Kryeministri Edi Rama: Qytetarët të refuzojnë kërkesat për certifikata letër

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat, ka njoftuar nismën e fundit të qeverisë për të zhvilluar ekonominë. Kryeministri u shpreh se janë marrë një sërë mashash për të lehtësuar procedurat burokratike. “E përsëris edhe një herë se qytetarët duhet të refuzojnë të marrin certifikatat. Ato të merren online. Po ashtu edhe vërtetimet e pensioneve, pronësisë, mjetit etj, janë dokumente që deri dje u nxinin jetën qytetarëve dhe sot duhet të merren vetëm online”,- tha Edi Rama.

Kreu i qeverisë, në komunikimin me gazetarët, nuk pranoi të fliste për asnjë temë tjetër veç certifikatave. Protestën e PD në Kuvend dhe debatet me Gramoz Ruçit dhe Lulzim Bashës, Rama i cilësoi gjëra pa rëndësi. Ai tha nuk merrej me “dokrra hini” që nuk kanë asnjë vlerë.

Kryeministri shtoi se më e rëndësishme është që qytetarët të marrin shërbime në kohë rekord dhe pa burokraci.

Ai u bëri thirrje që të refuzojnë çdo zyrë dhe çdo nëpunës që u kërkon dokumente të tilla. Ai tha se aty ku u kërkohen këto dokumente, u takon zyrave përkatëse që t’i marrin online.

VIDEO/Konferenca e Kryeministrit Edi Rama

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155199106301523/

Kreu i qeverisë solli shifra të dokumenteve që merren në letër edhe nga bizneset. Ai tha se vetëm vërtetime për biznesin jepen me qindra mijë në vit. Kreu i qeverisë tha se të gjitha këto janë shpenzime financiare dhe kohë e humbur në dëm të biznesit. Kreu i qeverisë tha se tashmë nuk ka më radhë dhe miq për këto dokumente.

Kryeministri ka bërë me dije se ministri i Financave Arben Ahmetaj ka urdhëruar tashmë të gjitha institucionet në vartësi të tij që të mos kërkojnë më një sërë dokumentesh.

“Certifikatën e regjistrimit në QKB, ekstraktin e kompanisë, vërtetimin për pagimin e kontributeve nga subjekti, vërtetimin për pagim detyrimesh, vërtetim xhiroje, dëshmi penaliteti dhe të gjitha dokumentet që gjenerohen nga Gjendja Civile”, ka thënë Rama.

“Janë pritur 56 vjet për të bërë ndryshime të tilla. Nuk ka më radhë për bizneset dhe kompanitë. E përsëris, qytetarët dhe kompanitë duhet të refuzojnë më që të marrin dokumente të tilla, pasi ato janë online dhe është detyrë e institucionit ky kryejnë veprimet që t’i sigurojnë”,- tha Kryeministri Edi Rama.

SHKARKO APP