Ku dhe me kë i kaluan pushimet verore disa nga politikanët shqiptarë?

Politikanët shqiptarë përtej protestave, zgjedhjeve, debateve dhe akuzave televizive. Flasin për “Koha Jonë”, zv/kryeministri i Shqipërisë, Erjon Braçe, ish-deputetët Astrit Patozi, Luan Rama, Nard Ndoka, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, si dhe deputetja e PS-së, Ardiana Jaku

Ku dhe me kë i kaluan pushimet verore politikanët shqiptarë?

Nga Albina Gjergji

Kjo verë që sapo lamë pas duket se ka qenë e nxehtë jo vetëm në temperatura të larta, por edhe politikisht. Prej disa muajsh, më saktë qëkur opozita vendosi të digjte mandatet, Shqipëria është përfshirë nga një krizë politike, e cila vetëm vendit është e sigurtë që nuk i shërben. Protesta, deklarata, debate e akuza të forta televizive. Zgjedhje që njihen nga njëri kah, votime që konsiderohen të jashtëligjshme nga kahu tjetër, të gjitha këto duket se do të vazhdojnë të jenë kryefjalë diskutimi (jo vetëm) për politikanët tanë edhe gjatë sezonit të vjeshtës.

Por, ndërkohë që kudo e të gjithë flasin veç për politikë, menduam që disa prej politikanëve t’i sillnim pranë jush në një profil tjetër. Në atë të familjarëve të zakonshëm me pushime.

Ku dhe me kë i kaluan ata pushimet verore? Mendimi i tyre mbi cilësinë dhe shërbimin e vendin tonë krahasuar me jashtë, apo anasjelltas? Si dhe në ç’mënyrë mund të promovohet më shumë vendi ynë, janë disa nga pyetjet që u kemi drejtuar atyre. Ndërsa përgjigjet vijojnë si më poshtë…

Erjon Braçe (Zv/kryeministër i Shqipërisë)

Të jem i sinqertë nuk ka ndonjë gjë të çuditshme në pushimet e mia. Disa nga fotografitë që kam postuar në rrjetin social, instagram pasqyrojnë edhe ditët e pushimeve që kam bërë. Por, në Himare isha, si përherë! Në fakt unë nuk dua të ketë gjëra të jashtëzakonshme. Dua të jem rehat: Ecje nga plazhi deri në kala që në 5.30 të mëngjesit, lexim, plazh, lexim përsëri, perëndim pasdite e kështu çdo ditë! Por, si mund ta promovojmë vendin tonë më shumë? Duke mos hedhur plehra aty ku na zë! Kaq gjë mjafton. Të tjerat i ka bërë natyra me shumicë.

Pjerin Ndreu (Kryetari i Bashkisë, Lezhë)

Kam bërë pak pushime. Një javë në Sarandë dhe disa fundjava në Shëngjin te Rana Hedhun. Për shkak se me 14 gusht bëra betimin e kryebashkiakut e që nga ajo ditë nuk e njoh më pushimin. Dinamika e punës është e lartë dhe vështirë të gjesh hapësirë. Sa i takon pyetjes mbi cilësinë dhe shërbimin në vendin tonë, në fakt ka disa gjëra që duhet t’i theksoj. Për sa i përket plazhit nuk mendoj se jashtë gjenden vende më të mira se tek ne. Ka plazhe të mirëorganizuara tek ne, që as nuk kanë të krahasuar me jashtë. Të paktën në rajonit tonë, në Ballkan jo. Pastaj ushqimi ka mundësi zgjedhjeje. Kulinaria jonë është në nivele shumë të larta, përjashto disa vende ku çmimet janë anormale. Gjithsesi ka mundësi zgjedhjeje më mirë se kudo jashtë.  Edhe infrastruktura, megjithëse ka akoma punë ka bërë përmirësime cilësore. Kështu që si familje kemi vendosur që të mos i konsiderojmë pushimet jashtë për plazh. Por dhe rrethi miqësor është i gjerë dhe kudo gjejmë njerëz që kalojnë momente të këndshme. Duhet të flasim, të publikojmë, të investojmë sidomos në pastërti. Këtu kemi akoma probleme. Të rrisim cilësinë e komunikimit dhe të shërbimit. Të huajt duan të eksplorojnë vendin tonë. Tashmë jemi destinacion për shumë turistë. Na duhet shumë punë dhe bizneset duhet të jenë më të përgjegjshëm. Promocioni duhet organizuar më mirë. P.sh është e pafalshme që para sezonit nuk ka asnjë fletëpalosje, faqe në rrjetet sociale, apo giuda që orientojnë turistët se çfarë mund të bëjnë, përveç plazhit. Ne në Lezhë do të bëjmë një plan kompleks për gjithë zonën e turizmit bregdetar, historik dhe malor. Plan me investime, promocion dhe krijimin e një ambienti të pastër. Sfida që vjen jemi koshientë që është e vështirë, por ne do ia dalim. Shëngjini dhe Lezha sezonin tjetër do të jenë tjetër gjë. Duhen më shumë projekte zhvillimi, punë nga pushteti qendror e lokal, si dhe ndërgjegjie qytetare.

