Kryeministri Edi Rama: Ti Vangjel Dule nuk je i denjë për minoritetin!
(Foto arkiv: Edi Rama dhe Vangjel Dule)
Ligji i për minoritet ka shkaktuar debate në Kuvend. Edhe pse ligji i njeh 9 minoritete në Shqipëri duke rritur ndjeshëm numrin e tyre dhe të drejtat, sërish kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka shprehur rezerva për draftin.
Në Kuvend, Dule ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për përmbajtjen e ligjit. Sipas kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila përfaqëson veçanërisht minoritetin grek, ligji i ri ka shkelur konventat ndërkombëtare. Vangjel Dule tha se ligji ka marrë për bazë vetëm praktikat e vendeve të rajonit dhe jo modelet ndërkombëtare.
Por Kryeministri Edi Rama ka replikuar duke deklaruar se ligji është hartuar në bazë të praktikave më të mira të institucioneve ndërkombëtare.
Ky i fundit, në reagimin e tij e ka cilësuar si tendencioze deklaratën e kreut të PBDNJ-së dhe duke iu drejtuar atij ka thënë se, nuk është përfaqësues i denjë i një minoriteti. “Ti je i qëllimshëm kur vë në gojë gjëra që unë s’i kam thënë kurrë. Ti je një minoritar dhe jo minoritet dhe je një përfaqësues gjithnjë e më pak i denjë për atë minoritet, të cilit ne i kemi dhënë dhe i japim respekt me ligjin që do të kalojmë sot”, ka thënë Rama.
Duke iu përgjigjur deklaratës së Dules, Rama është shprehur se, “Europa nuk është as kishë, as xhami, Vangjel. Europa është një kontinent ku ne jemi pjesë. Fakti që s’jemi në BE nuk do të thotë se nuk jemi europianë. Ligji është krenari për këtë Parlament dhe një arsye që të tjerët rreth nesh të mësojnë nga ne si respektohen minoritetet”, ka thënë Rama.
Debati mes Vangjel Dules dhe Edi Ramës pasqyron indirekt dhe tensionet mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Athinës. Çështja e minitoritetit grek ka qenë në qendër të replikave mes dy vendeve. Ministria e Jashtme greke ka lënë të kuptohet se mos respektimi i të drejtave të minoritetit mund të sjellë dhe bllokimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Vangjel Dule jo pak herë ka kërcënuar Edi Ramën për sanksione nga vendet e BE për shkak të respektimit të minoritetit. Ndaj dhe deklarata e Edi Ramës sot kundër Dules i referohet pikërisht këtyre tensioneve.