Kryeministri Rama i përgjigjet Bashës: Gati të takohemi. Dialog për gjithçka
Pas mbledhjes së zhvilluar pasditen e sotme, koalicioni opozitar doli me një deklaratë të përbashkët. Në qëndrimin e aleatëve të PD-së thuhet se mënyra e vetme për të dalë vendi nga kriza politike është krijimi i një qeverie teknike. Gjithashtu, koalicioni opozitar vlerëson qëndrimin e LSI-së, duke e cilësuar këtë si një hap për zgjidhjen e krizës.
Lidhur me këtë qëndrim, ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit Rama. Në një status në facebook, kreu i qeverisë shprehet se është i gatshëm për dialog. Kreu i qeverisë, shkruan se është në dorën e PD-së që të caktojë vendin dhe orën.
“Lulëzim ta kam thënë kaherë, jam i gatshëm për dialog sa herë PD do dialog dhe për gjithçka, kudo e kurdo! Caktoje vetë vendin dhe orën”, shkruan Rama në facebook.
Rama është shprehur më herët se nuk ka qeveri teknike dhe se PS-ja do të zbatojë kushtetutën dhe do shkojë në zgjedhjet e 18 qershorit. Në përgjigjen e tij sot nuk përmendet asgjë e tillë, por thuhet se është gati të dialogojë për gjithçka.