Rama nis Visho Ajazin ambasador, Meta merr Bahri Shaqirin, këshilltar
Visho Ajazi u dorëzua në oborrin e Kryeministrit. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama e propozoi si ambasador në NATO ish-kreun e SHISH, Visho Ajazi, Presidenti Ilir Meta ka marrë si këshilltar për sigurinë një tjetër ish-kryetar të Shërbimit Informativ Shtetëror. Eshtë fjala për Bahri Shaqirin.
Pazari i kryeministrit Rama me ish-kreun e SHISH Visho Ajazi ka lenë shumë pikëpyetje. Visho Ajazi është bashkëpunëtor i ish-kreut të shërbimit sekret Bashkim Gazidede në vitet 1992-1997 dhe mik personal i ish-kryeministrit Berisha.
Kjo ka krijuar dyshime të forta publike si dhe akoma nuk ka dalë në skenë pazari Ajazi-Rama. Mbetet të shikojmë se çfarë dosjesh sekrete ka fshirë apo ka dorëzuar te kryeministri kundër rivalëve të tij. Ndërkohë Presidenti Meta ka marrë këshilltar një tjetër ish-kryetar të SHISH, Bahri Shaqirin. Ai ka qenë kreu i SHISH nga 2005 deri në 2012 si dhe më pas zëvendës minsitër i Transporteve. Specialistët e fushës tregojnë se Shaqiri mbetet një minierë e madhe “floriri” për sekretet.
Kush është Bahri Shaqiri
Para emërimit të tij si Këshilltar i Presidentit, Shaqiri ka mbajtur postin e Zëvendësministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës, prej muajit Shkurt 2016. Shaqiri ka shërbyer pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në postin e Këshilltarit të Ministrit të Mbrojtjes, në periudhën 2014 – 2015.
Shaqiri ka mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) për një periudhë rreth tetë vjeçare, prej vitit 2005 deri në vitin 2012. Karrierën e tij në SHISH e ka nisur në vitin 2002, si Shef i Kabinetit të Drejtorit të SHISH, dhe njëherazi Përgjegjës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Shaqiri ka qenë anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nga 2005 deri në vitin 2012, si dhe anëtar i Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurisë Kombëtare, nga viti 2005 deri në vitin 2012.
Përgjatë viteve, Shaqiri ka kryer trajnime në fushën e sigurisë kombëtare dhe të menaxhimit. Më herët, Shaqiri ka qenë i angazhuar në sektorin privat për tetë vjet, si jurist dhe këshilltar ligjor, prej vitit 1994 deri në vitin 2002. Shaqiri e nisi karrierën e tij, pas diplomimit, si jurist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Financiare, ku shërbeu prej vitit 1992 deri në vitin 1994.
Shaqiri ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit Juridik, Universiteti i Tiranës, prej nga është diplomuar me titullin Jurist në vitin 1992. Në vitin 2006 përfundoi studimet pasuniversitare për ‘Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci’ pranë Akademisë Diplomatike Shqiptare. Më tej, në vitin 2010, mori titullin Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Shqiptar.
Në vitin 2005 i është akorduar titulli ‘Avokat’ nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë. Ndërsa në vitin 2009 është certifikuar auditues i brendshëm në sektorin publik nga Ministria e Financave.
Visho Ajazi pret firmën e dekretit apo mos dekretimin e Presidentit të Republikës, ndërkohë Bahri Shaqiri, i cili njeh mirë me dhëmbë e dhëmballë Visho Ajazin, vazhdon punën si këshilltar, si një nga profesionistët më të mirë shqiptar të fushës së sekreteve.
Njeri bleu heshtjen e njërit ish-kryetar të SHISH, kurse tjetri mori mendjen për ti shërbyer shtetit.
(marrë nga www.folshqip.al)
http://folshqip.al/rama-nis-visho-ajazin-ambasador-meta-merr-bahri-shaqirin-keshilltar/