Kryeministri Rama replikon me Albin Kurtin: Unë nuk fal as det, jo më tokë

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë, Albin Kurti. Në një reagim pas takimit Rama-Haradinaj, Albin Kurti deklaronte se Edi Rama nuk mund të udhëzonte Prishtinën që të firmoste marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kurti e cilëson këtë marrëveshje si të dëmshme për Kosovën, pasi i fal tokë Malit të Zi.

Në shkrimin e tij, Albin Kurti thotë se Rama duhet të kujdeset për realizimin e marrëdhënieve dhe marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe jo të japë orientime të gabuara për Qeverinë e Prishtinës. Kurti thekson se Kosova nuk ka tokë për të falur.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama, në reagimin e tij, deklaron se kufijtë mes vendeve nuk përcaktohen me opinione. Ndërsa sjellë në vëmendje anulimin e marrëveshjes së detit me Greqinë.

I dashur Albin! Faktet s’janê opinione dhe kufijtë nuk përcaktohen me opinione! Sa për tokën po ta kujtoj që unë nuk fal as det jo më tokë”,- shprehet Edi Rama në Facebook.

Në takimin e zhvilluar dje në Tiranë me Kryeministrin Haradinaj, Edi Rama tha se duhet gjetur zgjidhja përfundimtare për arritjen e një marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi. “Natyrisht, ne e shikojmë me shqetësim, – këtë e kam ndarë edhe me Kryeministrin, – çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku është e domosdoshme të gjendet rruga për ta përshpejtuar zgjidhjen përfundimtare të një ngërçi që po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare, e cila, në këndvështrimin tonë të përbashkët ka qenë dhe mbetet garanti kryesor i Kosovës dhe një procesi ku Kosova duhet të ketë çdo ditë e më shumë miq dhe ku nuk ka asnjë llogari të humbasë qoftë edhe një mik të vetëm”,- tha dje Rama.

Ndërkohë, Vetëvendosja në Kosovës është një nga forcat politike që ka denoncuar arritjen e një marrëveshje të tillë. Albin Kurti ka deklaruar se nga kjo marrëveshje Kosova humbet territor në mënyrë të padrejtë.

Reagimi i Albin Kurtit ndaj Edi Ramës: Kosova nuk është tokë për tu falur

Nga Albin Kurti
16 muaj më parë, në 3 qershor 2016, në Prishtinë është mbajtur mbledhja e tretë e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë e Kosovës, drejtuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa.
Edhe pse ne do të dëshironim një marrëdhënie më intensive dhe përmbajtësore mes dy shteteve të një kombi, megjithatë Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka vlerësuar si progres këtë mbledhje dhe marrëveshjet e zotimet e dala prej saj. Ishin 6 marrëveshje, një memorandum, dhe 7 detyra konkrete, të cilat u nënshkruan prej dy kryeministrave.
Marrëveshjet ishin të fushave të rëndësishme për ndërtimin e politikave të përbashkëta, në ekonomi e tregti, në fushat e energjisë, infrastrukturës, arsimit, kulturës dhe mjedisit, etj. Afatizimi i detyrave i jepte ngjyrë konkrete atyre marrëveshjeve. Shumë prej detyrave konsiderohej se do të realizoheshin brenda dy muajve.
Por ku jemi sot, pas më shumë se një viti, me ato marrëveshje? Askush nuk është mbajtur përgjegjës për moszbatimin e afateve, e as për ngadalësimin deri në ngecje të marrëveshjeve e detyrave. Askush nuk është pushuar nga puna. Ndërkohë realiteti kërkon një dinamikë krejt tjetër: afatizime, përgjegjësi, moral e vullnet për punë.
E kemi mirëpritur qeverinë e re nga Partia Socialiste dhe z. Edi Rama, sepse kemi shpresuar që kjo qeveri do të angazhohet që mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të krijohet një treg i përbashkët i mallrave dhe shërbimeve, një treg i unifikuar energjitik, një politikë e jashtme e bashkërenduar dhe e njësuar, një bashkëpunim edhe më i afërt në sektorin e sigurisë, si dhe një thellim i gjithanshëm i bashkëpunimit nga arsimi te shëndetësia dhe nga kultura te sporti.
Por, ndërkohë që përparimet në këtë aspekt janë tepër të ngadalta, e më shpesh ceremoniale se sa përmbajtësore, ne dëgjuam se z. Rama po i kërkon z. Haradinaj, kryeministrit aktual të Kosovës, që të ndërrojë qëndrim për demarkacionin me Malin e Zi. Z. Rama pra po kërkon që, kundër asaj që dëshmohet në harta, në dokumente zyrtare, nga profesionistët ekspertë, në mbamendje institucionale, në kujtesë popullore dhe me peticionin masiv qytetar, të përkrahet një marrëveshje e padrejtë që ia heq Kosovës 8.200 ha. të territorit.
Me 32 deputetët e saj tash Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia më e madhe në vend e në Kuvend. Në mënyrën më meritore ne do të merremi me Marrëveshjen e Demarkacionit Kosovë-Mal i Zi. Nga kryeministri ynë Edi Rama presim që të merret me realizimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë. Dhe, po ashtu presim që ai të kontribuojë në lartësimin e social-demokracisë e të bashkimit të kombit. Nuk kemi kohë për të humbur e as tokë për të falur.

Petrit Vasili: I dashur Albin, mos u lodh kot me Ramën

Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka komentuar debatin online, mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Vasili i kërkon kreut të Vetëvendosjes në Kosovës, që të mos lodhet kot duke ju drejtuar Edi Ramës për çështje që kanë të bëjnë me interesa madhore.

Reagimi i Petrit Vasilit në Facebook: “Albin Kurti është gjithmonë racional dhe i drejtpërdrejtë, por lodhet kot që i drejtohet këtij kryeministrit të Shqipërisë për kufijtë e Kosovës.

Se ky kryeministri i Shqipërisë kur betohet dhe i thotë Albinit që medemek s’fal as detin, ka vetëm një gjë në kokë.

I dashur Albin, kryeministri ynë gjithë tokën ia ka falur mbjelljes së drogës, ndërsa detin bën sikur nuk e fal, se aty nuk mbillet drogë. Kaq e thjeshtë është”.

SHKARKO APP