Ardiana Jaku (Deputete e Partisë Socialiste)

Kjo verë ka pasur një tjetër dinamikë për mua. Më pak punë në zyrë dhe më shumë takime në terren, afër qytetarëve. Si fillim për të komunikuar me ta për fushatën vendore e më pas për të vijuar komunikimin për shqetësimet dhe problematikat personale, apo komunitare që kanë. Muaji gusht kishte kohë të dedikuar familjes, po të mos harrojmë që shumë prej të afërmve kthehen në vendlindje dhe është një moment i mirë për t’ju rikthyer komunikimit me ta. Opinioni, këshillat e padiskutim ndikimi i tyre është tejet i çmuar dhe duhet vlerësuar e marrë në konsideratë. Lezha ofron modele fantastike të njerëzve të kthyer nga emigracioni, të cilët falë punës së tyre, kanë arritur të kthejnë në pika kombëtare biznese që lakmohen nga gjithë Rajoni. Janë  pikërisht këta njerëz që, falë punës së tyre janë promovimi më i mirë që i bëhet vendit tonë dhe resurseve që kemi. Po nuk duhet të mjaftohemi vetëm me vijën bregdetare nga “Rana e Hedhun” e deri tek laguna “Kune-Vain” , apo me pikat e agroturizmit, ku rikthimi në traditën kulinare të zonës dhe shërbimi me cilësi e kanë çuar në nivel më të lartë turizmin në Lezhë, duke e bërë tërheqës edhe përtej kufinjve. Duhet që pushteti qendror, përmes politikave financiare mbështetëse dhe monitoruese të sigurojë qëndrueshmëri të sistemit. Po ashtu, pushteti vendor duhet të fokusohet në rritjen e promovimit të vlerave historike, kulturore dhe sociale që çdo Bashki ka. Kombinimi i këtyre tre faktorëve do të ndikonte në promovimin dhe arritjen e një shërbimi turistik cilësor dhe gjithëvjetor.

Astrit Patozi: (koordinator i Partisë Bindja Demokratike)

