Sot, sipas Bashës, do jetë DITA e rrëzimit të Kryeministrit Rama
Sot, e diela e datës 2 qershor 2019, do jetë ditë historike. Kështu ka paralajmëruar Lulzim Basha.
PD dhe LSI kanë thirrur në orën 19.00 popullin për të protestuar para zyrës së kryeministrit Rama. Ndërkohë këtë të shtunë Edi Rama dhe PS hapën fushatën zgjedhore, duke mos lenë asnjë hapësirë për dialog me opozitën. Opozita kërkon qeveri zgjedhore pa Edi Ramën si kryeministër, por edhe dialog për ndryshimin e krejt sistemit politik. Protestat e opozitës deri më sot nuk kanë sjellë rezultat për ta detyruar Edi Ramën që të ulet në dialog, ndaj ata kanë vendosur, siç deklaroi sot Lulzim Basha, që këtë të dielë ta rrëzojnë qeverinë e krimit. Basha ka bërë thirrje që do ta shkulin nga rrënjët kryeministrin këtë të dielë, por nga ana e tij Kryeministri ka urdhëruar që 7 mijë forca policie të rrethojnë kryeministrinë, parlamentin si dhe të jenë në gatishmëri përreth RTSH dhe selisë së Kuvendit.
Informacionet që vijnë nga PD tregojnë se deri tani boll kemi duruar duke e mbajtur popullin që të mos kalojë në revolucion kundër kryeministrit, por tashmë nuk e mbajmë më.
Dje Basha deklaroi se “Organizata kriminale e Rilindjes është katandisur si mos më keq, do të përballet me uraganin opozitar. Njëra anë do të fitojë, kriminelët ose populli. Kjo është beteja, kjo është kauza, e në këtë sfidë nuk ka dilema, ose je njeri i dinjitetshëm ose je qen i krimit. Duhet ta shkulim të keqen me rrënjë. Duhet qeveri tranzitore dhe të kemi një parlament demokratik e për to PD është e gatshme të luftojë deri në fund”.
Dy protestat e fundit të opozitës ishin paqësore, ndonëse lidershipi opozitar me njëmijë mundime i ka mbajtur që të mos krijojnë djegie apo akte dhune. Por derisa Edi Rama e hapi fushatën zgjedhore duke kërcënuar opozitën që nëse guxon të prekë procesin zgjedhor do të arrestohen, për protestuesit ka mbërritur ora që nuk kontrollohen më.
As Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk i përmbajnë më. Ndaj kjo e dielë do jetë e frikshme në përplasje mes palëve para kryeministrisë dhe sidomos te Kuvendi.
Pritet të jetë e dielë që do mbahet mend në memorien e vendit. Me mijëra e mijëra janë nisur drejt Tiranës, me të gjitha mjetet demokratike të një përballje me një “bandë kriminale” siç e quajti Basha, qeverinë e Ramës.