Kryeministri Rama miraton në heshtje kulla të mëdha në kryeqytet
Ishte folur disa herë se Edi Rama do miratonte kulla pa mbarim në kryeqytet, bile në zemër të Tiranës. Dhe po e bën realitet. Këshilli Kombëtar i territorit, i kryesuar nga Edi Rama miratoi fundjavën e shkuar ndërtimin e tre kullave të reja në Tiranë, dy prej të cilave do t’i jepen arkitektit të famshëm të Stadiumit Kombëtar dhe Velierës në Durrës, Marco Casamonti dhe një tjetër hartuesit të planit rregullues të Tiranës, Marco Boeri.
Pritet që pas këtyre kullave të larta, do miratohen edhe 7 kullat shumëkatshe përreth sheshit Skenderbej.
Garden Building (foto Lart)
Në vendin ku ndodhej ish Muzeu i Shkencave të Natyrës në rrugën e Kavajës, do të ngrihet një kullë 24 katëshe, qendër tregtare me apartamente në pjesën e sipërme. Kulla do të ketë fizionominë e njohur të pyllit vertikal të Stefano Boerit në Milano dhe është projektuar nga studioja Arche Associati e Marco Casamonti, një klient i hershëm i Edi Ramës.
West Residence
Godina tjetër e miratuar nga KKT është e ashtuquajtura West Residence, projektuar nga Stefano Boeri, e studios Boeri Architetti, hartuese e masterplanit të Tiranës. Boeri është autori i Masterplanit të Tiranës.
West Residence është një tjetër ndërtesë “shumëfunksionale”, e cila do të ndërtohet pas godinës së Presidencës, përgjatë rrugës Ibrahim Rrugova, në vendin ku tani ndodhet një parkim dhe klinika e dikurshme e bllokut. Sigurisht, edhe kjo ndërtesë do të shoqërohet me disa pemë sipërfaqësore, që veshin një fasadë masive betoni shkruan edhe lapsi.
Bllok
Një tjetër projekt i Stefano Boerit do të ndërtohet mbi të gjithë zonën ku shtrihej dikur Bar Rovena, në zonën e ish-Bllokut. Edhe kjo është një tjetër godinë “multifunksionale”, pra qendër tregtare, zyra dhe apartamente, që do të ndërtohet nga një kompani e regjistruar vetëm një vit më parë si West Residence, Invest shpk. Ndërtesa do të shtrihet në këndin e rrugës Pjetër Bogdani dhe Rrugës Vaso Pasha dhe do të ketë “tarracë të gjelbërt”. Tani për tani emërtimi i saj do të jetë “Bllok”.
E çuditshme është se këto 3 kulla u miratuan nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) në heshtje të plotë dhe mungesë transparence, pa asnjë gjurmë në faqen e vet zyrtare të këtij institucioni. Asnjë njoftim nga zyra e shtypit e KKRT apo njoftim nga bashkia për këto kulla.