Pushimet i kemi kaluar në Shqipëri dhe me familjen, por nuk kanë qenë pushime klasike nga ato që shkëputesh nga gjithçka tjetër dhe shkon e piqesh në diell. Më shumë do të shkonte termi “pushime aktive”. Ndërsa sa i përket pyetjes tjetër, mund të them që, ne nuk kemi një standard mesatar të cilësisë së shërbimit në turizëm, të cilit mund t’i referoheshim. Nganjëherë brenda një territori prej 500 metra katrorësh mund t’i gjesh të gjitha variacionet e mundshme, që nga më e keqja e deri tek më bashkëkohorja. Por në përgjithësi mund të thuhet që jemi ende larg asaj që kanë bërë fqinjët tanë në këtë fushë, për të mos shkuar më larg pastaj, me vendet lidere të turizmit në botë. Shqipëria nuk ka nevojë për fushata publicitare të ngjashme me atë videon patetike, ku ftohet Liam Nëson t’i shikojë me dashamirësi shqiptarët, të cilët, sipas versionit patriotik nuk janë të gjithë banditë si ata që përshkruhen në filmat e tij. Por nga ana tjetër nuk duhet ta quajmë gjëmë, apo fundin e botës nëse ndodhin ngjarje të shëmtuara si ajo e Mihal Kokëdhimës me turistet spanjollë. është një proces, ku shteti duhet vetëm të mos prishë pune, pra që të mos jetë element frenues, që të deformojë tregun. Por është ky i fundit që e vendos dhe këtu bën pjesë edhe tradita e paktë, infrastruktura e dobët dhe mbi të gjitha agresiviteti i kapitalit vendas për ta kthyer investimin mundësisht që në vitin e parë, gjë që nuk ndodh askund në botë. Këto janë faktorë që ndikojnë për keq, por tek e fundit janë fatura që duhen paguar për shkak të historisë sonë të panatyrshme. Të jetë për mua, mendoj që kemi ecur relativisht mirë në këtë aspekt dhe se më të keqen tashmë e kemi kaluar.

Luan Rama (ish-deputet i LSI)

Unë prej kohësh u kam ikur pushimeve në kuptimin klasik të tyre, si vajtje në plazh për t’u rrezitur e thekur në diell. Preferoj të shkoj e të “pushoj” nëpër treva të ndryshme të vendit, duke shëtitur nëpër zona turistike, apo që për mua janë të tilla. E, edhe këtë verë, pas tre-katër ditëve në Drimadhë e Dhërmi, që për mua është një destinacion i përvitshëm prej shumë kohësh, kam udhëtuar nëpër gjithë zonën kufitare të Dibrës prej Gollobordës e deri në Kalanë e Dodës në Korab, kam qenë nëpër Mirditë deri në Kurbnesh, në buzë të Valmorit e më tej nëpër krahinën e Martaneshit, në Ballenjë e gjithë atë pllajë mrekullisht të bukur. Kam qenë edhe në Juglindje të Shqipërisë, nëpër të gjithë qarkun e Korçës prej Pogradecit në Ersekë, Leskovik e deri në Permet. Kam udhëtuar me familjen dhe me miq që nuk lodhen së udhëtuari. E në fund të gushtit, në Jalë në kampingun e LRI-së, një traditë e bukur dhe me shumë vlerë. mCilësia e shërbimit është nga mangësitë më të mëdha që ka jo vetëm turizmi ynë, po i gjithë sistemi ku ofrohen sherbime. Mungesa e etikës në komunikim, e cila mbërrin jo rrallë deri në shfaqje të mungesës së edukatës, është nje dukuri ende problematike. Shumë subjekte nuk e kanë mësuar ende impaktin pozitiv që krijon sjellja e qyteteruar, si element shumë i rëndësishëm i mikpritjes. Për pjesën ku pyesni mbi promovimin e vendit, unë nuk di të jap receta, por promovimi i larmisë së pasurive qe nuk janë vetëm turistike, bëhet keq, shpeshherë me arrogancë e mediokritet. Kam ndjekur një mori kronikash ku shfaqen të njejtat fytyra që pushtojnë ekranet gjatë gjithë vitit si politikanë apo përfaqësues të pushtetit, që duan të imponohen me të njëjtën cilësi të neveritshme propagande, për të na thënë se e bukur, apo tërheqëse është ajo që rekomandojnë ata. Prania në ekran gjatë sezonit të pushimeve e ministrit të turizmit dhe e kryetarit të bashkisë së Tiranës shumë më shumë se ca të tjerë, është për mua e papranueshme!

Nard Ndoka (Ish-deputet)

Nuk kam bërë pushime. Jemi në protestë dhe aksion opozitar, kështu që nuk ka sens të flasim për pushime.

SHKARKO APP