Rama dhe ish-ministri Tahiri takohen për emrin e Kryprokurorit të Republikës
Debat i madh ka plasur për emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, pasi sipas PS-së, mandati i Adriatik Llallës mbaron me 4 dhjetor. Ndërkohë vetë Llalla ka thënë se me ndryshimet e reja në Kushtetutë mandati i tij zgjatet edhe dy vite. Mazhoranca dhe vetë kryeministri po nxitojnë ta mbyllin këtë emërim sa më shpejt, pasi po vjen Vettingu dhe arrestimet nga SPAK. Duan që prokurorin e përgjithshëm ta kenë nga radhët e tyre.
Ndaj që në orët e para të mëngjesit kryeministri Edi Rama ka nisur një takim me deputetët e PS, që janë pjesë e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Burime brenda komisionit të përbërë vetëm nga deputetë të PS thonë nën zë se në fokus të këtij takimi është diskutimi për shkarkimin e kreut të KQZ dhe zgjedhja e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.
Në këtë takim marrin pjesë Ulsi Manja, i cili është edhe kryetar i komisionit, Klotilda Bushka, Vasilika Hysi, Bashkim Fino, Bledar Çuçi, Edmond Leka, Alket Hyseni, Jurgis Çyrbja dhe Saimir Tahiri, deputeti i PS-së i përjashtuar nga socialistët. Tahiri ndodhet në takim me kryeministrin, duke dhënë votën për emrin e kryeprokurorit të ri, të cilin po e cakton vetëm PS.
Zgjedhja e prokurorit të ri do të sjellë përplasje të forta mazhorancë-opozitë në ditët në vijim, pasi kryeministri, tregojnë burimet nga opozita, po punon të kap krejt reformën në drejtësi. Gjithashtu edhe kryetari i KQZ Klement Zguri do të shkarkohet me votat e PS dhe do të zgjidhet një tjetër me votat e mazhorancës.
Nuk duken ditë të mira për politikën shqiptare, pasi nga një anë u premtua nga ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE Vlahutin se nuk do të lejojnë që drejtësia të kapet nga asnjë krah politik, por ndërkohë kryeministri Rama po ecën triumfator në kapjen e gjithçkaje.
Mori 74 mandate deputetësh, po merr drejtësinë, median e ka kapur, biznesin po, bankat i ka nën kontroll. Akuzohet se ka edhe lidhjet me bandat e drogës dhe krimit.
Atëhere çfarë mbetet në Shqipëri si garanci se sistemi demokratik nuk po shkon në oligarki?