Kryeministri izraelit: Rama qëndron mbi të tjerët! Jemi gati t’ju ndihmojmë me çdo gjë
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shprehur vlerësime të veçanta për kryeministrin shqiptar Edi Rama, gjatë një fjalimi të mbajtur sot në Knesset, ku Rama ishte i ftuar zyrtarisht.
“Ti qëndron mbi të tjerët – dhe nuk e kam thjesht në kuptimin fizik, por në kuptimin moral”, u shpreh Netanyahu, duke marrë duartrokitje nga të gjitha krahët e sallës.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes Shqipëria dhe Izraeli janë në nivelin më të mirë historik, si në plan qeveritar ashtu edhe në atë personal.
“Ju keni treguar qartësi dhe kurajo, dhe për këtë ju përshëndesim të gjithë këtu pa përjashtim. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë më të mira se kurrë. Kur shoh dy kokat e shqiponjës që shohin në dy drejtime – nga e shkuara dhe nga e ardhmja – shoh edhe një simbol të bashkëpunimit tonë që po bëhet gjithnjë e më i fortë”, tha Netanyahu.
Duke vlerësuar progresin e vendit tonë, ai shtoi: “Shqipëria po hap krahët si shqiponja në flamurin tuaj.”
Kryeministri izraelit ndaloi veçanërisht tek empatia e kryeministrit Rama, duke e cilësuar atë si një cilësi të rrallë që e ka hasur vetëm tek liderë të veçantë.
“Kam vizituar shumë vende dhe jam takuar me shumë liderë. Zakonisht ata shohin së pari interesin e vendit të tyre. Por këtu ka diçka më të thellë. Është empatia. Ndihet në ajër. Është një ndjenjë që rrjedh nga zemra dhe reflekton vetë vendin tuaj. Shqipëria e kupton Izraelin dhe Izraeli e kupton Shqipërinë”, u shpreh Netanyahu.
Në fjalën e tij, Netanyahu foli edhe për situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se faza e radhës është çarmatosja e Hamas.
“Faza tjetër është shpërbërja e Hamasit, çarmatosja e tij dhe çarmatosja e Gazës. Ne duam ta përshpejtojmë këtë fazë dhe të mos e vonojmë. Sa më shumë të zgjasë kjo situatë, aq më e vështirë bëhet përfundimi i misionit”, tha ai.
Netanyahu vlerësoi gjithashtu rolin historik të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar mbrojtjen që shqiptarët u ofruan hebrenjve.
“Shqipëria është ishulli i paqes në oqeanin e së keqes”, theksoi ai.
Në fund, kreu i qeverisë izraelite shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë në fusha kyçe si siguria, lufta kundër terrorizmit, teknologjia, reformat tregtare dhe turizmi.
“Jemi gati t’ju ndihmojmë me çdo gjë. Izraelitët e dinë çfarë zgjedhin dhe e kanë njohur Shqipërinë si një destinacion turistik të shkëlqyer. Kemi një rritje gati 1 mijë për qind të turistëve izraelitë që vizitojnë vendin tuaj, edhe falë shijes suaj estetike – po e bëni Shqipërinë më të bukur”, përfundoi Netanyahu.
KOHA JONË SONDAZH

