Kryeministri Rama: PD nuk ka parë gjë akoma. Më 18 qershor nuk do bëhet nami
Kur kanë skaduar të gjitha afatet ligjore për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, Kryeministri Edi Rama deklaroi se zgjedhjet do të bëhen pa opozitën.
Nga qyteti i Beratit, në takimin me të rinjtë që votojnë për herë të parë, Kryeministri u shpreh se më 18 qershor nuk do të bëhet nami, por do të votohet për një Shqipëri më të mirë.
“Më 18 qershor do të ndahemi njëherë e mirë nga e shkuara. Më 18 qershor do të vendosim që të vazhdojmë në rrugën për të bërë shtet. Ne duam një Shqipëri për shumë më tepër mundësi për të gjithë”, ka thënë Rama.
Ai ka shprehur bindjen se votuesit e rinj, por jo vetëm, do të dinë të zgjedhin alternativën e duhur në këto zgjedhje. “Do zgjedhim Shqipërinë që duam, apo do futemi në bunkerin e plastmasit, ku PD po shkruan pjesën më të zymtë të historisë së saj. Jam i bindur tek zgjedhja që do të bëjnë votuesit e sidomos votuesit që votojnë për herë të parë”, ka thënë Rama.
Ai ka bërë thirrje për sa më shumë bashkim, në mënyrë që të arrihet objektivi i “Shqipërisë që duam”. “Të jemi më shumë në këtë rrugë që kemi nisur së bashku dhe sa më të bashkuar të jemi më 18 qershor, aq më afër do të jemi Shqipërisë që duam”, ka thënë Rama.
Kryeministri riktheu në fjalorin e tij edhe një shprehje që në vitin 2013 shkaktoi shumë polemika mes PS dhe PD. “Jam i bindur dhe të jeni të bindur se s’keni parë gjë akoma. Tani edhe ata po e kuptojnë se s’kanë parë gjë akoma dhe sa më shumë kujtojnë se do ta pengojnë Shqipërinë të bëhet vendi që duam, aq më shumë do të tregojnë se nuk kanë parë gjë akoma”,- tha Rama.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154728376271523/