Kryeministri Rama po fut vendin në luftë civile
Edi Rama njihet për maninë për të marrë gjithë pushtetet. Njihet për dashurinë dhe raportet me krimin, siç rezulton nga përgjimet, por konkretisht me futjen e elementëve kriminalë në parlament dhe në bashkitë. Emrat janë publikë se cilët futi dhe me cilët drekon dhe darkon.
Kryeministri do me çdo kusht e mënyrë të marrë me 30 qershor të gjitha bashkitë, kur nuk ka opozitë në garë. Kryeministri nuk zbaton vendimin e presidentit të Republikës, që është i vetmi person me Kushtetutë që përfaqëson unitetin e Kombit. Rama do me çdo kusht konfliktin civil. Opozita nga ana e saj nuk futet dhe nuk lejon zgjedhje farsë me 30 qershor.
Pra palët po shkojnë me vrap në përplasje civile. Presidenti me të drejtën e tij kushtetuese gjeti një mënyrë për të shmangur përplasjen popullore, aq me tepër që Shqipëria e ka një precedent të keq, ku në vitin 1997 vendi shkoi në luftë civile.
Kryeministri Rama nuk njeh dekretin, nuk pranon që palët politike të ulen në tavolinë. Ai do ta çojë vendimin e tij deri në fund, me arrogancë, në bashkëpunim me krimin, me përplasje, me luftë.
Kryeministri Rama sot dha faktin e fundit publik se nuk është në rregull, aspak. Atë nuk ka këshilltar që e ndalon, nuk ka njeri në PS që i thotë “ndalo se po shkojmë në greminë”.
Ai është nisur drejt humnerës, por për dreq e ha populli pikësëpari.
Ai duhet të lexojë për fatin e Musolinit në Itali, dikur!