Kryeministri Edi Rama: Do t’i japim edhe një mundësi opozitës për konsensus

Kryeministri Edi Rama në konferencë për mediat tha se mazhoranca do t’i japë edhe një mundësi opozitës për miratimin e reformës në drejtësi.

Dalja e Ramës vjen pas takimeve që pati në Kryeministri, fillimisht me kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe pastaj me Ambasadorët e SHBA dhe BE.

 “2/3 që deri dje çfarë kërkonin nuk u bën më punë por duan vendet e rezervuara. Ne i kemi ofruar 2/ 3 si kufi ekstrem kompromisi të bindur. Ne nuk na intereson kapja, por shembja e sistemit aktual dhe ngritja e një sistemi ku partitë të mos kenë asnjë shteg për të kapur pushtetin”,- tha Rama.

Në fjalën e tij, Rama është shprehur se mundësitë për një zgjidhje konsensuale ekzistojnë, por, sipas tij, opozita duhet të ketë një qasje më fleksibël.  “PD i ka braktisur pozicionet e mëparshme për reformën në drejtësi. Sipas tyre, opozita duhet të mbrojë sistemin nga kapja. Ne i kemi ofruar opozitës dy të tretat. Nuk ka perëndi që të kapë drejtësinë me një formulë të tillë, ku opozita ka pjesën e saj”, ka deklaruar Rama.

Nesër mblidhet komisioni, drafti votohet nen për nen, ende pikëpyetje për vendet e rezervuara.

Pjesë nga fjala e Kryeministrit Edi Rama:

“Unë dua sot të përsëris edhe njëherë qëndrimin për ecurinë e mëtejshme të Reformës në Drejtësi. E kam thënë në fjalën time pas takimit të mazhorancës me Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike, e kam rithënë në fjalën time në Kuvendin e Shqipërisë, në seancën e shkuar dhe e nënvizoj edhe sot.

Lajmi i mirë është që Partia Demokratike i ka braktisur të gjitha pozicionet e veta të mëparshme dhe ka ardhur në vetëm një pikë, siç thotë vetë Lulzim Basha apo zëdhënësit e tij, dy të tretat (2/3) që deri dje ishin ajo çfarë kërkonin, nuk u bëjnë më punë dhe duan vende të rezervuara. Sepse, sipas tyre, opozita duhet të mbrojë sistemin nga kapja. Ne i kemi ofruar dy të tretat (2/3) si një kufi ekstrem kompromisi, të bindur – dhe kjo nuk do shumë mend – se s’ka perëndi që e kap sistemin me një shumicë të tillë, ku dhe opozita ka pjesën e saj në votim. Por edhe kemi dashur të provojmë botërisht se neve nuk na intereson kapja, por na intereson shembja e sistemit aktual dhe ngritja e një sistemi të ri, ku partitë të mos kenë asnjë shteg për t’i zënë rrugën, zbatimit të këtij projekti historik transformimi radikal.

Nga ana tjetër, unë nuk e kam përjashtuar dhe s’do ta përjashtoj deri në minutën e fundit mundësinë e një zgjidhjeje që e përfshin opozitën në këtë reformë dhe më tej. E mbi të gjitha nuk ka qenë qëllimi i hartuesve të draftit, nuk mund të jetë qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian dhe nuk është qëllimi ynë të përjashtojmë opozitën nga vendimmarrja në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Kemi punuar dhe po punojmë edhe tani që po flasim, me shumë përkushtim për një zgjidhje që të përshtatë përmbajtjen thelbësore të reformës dhe nevojën për përfshirje substanciale të opozitës në procesin e zbatimit të reformës, sikundër shprehet edhe Komisioni i Venecias.

Unë jam i bindur që kjo zgjidhje mund të gjendet dhe mund të jetë plotësisht e pranueshme për opozitën, nëse Partia Demokratike do vërtetë zgjidhje për këtë pikë dhe nëse kjo pikë është e vetmja gjë që e ndan Partia Demokratike nga kartoni jeshil për reformën.

Por të jemi shumë të qartë që, nëse pika është një rreth, kjo pikë, ky rreth ka dy gjysma të ndara me një vijë të kuqe, për ne. Janë 4 institucione të reja, formimi i të cilave do të kalojë përmes Kuvendit të Shqipërisë. Dy prej tyre lidhen me vetingun, ose siç e quaj unë për lehtësi komunikimi, radiografinë etiko-profesionale të çdo prokurori apo gjykatësi, që do të vazhdojë të paguhet nga taksat e shqiptarëve për të dhënë drejtësi.

Bëhet fjalë për Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit ku do të kalojnë në një filtër shumë të imët, me monitorim ndërkombëtar, pasuria, vendimmarrjet në vite dhe aftësitë profesionale të kujtdo prokuror apo gjykatës, që do të duan të hetojnë dhe të gjykojnë në këtë vend. Si dhe për Kolegjin e Apelimit, ku ata të cilët kanë pretendime se janë gjykuar jo drejt nga komisioni, do të rikalojnë një filtër të dytë.

