Kryeministri Rama: Berishën nuk e fyeva. I thashë vetëm, mos ke rrjedhur gjë…
Çështja e fjalorit të përdorur nga kryeministri Edi Rama ndaj Sali Berishës ka bllokuar sot punimet e Kuvendit. Deputetë të PD kërkuan përjashtimin e Kryeministrit nga seancat, pasi sipas tyre ka fyer ish-kryeministrin. Në media, deputetët e PD thanë jashtë mikrofonit, se Rama i është drejtuar Berishës me shprehjen “O doktor, e dhje*e fare”.
Për këtë temë dhe përjashtimin e deputetit Flamur Noka do të mblidhet sot Byroja e Kuvendit, por deputetët e PS thanë se nuk do ta marrin fare në konsideratë kërkesën për kreun e qeverisë.
Ndërkohë Kryeministri është detyruar të japë sqarime para mediave lidhur me atë që ka thënë ndaj ish-kryeministrit. Për 10 minuta kreu i qeverisë ka folur për incidentin mes tij dhe Berishës dhe bojkotin e Kuvendit nga PD.
I pyetur me insistim nga gazetarët, Edi Rama indirekt e ka pranuar se ka sharë Berishën, por jo me fjalët që ka publikuar mediat. Ai u shpreh se ka thënë diçka nëpër dhëmbë, por që nuk mund të cilësohet si fyerje. Rama shtoi se ai nuk e ka zakon të përdorë fyerje.
Por pasi deklaroi se fyerjet nuk ishin në etikën e tij, kryeministri shtoi se “nën dhëmbë” mund t’i ketë shpëtuar ndonjë shprehje e tipit, “mos ke rrjedhur gjë…”.
“Nuk e kam fyer Berishën, por nëse në një moment të caktuar më ka dalë ndonjë shprehje nëpër dhëmbë, kjo nuk është arsye për të bllokuar Kuvendin. Edhe ju (gazetarët) keni momente kur i thoni dikujt, “Ore mos ke rrjedhur gjë”…”,- tha Kryeministri.
Duke e cilësuar si normale mes shqiptarësh këtë shprehje, Kryeministri ftoi mediat të mos merren me detaje të parëndësishme, por të ndalen në faktin që PD po bllokon Kuvendin.
Sot seanca u ndërpre, pasi deputeti Flamur Noka, i cili u përjashtua nga punimet e Kuvendit, nuk pranoi të dilte nga salla. Për të mos përdorur Gardën e Republikës, Gramoz Ruçi shtyu seancën ditën e nesërme.
Por përjashtimi i Flamur Nokës u bë pas fyerjes së Edi Ramës ndaj Berishës. Noka kërkoi të merrte fjalën, por nuk u lejua nga drejtuesi i seancës. Kjo gjë solli dhe përjashtimi e tij.
Një shprehje e thënë “nëpër dhëmbë” ka shkaktuar sot gjithë tensionet në Kuvend. Ndërkohë ka bllokuar dhe miratimin e ligjeve dhe gjithë proceset e tjera.
PRONONCIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA PËR MEDIAT
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155219512041523/
Rama, Berishës: O doktor, e dhje*e! PD-LSI-PR: Të përjashtohet deputeti Rama