Kryeministri Edi Rama shkarkon zv/ministrin e Brendshëm të LSI

Vetëm dy orë pas publikimit të një mesazhi telefonik, ku zëvendësministri i Brendshëm, Ilir Marko i përgjigjej Saimir Tahirit për një akuzë personale, Kryeministri Edi Rama ka vendosur shkarkimin e Zv/Ministrit.

Në motivacionin e shkarkimit të firmosur nga Kryeministri, thuhet: “Për shkelje të papranueshme të etikës zyrtare, në papajtueshmëri të plotë me detyrën e lartë që kryen dhe në shkelje të normave më elementare të komunikimit publik, urdhëroj shkarkimin nga posti i zv.ministrit të punëve të brendshme z.Ilir Marko”.

Më herët, u publikua një mesazh i Markos ku i kujtonte Saimir Tahirit se nuk ishte ai që e përgjoi, por institucionet ndërkombëtare për trafikun e drogës. Gjithashtu, Mako i kujtonte Tahirit se të njëjta institucione i dërguan Edi Ramës ultimatum për shkarkimin e Ministrit të Brendshëm.

Vendimi i Edi Ramës ka një sërë problemet ligjore dhe morale.

Ka probleme ligjore, sepse Ilir Marko është zv/ministër dhe ka komunikuar në një bisedë private me Saimir Tahirin. Tahiri është thjeshtë një ish-ministër nga qindra ish-ministra që ka Shqipëria. Etika qeveritare vlen për komunikimin në kabinetin qeveritar dhe jo për komunikimin privat. Ky motiv ligjor mund të ishte i vlefshëm nëse Tahiri do të ishte në detyrë. Por dihet që Tahiri është i shkarkuar nga detyra. Të paktën zyrtarisht figuron i tillë.

Problemi i dytë ligjor është se ku bazohet Edi Rama kur thotë se Ilir Marko ka shkelur etikën e komunikimit? Edi Rama thotë se nuk i lexon mediat, por si ka mundësi që bazohet për shkarkimin e një zyrtar të lartë nga mediat. Po sikur Ilir Marko të mos ketë nisur asnjë mesazh në adresë të Saimir Tahirit? Por të jetë lojë mediatike?! Cila etikë komunikimi është shkelur në këtë rast?

Problemi tjetër është dhe më i rëndë. Një zëvendësministër shkarkohet me mbledhje qeverie dhe vendim të posaçëm qeverie duke mbledhur firmat e ministrave. Sot nuk ka pasur asnjë mbledhje qeverie nga kryeministri Edi Rama. Të pyetur nga “Koha Jone” disa ministra të PS, PD dhe LSI thonë se nuk ka patur asnjë mbledhje qeveri dhe as nuk kanë firmosur ndonjë vendim qarkullues qeveritar. Si ka mundësi që shkarkohet nga detyra një zyrtar i lartë duke bërë një shkelje flagrante ligjore, që nuk e bën asnjë jurist fillestar. Një Kryeministër nuk mund të shkarkojë zëvendësministrin pa vendim qeverie. Një tagër të tillë nuk ja njohin as ligjet dhe as Kushtetuta.  Ylli Manjani, ish-ministër i drejtësisë thotë se me këtë vendim, Edi Rama ka konsumuar një vepër penale. Sipas tij, zëvendësministri shkarkohet nga Këshilli i Ministrave dhe jo nga Kryeministri.

I vetmi argument që Edi Rama nuk e thotë në motivacionin e shkarkimit është fakti se Ilir Marko është një propozim i LSI-së në këtë detyrë. Ajo që ka ndodhur sot më vendimin e Kryeministri është një hakmarrje e pastër politike ndaj LSI-së. Eshtë realisht një humbje kontrolli e kryeministrit Rama, pasi ai ka këshilltar ligjor që mund t’ia thonin se nuk ka fuqi kushtetuese për ta shkarkuar, ka edhe një sekretar të përgjithshëm në Kryeministri, avokat shumë i njohur Engjëll Agaçi i cili duhej ti tregonte se nuk mund ta shkarkoj dot pa mbledhur qeverinë ose duhej vendim qarkullues. Vendim qarkullues quhet kur nuk mblidhet qeveria, por vendimi i shkarkimit firmoset nga çdo ministër.

Kjo nuk ka ndodhur.

Ka edhe një shpjegim që pse kryeministri e ka shkarkuar. Flitet se ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri e ka kërcënuar kryeministrin që nëse nuk e shkarkon zv/ministrin e LSI, atëhere ai do fliste se si është ideuar mbjellja e kanabisit në gjithë Shqipërinë, se do tregonte emra konkretë të botës se krimit që kanë fije me botën e politikës, etj.

Nëse mbetet ky variant shkarkimi i detyruar nga ish-ministri, punët nuk janë aspak mirë në shtet.

LEXONI EDHE:

Zbardhet mesazhi/S.Tahiri u shkarkua nga presioni i ndërkombëtarëve

Këshilltari i deputetëve të LSI: Ramës i prekën sejmenin e arave me hashash

Ylli Manjani: Rama konsumoi një krye-vepër penale

 Kryemadhi i përgjigjet Saimir Tahirit: Mos pi mall, bëj palestër

LSI: Saimir Tahiri po ble vota në Bashkinë e Vorës

SHKARKO APP