Kryeministri Edi Rama: Majlinda Bregu nuk do të jetë në planet e qeverisë

Edi Rama nga bregdeti i Velipojës, pas një mëngjezi me djathë dhe vezë, si dhe nisur nga ajri i pastër verior, deklaroi më në fund se Majlinda Bregu nuk është në planet e tij kryeministrore dhe as të PS për ta patur si kryenegociatore me BE.

Të shumtë kanë qenë zërat se Majlinda Bregu mund të mbajë postin e kryenegociatores së Shqipërisë për BE-në, por kësaj here kryeministri Edi Rama i ka vënë kapakun diskutimit.

Sipas kryeministrit, ai asnjëherë nuk e ka diferencuar apo “përkëdhelur” Majlinda Bregun. Rama thekson se ka një përpjekje të sponsorizuar për ta bërë realitet këtë histori, e cila nuk ekziston. Kryeministri e shpjegon thjeshtë këtë çështje.

“Unë nuk shoh asnjë diferencim. Është e gjithë një histori mediatike kjo. Komisioni i Integrimit ka qenë i opozitës, dhe do të jetë i opozitës. Përsëri opozita do të ketë të drejtë të zgjedhë kryetarin.

Natyrisht që lidhet me sponsorizimin që i bëhet një përpjekje për të goditur njerëzit që kanë patur qëndrime të ndryshme brenda PD-së. Kam parë goditje të çuditshme kundër Astrit Patozit, që sdo të thotë në këtë rast se unë po përkëdhel Astritin. Është e gjitha një flluskë për të shpikur historira.

Po e përsërish, ne në çështjen e integrimt duhet të kemi përfaqësues të opozitës dhe të bashkëpunojnë. Nuk e kemi zgjedhur ne Majlinda Bregun për përfaqësuese dhe as ka patur asnjë rast apo ndonjë plan imagjinar, ndonjë ide për të pasur majlindsa bregun në qeveri.

Ndërsa përsa i përket kryenegociatores për në BE, është një çështje që do ta trajtojmë. Sigurisht që do të ishte mirë që edhe në këtë rast, personin do duhet ta zgjidhnim së bashku dhe në bashkëpunim me opozitën.”-tha Rama.

Realisht Majlinda Bregu ka një staturë të lartë integriteti politik dhe profesional, por që ajo ka qenë në planet e kryeministrit kjo as që diskutohet. Me sa duket miqësia akoma në potencë mes Ramës dhe Bashës, si dhe interesi politik i kryeministrit për kreun e PD-së, e ka djegur Majlinda Bregun. Ajo e kishte emrin të shënuar me laps në listën e emrave të Edi Ramës, por fundgushti e ka djegur, bashkë me zjarret që shpërthyen në mbarë vendin.

Majlinda Bregu është akoma aty, duke punuar me pasionin e saj për integrimin e Shqipërisë në BE, por në mënyrë tjetër: me heshtjen e bukur të saj.

 

SHKARKO APP