Individët që do të zgjidhen të shërbejnë në këto dy instanca jetike për reformën, – pa këto të dyja, reforma nuk i duhet askujt, – do të marrin paraprakisht një miratim nga Avokati i Popullit, por së bashku me një grup ndërkombëtar monitorimi. Pastaj, një listë e atyre që e kanë kaluar këtë filtër do të vijnë në Kuvend, ku do të votohet për ata që do të zgjidhen në këto instanca me shumicë të cilësuar, për të shërbyer procesin e vetingut, pra, për të kryer radiografinë etiko-profesionale të çdo gjykatësi dhe prokurori. Këto institucione janë matanë vijës së kuqe. Shumica e cilësuar në këtë rast është vija e kuqe, që ne nuk do ta kapërcejmë dhe nuk ka asnjë lloj mundësie, për të bërë asnjë lloj kompromisi me Partinë Demokratike.

Dua të jem shumë i qartë, edhe pse në politikë kurrë nuk thuhet kurrë; Unë nuk do ta votoj kurrë Reformën në Drejtësi, nëse preket kjo pikë. O do të bëjmë Reformë në Drejtësi, o kurrë mos u bëftë reforma!

Për dy institucionet e tjera, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë të gjitha mundësitë të gjendet një zgjidhje e arsyeshme kompromisi. E kam thënë, e kam përsëritur dhe po e rinënvizoj, ne jemi gati të lëvizim edhe nga 2/3-tat, sepse ishte një pozicion ekstrem kompromisi. Partia Demokratike duhet të lëvizë nga vendet e rezervuara dhe zgjidhje ka. Sepse në përzgjedhjet që Kuvendi do të bëjë për individët që do të vijnë për votim, pasi ta kenë kaluar edhe ata me sukses radiografinë etiko-profesionale, përfshirja e opozitës është jo vetëm e mundshme, por edhe e dëshirueshme. E pikërisht, pse ne nuk e kemi parë kurrë opozitën jashtë procesit të zbatimit të reformës, dhamë dhe një ofertë ekstreme, 2/3-tat.

Jemi të vetëdijshëm që nuk po flasim për zbatimin e Rregullores së Kuvendit, që sot shkelet me të dyja këmbët, çdo të enjte, nga Partia Demokratike, por për Kushtetutën e Republikës, ku opozita është një institucion dhe jo një parti e caktuar, sepse sot është Partia Demokratike, nesër një parti tjetër e të tjera parti me radhë.

Pas shpërndarjes së draftit sot, ne presim me padurim mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi për të vazhduar procesin, pasi nuk ka më asnjë ditë për të humbur, madje asnjë orë për të humbur. Shpresojmë shumë që opozita të vijë në komision dhe të japë kontributin e vet të çmuar, ndërkohë që do të punojmë pa pushim, për t’i ofruar asaj në vazhdim, ndoshta edhe përpara mbledhjes së Komisionit, nëse kjo do të arrihej, një zgjidhje të pëlqyeshme kompromisi, por nga kjo anë e vijës së kuqe.

Nëse opozita do të na detyrojë ta votojmë të vetëm draftin, kur të vijë momenti i votimit, ne do ta bëjmë këtë pa asnjë lëkundje, por gjithsesi nuk do ta votojmë në mënyrë të njëanshme nenin e shumicës së cilësuar, që është shqetësimi i opozitës dhe që për ne lidhet vetëm me dy institucione. Do të tentojmë të gjejmë një zgjidhje shumë të arsyeshme. Nuk ka gjë më të mirë që t’ia dalim, sepse bëjmë një punë të madhe. Pastaj do të shohim nëse opozita është ajo që thotë, apo do të shfaqet, siç shumëkush e mendon, me ndonjë pikë tjetër.

Unë vazhdoj të mendoj se opozita nuk e do Reformën në Drejtësi, por vazhdoj të mendoj që Partia Demokratike do ta votojë Reformën në Drejtësi. Ne nga ana jonë do të bëjmë çmos që t’i japim Partisë Demokratike, mundësinë që të mos ketë asnjë justifikim për të mos e votuar Reformën në Drejtësi, pa e kapërcyer vijën e kuqe, natyrisht. Besoj se këtu jemi të qartë!

-Zoti Rama, ju thatë se mendoni se Partia Demokratike nuk e do reformën në drejtësi. Po aleati juaj zoti Meta, a mendon edhe ai kështu?

Së dyti, keni menduar për procedurën parlamentare që do të ndiqet për të futur draftin e Reformës në Drejtësi?

Kryeministri Rama: Unë dhe Kryetari i Kuvendit jemi bashkëkryetarë të koalicionit dhe jo zëdhënës të njëri-tjetrit. Kur ta keni përballë Kryetarin e Kuvendit, bëjani këtë pyetje. Tani që më keni mua përballë, më shfrytëzoni maksimalisht.

