Kryeministri nisi zv/ministrin për bisedime sekrete me Rusinë. Rama vizitë te Putini?
Ambasada e Rusisë në Tiranë zbardh takimin sekret të delegacionit të qeverisë shqiptare me qeverinë e Kremlinit në Rusi, ndërkohë që kryeministria e mbajti të fshehtë për publikun.
Përflitet në qarqet e fshehta diplomatike se kryeministri Rama po përgatit një vizitë në Moskë gjatë kësaj vere dhe ku do të pritet, sipas burimeve, nga Presidenti rus, Putin. Kjo do të jetë një lëvizje e beftë politike fill pas qershorit ku mendohet se BE nuk do t’i hapë negociatat me Shqipërinë për shkak të keqqeverisjes shqiptare dhe krizës politike në Tiranë.
Në kulmin e një fushatë të drejtuar nga qeveria që synon të demaskojë PD-në si të financuar nga Rusia, kryeministri Edi Rama ka dërguar këto ditë një delegacion qeveritar për bisedime në Moskë. Lajmi i vizitës së delegacionit shqiptar, çuditërisht nuk është publikuar nga qeveria shqiptare. Në faqen e ministrave dhe gjithë axhendat e Këshillit të Ministrave, një takim i tillë i përfaqësuesve të Edi Ramës është mbajtur sekret. Nëse ishte takim protokollar pse u mbajt i fshehur për median dhe publikun kjo vizitë? Ndërkohë njoftimi për takimin, që është bërë në Moskë (Rusi), është publikuar nga Ambasada Ruse në Tiranë. Nga pala ruse të dërguarit e Edi Ramës janë pritur në nivelin më të lartë, për detyrën që përfaqësojnë, ministri i Zhvillimit Dixhital, Komunikimit dhe Medias të Rusisë, Konstantin Noskov. Ndërsa pala shqiptare është përfaqësuar në këtë takim nga numri dy i Ministrisë së Financave, zëvendësministri Elton Haxhi, i cili është dhe bashkëkryetar i Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor. Kaq i lartë është interesimi rus për qeverinë shqiptare sa një ministër i një supërfuqie prêt në takim një zv/ministër të Shqipërisë.
Foto: Nga takimi i zv/ministrit shqiptar me ministrin rus në Moskë
“Palët diskutuan për një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë perspektivat e bashkëpunimit në fushat e turizmit, tregtisë, bujqësisë, energjisë, teknologjive të informacionit dhe komunikacionit, arsimit etj. U ra dakord për të vijuar punën për përmirësimin e kuadrit ligjor bilateral me qëllim që në kuadër të sesionit të radhës të Komisionit Ndërqeveritar në Tiranë të mundësohet nënshkrimi i një numri dokumentesh bilaterale”,– thuhet në njoftimin e Ambasadës Ruse në Tiranë për takimin.
Sigurisht një takim i tillë nuk duhet anatemuar. Përkundrazi, mes dy vendeve ka hapësira bashkëpunimi ekonomik që mund të shfrytëzohen, siç bëjnë dhe vende të tjera të NATO-s, duke respektuar dhe qëndrimet e secilës palë për politikën e jashtme. Ekonomia nuk ka kushte, rëndësi ka interesi reciprok mes vendeve. Por në këtë takim, ajo që bie në sy është fakti se deri pak ditë më parë, Edi Rama dhe gjithë ministrat e tij në fjalime dhe studio televizive e kanë paraqitur Rusinë si rrezik për Shqipërinë. PS ka kërkuar nga Prokuroria hetim të shpejtë lidhur me financimet e Partisë Demokratike, për shkak se sipas shkrimeve në mediat e huaja, pagesat dyshohet se janë bërë nga shtetas rusë. Kaq ka mjaftuar dhe nga PS janë bërë më shumë se 30 deklarata për mediat ku aludohet se Partia Demokratike financohet nga qeveria ruse. Akuzat kanë shkuar edhe më tej pas muajt shkurt. Djegia e mandateve të opozitës, protestat dhe kërkesat e opozitës nga pjesa më e madhe e qeverisë dhe Edi Rama janë cilësuar si pjesë e një skenari rus për të destabilizuar Shqipërinë.
Foto: Zv/ministri shqiptar në Moskë.
Edhe pse nuk ka asnjë provë që e mbështet këtë akuzë, PS-ja ka arritur që një varant të tillë me “aktorë të tretë” dhe “forca malinje” kundër integrimit të Shqipërisë, ta paraqesë edhe në tryeza serioze të BE-së dhe NATO-s. Për shkak se rreziku rus në rajon kapet më shpejt si shqetësim nga partnerët ndërkombëtarë, qeveria “Rama”, i ka mëshuar aq fort kësaj teze sa në rrëmujën politike që është krijuar po harrohen problemet reale që kanë ngritur në këmbë opozitën: zgjedhjet, krimi, korrupsioni dhe vjedhjet qeveritare. Loja dinake e qeverisë me akuzat ndaj opozitës si pro ruse etj. mbetet një lojë për të krijuar një perceptim populist antiopozitë, ndërkohë që kryeministri gorgon “fshehurazi” në Moskë zv/ministrin e tij.
Teksa Edi Rama tregon me gisht Lulzim Bashën dhe opozitën si të paguar dhe me axhendë proruse, vetë ka dërguar delegacionin e tij pikërisht në Moskë. Takimi ka ndodhur në të njëjtën javë kur Shqipëria festonte 10-vjetorin e hyrjes në NATO. Ndërsa në 30 mars në paradën ushtarake, Edi Rama fliste për t’u mbrojtur nga “doktrina agresive e faktorëve të tretë (Rusia) që shpërfillin ligjet ndërkombëtare, siç është rasti i Krimesë”, në të njëjtën ditë delegacioni i tij takohej në Moskë me një nga ministrat e afërt të Vladimir Putin.
Takimi vjen dhe pak javë para së Bashkimi Europin të marrë vendimin për çështjen e negociatave. Veç takimit që u mbaj sekret nga pala shqiptare, po ashtu qeveria nuk ka dhënë asnjë detaj për çfarë është diskutuar. Ambasada Ruse flet për dokumente bilaterale dhe projekte, për të cilat qeveria “Rama” deri më sot nuk ka dhënë asnjë detaj se deri në çfarë pike shkon bashkëpunimi. E përsërisim marrëdhëniet në fushën ekonomike dhe kulturës duhen fuqizuar, por pse qeveria e mbajti të fshehur takimin e nivelit të lartë? Ministri që ka pritur delegacionin shqiptar bën pjesë në emrat e rëndësishëm të politikës së Moskës. Konstantin Noskov e ka nisur karrierën e lartë politike, si Drejtor i Komunikimit dhe Informacionit në kabinetit e Vladimir Putin në vitin 2008. Fakti që janë pritur në Moskë nga një zyrtar i lartë, në nivelin protokollar, do të thotë se pala ruse i ka kushtuar rëndësi të madhe këtij takimi. Dhe nuk ka bërë keq.
Përflitet në qarqet e fshehta diplomatike se kryeministri Rama po përgatit një vizitë në Moskë gjatë kësaj vere dhe ku do të pritet, sipas burimeve, nga Presidenti rus, Putin.
Kjo do të jetë një lëvizje e beftë politike fill pas qershorit ku mendohet se BE nuk do t’i hapë negociatat me Shqipërinë për shkak të qeverisjes shqiptare dhe krizës politike./Q.Xhani/
Foto: Nga takimet e zv/ministrit shqiptar në Rusi