Kryeministri lëshon vetëm dy javë për zgjedhjet. Takim ‘kokë më kokë’ me Bashën
Nuk kanë mjaftuar 2 orë takim mes gjithë krerëve të partive parlamentare. Në mbyllje të këtij takimi, Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një takim ‘kokë më kokë’ me kreun e PD-së, Lulzim Basha, i cili po vazhdon.
Krerët e partive politike parlamentare u takuan në orën 21:00 në Kryesinë e Kuvendit. Ftesës së Partisë Republikane dhe asaj Agrare Ambientaliste për një takim në Kryesinë e Kuvendit i janë përgjigjur; Kryeministri dhe kreu i PS i Edi Rama, kreu i PD Lulzim Basha, kreu i LSI, Petrit Vasili, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, kreu i LZHK, Dashamir Shehu, kreu i PDK, Nard Ndoka dhe deputetja e Partisë Libra, Mimoza Hafizi.
Burime të “KOHA JONË” nga takimi me dyer të mbyllura mes partive parlamentare tregojnë se pati debate mes Ramës dhe Bashës për datën e zgjedhjeve. Mësohet se Rama ka pranuar si nëpër dhëmbë që të shtyjë vetëm dy javë zgjedhjet.
Nga ana tjetër PD kërkon më çdo kusht zbatimin e paktës “Mcallister”, zbatimi i së cilës, sipas demokratëve, kërkon më tepër kohë sesa jep Kryeministri.
Të njëjtin qëndrim kreu i qeverisë po mban edhe me disa pika të rëndësishme të paketës “McAllister plus”. Rama nuk pranon futjen në qeveri të 4 ministrave të propozuar nga opozita duke lëshuar vetëm 2 ministra pa portofol.
Një tjetër detaj jo pak i rëndësishëm që mësohet nga kjo tryezë është se Rama është lënë vetëm edhe nga aleatët e tij në qeveri, LSI dhe PDIU. Përfaqësuesit e këtyre dy partive, Petrit Vasili dhe Shpëtim Idrizi janë shprehur se mbështesin pa asnjë rezervë paketën “McAllister plus”.
Ndërkohë, kryeministri Rama ka kërkuar një tjetër takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Një takim kokë më kokë dhe pa praninë e aleatëve.
Takim ‘kokë më kokë’ Rama-Basha
Kryeministri Rama ka kërkuar një tjetër takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Këtë propozim, Rama e ka bërë në sy të të gjithë të pranishmëve që janë në takim. Një takim kokë më kokë dhe pa praninë e aleatëve. Takimi po zhvillohet këto momente në Kryesinë e Kuvendit.
Mediu: Të gjitha partitë janë për shtyrje të zgjedhjeve, përveç Ramës
Pas përfundimit të takimit të partive kreu i PR-së, Fatmir Mediu deklaroi se të gjitha partitë janë të gatshme për miratimin e paktës “McAllister”, përveç Edi Ramës.
“Opozita është e gatshme ta miratojë paketën McAllister që nesër. Që nesër të mblidhet parlamenti. Ky është qëndrimi i opozitës. Kemi parë përkrahje nga gjithë partitë e tjera, përveç Edi Ramës. Rama ishte për lëvizje të datës së zgjedhjeve brenda qershorit. Ne nuk po dalim jashtë paketës, kjo paketë miratohet nga opozita pa asnjë lloj hezitimi”,- tha Mediu.