Kryeministri Edi Rama: Jemi për dialog me PD, por nuk heqim dorë nga Qeveria

Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së sotme të grupit parlamentar socialist foli për mediat lidhur me krizën politike. Rama tha se duhej gjetur një zgjidhje brenda hapësirës kushtetuese, por nuk pranoi të fliste për asnjë nga kërkesat e opozitës.

I pyetur mbi qëndrimin e aleatit të tij Ilir Meta, i cili ka deklaruar se LSI vë në dispozicion mandatet e saj të deputetëve dhe ministrave për zgjidhjen e ngërçit politik, Rama tha se qeveria nuk është privilegj, por përgjegjësi.

Unë e konsideroj qeverinë përgjegjësi dhe detyrat qeverisë i shoh si përgjegjësi dhe jo privilegje nga të cilat i ke dhe heq dorë. Nga kjo përgjegjësi ne nuk mund të heqim dorë për sa kohë jemi mandatuar nga populli”– tha Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri tha se lidhur me zgjedhjet është dakord për plotësimin e çdo rekomandimi i  OSBE/ODIHR.Nga ana tjetër Rama e cilësoi si një çështje të PD mosregjistrimin e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Zgjedhjet janë të popullit, nuk janë të partive”,- tha kryeministri, Edi Rama.

Qëndrimi i prerë i Kryeministrit vjen vetëm pak orë pasi kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se opozita nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Basha tha se PD do të djegë me vetëdije afatet ligjore për regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por para zgjedhjeve të 18 qershorit situata mund të shpërthejë në zgjedhjet e pjesshme lokale në Kavajë më 7 maj.

Basha tha në Çadrën e PD-së së ditën e zgjedhjeve në Kavajë PD-ja do të zhvilloi një nga mitingjet më të mëdha opozitare. Ndërkohë që socialistët do shkojnë në votime, PD ka plan të bllokojë me protestues gjithë qendrat e votimit. Ky është skenari më i keq politik që mund të çojë në destabilizim të vendit dhunë dhe përballje mes simpatizantëve të dy kampeve.

Nga dita në ditë vendi po shkon më shpejtësi drejt një kaosi politiko-social për shkak të mungesës së zgjidhjes mes palëve. Ndërsa palët kanë qëndrime kategorike për krizën, ironia është se nuk ka pasur asnjë takim mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për të negociuar.

Kryeministri Edi Rama vetëm sot foli për negociata, 12 orë para se të skadoi afati në KQZ. Por edhe pse përmendi fjalën negociata, qëndrimi tij është shumë larg asaj që kërkon Partia Demokratike.

SHKARKO APP