Lidhur me të dytën, e kam thënë atë ditë, kur kemi dalë nga takimi, ne do të vazhdojmë, sepse koha është e matur me sekonda dhe ne duam që drafti të jetë në sallë në afatin e duhur, me shpresën që Partia Demokratike të jetë bashkë me ne në votimin e tij dhe me vullnetin e plotë për të bërë gjithçka që Partia Demokratike ta votojë atë.

Zoti Rama mund të na e shpjegoni edhe një herë vijën e kuqe?

Kryeministri Rama: Reforma, për mua, përtej të gjitha të tjerave që janë shumë të rëndësishme, ka dy shtylla;

Njëra shtyllë është kalimi në skanerin e radiografisë etiko-profesionale të të gjithë atyre që paguhen nga paratë e popullit shqiptar për të hetuar e gjykuar. Pasuria, vendimmarrjet në vite, aftësitë profesionale skanohen me një filtër shumë të imët të teknologjisë më të lartë ndërkombëtare. Këtë, ne nuk e negociojmë.

Shtylla tjetër është shembja komplet për tokë e këtij sistemi që kemi, që nga këshilli i lartë i kënetës dhe deri të gjithë institucioneve të tjera dhe ngritja e një sistemi të ri, me institucione të reja.

 -Kush e garanton këtë reformë?

Kryeministri Rama: Këtë reformë e garanton pikërisht radiografia etiko-profesionale. Nëse nuk bëjmë këtë, nëse ndërtojmë një shtëpi të re dhe fusim brenda po ata banorë që sot e kanë bërë horrllëk dhe pisllëk shtëpinë e vjetër të sistemit, nuk kemi bërë asgjë. Këtë e garanton kjo radiografi përmes dy institucionesh; Një komision i posaçëm kualifikimi, i cili do të ketë një mbështetje masive, financiare dhe me burime njerëzore, ndërkombëtare dhe një strukturë tjetër apelimi për ata që mund të thonë se nuk jam i kënaqur që njolla në radiografi më doli  e madhe dhe dua të bëj një radiografi tjetër.

Këto dy institucione, ne nuk i negociojmë në mënyrën si do përzgjidhen, pra, nuk pranojmë as vota të rezervuara, as vota të transferuara, asnjë lloj sistemi që e kthen zgjedhjen e personave në këto institucione, në një pazar partish.

Përsa i përket dy institucioneve të tjera, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ne jemi të hapur. I kemi dhënë 2/3, mendojmë se do të ishte e mjaftueshme, opozita nuk ndjehet mirë, – shpresoj mos ta ketë justifikim, tjetër gjë se çfarë mendoj – dhe jemi gati t’i japim një mundësi për ta përfshirë opozitën në proces dhe për t’i dhënë mundësi opozitës të ketë fjalën e saj.

Në fund të fundit është Kushtetuta e Republikës, nuk është një kushtetutë që e shkruajmë për Partinë Demokratike në opozitë, apo për Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim, Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet në qeverisje, pavarësisht se çfarë mendojmë ne, për ditën e largët kur Partia Demokratike do rikthehet në qeveri. Është Kushtetuta e vendit dhe normalisht opozita duhet të jetë e përfshirë. Komisioni i Venecias e jep këtë orientim. Ne menduam që përfshirja e opozitës ishte e garantuar me 2/3-tat, ata mendojnë ndryshe. Formulat nuk është se janë thjesht hipotetike, nuk na duhet të kërkojmë një Ajnshtajn në mjedisin tonë. Ka formula të ndryshme, po punojmë pa pushim për të arritur në një ofertë të arsyeshme, që ta plotësojë nevojën që ka opozita dhe shpresojmë t’ia dalim. Besoj se është e qartë. Për dy institucionet e para, për vetingun nuk ka negociatë, nuk ka kompromis, nuk ka tërheqje.

 -Projekti që sapo thatë lidhur me vijën e kuqe, sa vota ka koalicioni?

Kryeministri Rama: Shumicë e cilësuar. Unë nuk di të ketë asnjë diferencë mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me draftin që nuk ka vetëm mbështetjen e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, por ka edhe mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Numërojini vetë sa qeveri ka BE.

 -Sa vota ka drafti që ju thatë në parlament?

Kryeministri Rama: Drafti ka mbështetjen e plotë të të gjithë shumicës.

 – Zoti Kryeministër, ju folët për dy institucione që do të bëjnë radiografinë e sistemit të drejtësisë në vend. Sa hapësirë do të ketë për paragjykime, njerëzit që do të zgjidhen pjesë e këtyre dy institucioneve?

Kryeministri Rama: Nuk më interesojnë fare paragjykimet, por më intereson vetëm gjykimi që do të japin këto institucione jo për sistemin, por për personat, person për person. Çdo individ që paguhet me taksat e shqiptarëve dhe që do të vazhdojë të punojë si prokuror apo gjykatës duhet të kalojë skaner me të gjithë ato elemente që thashë. Në daltë i pastër dhe i aftë do të ketë respektin tonë më të madh dhe Shqipëria do të jetë e çliruar nga makthi i gjithfarëlloj, për të mos i vënë shumë emra, po i quaj vetëm “killer”-a të drejtësisë.

Faleminderit!”

SHKARKO APP