Kryeministri Rama me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien, në Shkup
Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë do të mblidhen të hënën, më 22 janar, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.
Bëhet fjalë për konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”. Mikpritës i konferencës do të jetë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në konferencë, ashtu sikurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq.
Në takim do të ketë edhe përfaqësues prej Bosnje-Hercegovinës. Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen prej Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Ndërkohë sonte në Shkup kryeministri Rama është takuar me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien, në vigjilje të darkës së punës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE.