Kryeministri Rama, ftesë për bashkëpunim Presidentit apo presion?
Sot në një takim falenderues me deputetët e rinj, Edi Rama, në zyrat e kryeministrisë lëshoi disa mesazhe, të cilat ai i ka menduar mirë para se t’i thoshte. I ka shkruar dhe menduar disa herë, pasi nuk mund të nxitohet për të folur me poturet e fushatës. Ishte serioz sot dhe pasi ka falenderuar eksponentët kryesorë të partisë së tij për rezultatet e 25 qershorit ai i ka dërguar një mesazh edhe ish-aleatit të tij, Ilir Meta – tashmë President Republike – si dhe Partisë Demokratike, e cila ndodhet në kaosin e saj më të madh të historisë 27 vjeçare.
“Falenderoj Ilir Metën, jo për gjërat që i çoi për dreq, por për çdo kontribut pozitiv e të pamohueshëm që dha në punën e përbashkët. I lutem Metës të reflektojë si presidenti që i mori votat tona për të qenë konsensual e jo konfliktual e të përqendrohet tek ndreqja e gabimeve që i bëri figurës së presidentit në 40 ditët e fundit. Falenderoj edhe ministrat e LSI-së për kontributin pozitiv që dhanë në arritjet e qeverisë”, u shpreh Edi Rama.
Ndërsa sa i takon PD-së, kreu i qeverisë, ka rikonfirmuar se marrëveshja e 18 majit do të mbetet një “busull orientuese” në marrëdhëniet pozitë-opozitë.
Këtu, dy mesazhe të rëndësishme kryeministrore kanë nevojën e një analize. Në lidhje me PD ai insiston të vazhdojë pazari i datës 18 maj 2017. PD tashmë ndodhet në fushatë zgjedhjesh për kreun e partisë, fushatë e cila nuk duket të jetë e lehtë, ndonëse ka simptoma se Basha e rimerr PD, sepse ka pas vetes Sali Berishën dhe Edi Ramën. Të dy e duan kryetar të PD. Dhe… me shumë gjasë, fatkeqsisht do t’ia blejnë votat Lulzim Bashës, siç bleu pa zhurmë votat PS-ja në zgjedhjet parlamentare. A ka pakt-pazar, Rama-Basha? E pse të mos e ndihmojë Edi Rama, mikun e tij Basha?! Prandaj kryeministri Rama mezi pret fitoren e Lulzim Bashës dhe të vazhdojë ta mbajë PD-në si stan rezervë, sa herë t’i duhen votat e saj për ndryshime kushtetuese, Kode etj.. Me çdo ndryshim sistemi zgjedhor, PD-ja do mbetet prapë pas PS. Opozitë e përjetshme! PD vjen në pushtet vetëm me koalicione parazgjedhore. Për paszgjedhore do mbetet bisht i PS.
Gjithsesi kryeministri Rama ndjehet i shqetësuar jo shumë nga PD, pasi duket se e ka në xhep pazarin e 18 majit, por nga Presidenti Meta dhe LSI. Tashmë LSI ka deklaruar hapur se do jetë opozitë e fortë kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij, por edhe kundër opozitës së PD-së, nëse ajo rezulton e blerë nga kreu i PS.
Si rregull marrëdhëniet Kryeministër-President duhet të jenë normale. Por anormaliteti erdhi se fushata elektorale prodhoi monstruozitete të papara në këto 27 vite pluralizëm. U bënë bashkë partia më e madhe e pushtetit dhe partia më e madhe e opozitës për të shkrirë LSI-në, e cila mbetet krijesë e Ilir Metës. U bënë bashkë PS dhe PD në administrimin e zgjedhjeve, por në të vërtetë PD-ja ra viktimë e Ramës. Me dëshirë, apo me naivitet, fakti është se PS-ja i bleu zgjedhjet. Dhe i bleu pa zhurmë. Vetëm Ilir Meta e LSI folën dhe akuzuan. PD-ja vegjetonte dhe as ditën e 25 qershorit nuk bëri asnjë dalje për të folur, qoftë edhe një fjalë. Ndaj “mëkatoi” Ilir Meta, sepse jo vetëm do ia shkrinin LSI me vota të blera nga mafia e drogës, por edhe do të fitonte PS-ja mbi 100 deputetë, sepse blerja e një vote arriti në 150 euro, bile edhe me shumë në Dibër dhe Shkodër. Foli paksa ministri Ditmir Bushati për këtë, por ia mbylli gojën Edi Rama.
Natyrisht që tashmë kemi një rezultat elektoral, ku PS-ja ka një shumicë dërmuese për të qeverisur e vetme. Por Edi Rama e di mirë se kur i merr të gjitha, vjen një ditë dhe i humb të gjitha! Ndaj edhe për të qetësuar ish-partnerin, por edhe për të bërë një test para betimit të Presidentit, foli sot me dorën e shtrirë, por që brenda saj kishte gozhda shpuese ndaj imazhit të Presidentit. Edi Rama e di mjaft mirë se Ilir Meta do betohet dhe mbetet një formalitet e me 24 korrik do jetë President për 5 vite. E di mjaft mirë se nuk ka asnjë mundësi kushtetuese për ta shkarkuar. Ndaj hodhi dorën në drejtim të presidencës, por do të bënte mirë të mos fliste fare, sesa të hidhte dorën në qafë Kryetarit të Shtetit me ca gozhda brenda!
Ilir Meta duhet dhe do të jetë President që bashkon e jo ndan palët, ndaj pa merak në Kryeministri! Por natyrisht që nuk do jetë President honorifik.
Edi Rama para se të thoshte se si e do Ilir Metën në Presidencë do të bënte mirë të deklaronte prerë se deputetët e PS-së do zbatojnë Kushtetutën duke shkuar në sallën e parlamentit ditën kur do betohet Presidenti Meta. Më pas mund të rreshtonte të tjerat…
Por më mirë që Edi Rama foli. Edhe presidenca do flasë, natyrisht duke qenë mbi palët.