Kryeministri Rama në Kongresin e PS: Ky 30-vjetor është i veçantë se ka shijen e fitores së tretë radhazi

Kongresin e PS-së, kryeministri Edi Rama e nisi me urimin për 30-vjetorin e themelimit të partisë Socialiste të Shqipërisë. Kjo ditëlindje, tha Rama, është e veçantë, pasi ka shijen e fitores së tretë radhazi.

Gëzuar 30 vjetorin e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Kjo është një ditëlindje e bukur, çdo ditëlindje është një ditë e bukur, por kjo e sotmja ka jo vetëm veçantinë e përvjetorit të 30-të, por edhe shijen e veçantë të fitores që sapo arritëm, e treta radhazi për herë të parë. Faleminderit edhe njëherë të gjithë atyre që punuan fort për këtë arritje” tha ai.

Më tej kryeministri Rama shtoi: U prefshin në paqe të gjithë ata që nuk jetojnë më, nga socialistja më e thjeshtë e deri tek Bashkimi. Jam i bindur se Bashkimi po na ndjek i buzëqeshur dhe është krenare për të bijën. Faleminderit për të gjithë, që na kanë dhënë vota, aq sa për të na bërë partinë më të votuar në vend. Faleminderit socialistëve, që nga 2005 më kanë dhënë privilegjin, që të drejtoj PS-në, që e kemi rritur dhe ngritur në nivelin e misionit historik të Shqipërisë 2030. Ndjesë kujtdo që në këtë rrugë është ndjerë i mënjanuar. Dua të kujtoj Gramoz Ruçin, që më është bërë si vëlla në këtë rrugëtim”.

Edi Rama vlerësoi edhe Ruçin për dorëheqjen, duke u shprehur se ai kishte qenë siguria për kryetarët e PS-së.

“Ndjeva sikur m’u këput krahu kur Ruçi dha dorëheqjen. Nuk e di si do të mbushet boshllëku i tij. Pa Gramozin, do kishim humbur disa sfida. Ruçi do të mbetet njeriu im më i besuar në këtë drejtim, do ketë boshllëk të një udhëheqjeje të pashoqe, askush nuk është i pazëvendësueshëm e di, por jo çdokush është i zëvendësueshëm.

Ta pranojmë me respekt vendimin e tij. Është art më vete të zbresësh nga politika, dashtë Zoti ta kem edhe unë dhuntinë e këtij arti. Të jam mirënjohës për çdo nxitim që mund të kem pasur. Sinqerisht faleminderit miku im, për këshillat. Ruçi ka kaluar me dy kryetarë, për 30 vjet ka vënë në radhë KPD-ja, grupe, ka mbledhur Asamble etj. Gramoz Ruçi hoqi i pari fjalën “shoku” dhe futi atë “zoti”. Ruçi na ka dhënë siguri ne kryetarëve. Gramozi ishte i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime. Të falënderoj nga thellësia e zemrës, i dashur Gramoz”, u shpreh Rama.

SHKARKO APP