Qeverisë kompania “Star Bridge Port Developments Limited”, cilësohet si biznes me qendër në Londër. Në Kuvend, projektligji për nisjen e negociatave kaloi në emër të kësaj kompanie.
Por gjatë muajit qershor-korrik kur diskutohej ky projekt, kompania angleze rezulton se është shitur në Singapor. Ndryshimi në këtë rast është jo i vogël. Nëse në Londër kompania ka emra pronarësh dhe aktivitet të deklaruar, në Singapor si parajsë fiskale që është, kompania ka vetëm një emër dhe një adresë postare. Kjo është lëvizje tipike që kryejnë bizneset për fshehjen e burimeve të financimit, por edhe të emrave të pronarëve realë. Si përfundim, Qeveria Shqiptare po negocion ndërtimin një Porti me vlerë miliardë dollarë me një investues zyrtarisht të panjohur.
Veç kësaj, kontrata fillestare e qeverisë ka edhe një tjetër problem. Kompania “Star Bridge Port Development Ltd”, para se të shitej në Singapor kishte në buxhetin e saj në Londër vetëm 100 paund të deklaruar, aq sa duhet për të bërë aktiv një biznes në Londër, sipas ligjeve britanike. Pyetja që shtrohet në këtë rast është sesi një Qeveria i beson një projekt 5 miliardë dollarë një kompanie vetëm 10 paund.
Në fund, projekti kërkon 1700 hektarë tokë për tu realizuar. Nga llogaritë e bërë deri tani janë 220 pronarë që do tu merret toka kundrejt dëmshpërblimit. Mes tyre ka biznese, shtëpi banimi dhe ferma. Në bazë të vendimit qeverisë, prona e tyre do të dëmshpërblehet. Por këtu duket se është dhe koncesioni i qeverisë. Pronarët kanë vetëm një pjesë të tokës, pjesa më e madhe e saj është tokë shtetërore që do të jepet nga qeveria për projektin. Ideja e qeverisë është që këtë tokë shtetërore t’ja japë kompanisë në pronësi, ose shfrytëzim për 99 vjet. Por kur projekti dhe realizimi i tij është i paqartë, duket se qëllimi primar është dhënia e 1700 hektarëve tokë një kompanie të huaj.
Institucionet janë të rezervuara në dhënien e informacionit për këtë projekt, pasi sipas tyre, nuk ka ende një kontratë të nënshkruar dhe projekti është në studim dhe negocim. Por pavarësisht kësaj, një projekt i tillë ku flitet për 1700 hektarë tokë ka nevojë për më shumë transparencë.
Së pari, kush janë investitorët anonime që kanë bërë ofertën 5 miliardëshe dhe që zyrtarisht kanë vetëm një adresë postare. Formula e ndjekur me këtë projekt ngre dyshime se ideatori i këtij plani është dikush afër Qeverisë, përderisa gjithçka u vu në lëvizje në mënyrë urgjente.