Kryeministri Rama fton liderin e opozitës Basha: Hajde t’i zgjidhim bashkë telashet e tërmetit!
-Pas gati 12 muajsh që nuk e njeh opozitën reale, pasi e ka përdhosur dhe sulmuar me çdo mjet të ligjshëm dhe të paligjshëm, dje Rama nuk thirri Rudina Hajdarin dhe Kujtim Gjuzin. Tashmë atij i duhet opozita reale. Me citate të biblës, Edi Rama u shfaq dje si një kryetar qeverie i përgjegjshëm duke ftuar opozitën për dialog për gjetjen e rrugëve për përballimin e situatës kritike.
Shqipëria po kalon një nga periudhat më tragjike të dekadave të fundit. Tërmeti vrasës i 26 nëntor shkaktoi 51 viktima, 920 të plagosur dhe ka lanë mbi 6 mijë qytetarë të pastrehë. Llogaritjet paraprake flasin për 3 mijë pallate dhe 2 mijë banesa të dëmtuara. Tragjedia e rëndë njerëzore ka dhe një kosto të paimagjinueshme financiare për qytetarët e tjerë. Frika për mijëra banesa të tjera të dëmtuara në qarqet Tiranë-Durrës-Lezhë, ku jeton shumica e popullsisë së vendit, ka krijuar pasiguri për të ardhmen. Situata në të cilën ndodhet vendi kërkon përgjegjshmëri dhe funksionimin e institucioneve. Por kjo tragjedi tregoi se nuk kemi shtet dhe aq më pak institucione të afta për të menaxhuar mirë situatën.
Në funksion të propagandës dhe qeverisjes së pashqetësuar nga gjëma që ka ndodhur janë dhe lëvizjet e fundit të kryeministrit Edi Rama. Këto ditë opinioni është bombarduar me takime, vizita, intervista dhe shfaqje mediatike të kreut të qeverisë. Edi Rama është sjellë si drejtues i shtabit të emergjencave, sizmiolog, mjek i ndërhyrjes së shpejtë, zjarrëfikës, xhenier, bamirës, ekspert ndërtimi etj. Ka zgjedhur të sillet kështu jo rastësisht. Gjithçka e ka strategji. Është e vetmja mënyrë për të treguar se po bën diçka. Veç papërgjegjshmërisë me ndërtimet dhe marrjen e masave në Durrës dhe Thumanë para tërmetit, kaosi që po shohim këto ditë me operacionet humanitare janë provë e fortë e dështimit.
Pas kalimit të fazës së parë të tragjedisë tani vjen dhe pjesa më e vështirë, përballimi i krizës humanitare që po troket. 6 mijë banorë, sipas shifrave të qeverisë, duhen futur në banesa dhe deri më sot s’ka asnjë projekt apo ide të vlefshme nga qeveria “Rama”. Mijëra objekte duhen verifikuar dhe testuar në mënyrë profesionale, për të shmangur përsëritjen e kaosit dhe ende nuk dihet se kush dhe si do t’i bëjë. Mbi të gjitha viktimat e kësaj tragjedie kërkojnë drejtësi, pasi tragjedia u shkaktua jo vetëm nga tërmeti, por kryesisht nga cilësia e dobët e ndërtesave. Pasoja e asaj që ndodhi do të jenë nesër ekonomike dhe sociale për gjithë vendin e kryeministri e ka kuptuar se nuk e shtyn dot më gjatë me propagandë. Ndaj dje ndryshoi strategji duke ftuar Lulzim Bashën dhe opozitën në takim. Pas gati 12 muajsh që nuk e njeh opozitën reale, pasi e ka përdhosur dhe sulmuar me çdo mjet të ligjshëm dhe të paligjshëm, dje Rama nuk thirri Rudina Hajdarin dhe Kujtim Gjuzin. Tashmë atij i duhet opozita reale, ajo që ka vërtetë peshë në këtë vend për të shpëtuar nga kolapsi ku e ka futur vendin. Me citate të biblës, Edi Rama u shfaq dje si një kryetar qeverie i përgjegjshëm duke ftuar opozitën për dialog për gjetjen e rrugëve për përballimin e situatës kritike. Në parim, ftesat të tilla duhen mbështetur, pasi tregojnë se më në fund kryeministri po sillet si politikan normal. Problemi është a duhet besuar më Edi Rama? Sepse realisht Edi Ramës nuk i duhet opozita për ndihmë dhe aq më pak për ide. Edi Ramës i duhet opozita si jusfitikim për dështimet dhe si alibi për përballimin e krizës. Për të kaluar situatën politike, jo për hallin e qytetarëve, është gati të bëjë çdo gjë. Madje dhe të ofrojë pazare politike për Lulzim Bashën me qëllim përfitim politik të qeverisë së tij.
Por sot vendi nuk ka më kohë për lojëra të vjetra politike të sprovuara disa herë. Mijëra qytetarëve që po flenë jashtë në shi nuk u interesojnë më skemat e Edi Ramës dhe as kanë hallë nëse takohet apo jo më atë Lulzim Basha. Situata është kritike dhe kërkon zgjidhje urgjente për krizën e rëndë që ka sot vendi, por edhe për problemet sociale dhe ekonomike që do të shtohen në javët në vijim. Opozita po ndihmon, me aq sa mundet banorët, madje ndonjëherë dhe më shumë se institucionet e paafta të qeverisë. Shërbimi më i mirë që mund të bëjë ajo është të ndodhet pranë banorëve të prekur në këto kohë të vështira. Të denoncojë qeverinë për përgjegjësinë që ka në mosmarrjen e masave dhe të jetë zëri i mijëra banorëve që kanë mbetur në mes të katër rrugëve. Pjesa e pazarit që kërkon kryeministri nuk ka lidhje me qytetarët e prekur dhe as zgjidhjen afatgjatë të krizës. Është ftesë-pazar vetëm për hallet e Edi Ramës. Mbetet në dorë të Bashës nëse do t’a ta trajtojë dhe Edi Ramën si viktimë të tragjedisë apo si pjesë e problemit që thelloi tragjedinë e tërmetit.
Mili Xhani