Kryeministrja italiane: Europa të përgatitet për t’u vetmbrojtur, SHBA-ja po tërhiqet nga BE!
Në tubimin vjetor të partisë së saj, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e mbylli fjalimin me thirrje jo vetëm për mbrojtjen e arritjeve të qeverisë së saj, por edhe për një angazhim më të fortë të Europës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Nga Castel Sant’Angelo në Romë, Meloni deklaroi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump po dërgon sinjale të qarta për një ndryshim të strategjisë së sigurisë dhe një tërheqje të mundshme nga angazhimet në kontinentin europian, duke theksuar se Europa duhet të jetë e përgatitur të mbrojë veten.
“Trump e ka pohuar me shumë vendosmëri se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend të shkëputen dhe europianët duhet të organizohen për të mbrojtur veten. Për tetëdhjetë vjet ne ia kemi dorëzuar sigurinë tonë SHBA-së duke u shtirur se ishte falas, por kishte një çmim për t’u paguar dhe ky çmim quhet kushtëzim. Liria e ka një çmim”, u shpreh Meloni.
Deklaratat e kryeministres italiane vijnë në një kohë tensionesh mes Bashkimit Europian dhe administratës Trump. Megjithatë, zyra e saj hodhi poshtë pretendimet për një krisje në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe BE-së.
Pavarësisht kësaj, Meloni ritheksoi nevojën për ndërtimin e një strukture mbrojtëse europiane më të fortë dhe më autonome, e aftë të angazhohet me fuqitë globale në kushte të barabarta dhe të garantojë sigurinë e kontinentit.
KOHA JONË SONDAZH

