Ku është makina e krimit Audi AA 003 GB? Te Kodra e Diellit, Tiranë?
Makina e ish-ministrit Saimir Tahiri audi me targë AA 003 GB, e cila është pranuar nga Tahiri se i është shitur Habilajve, pra pjestarëve të bandës së drogës, nuk gjendet. Kjo makinë e ka rrotulluar ish-ministrin gjatë këtyre ditëve dhe për pak sa nuk e çoi në burg, sikur të mos ishte kryeministri Rama i cili e mbrojti nga dera e burgut. Por hetimi vazhdon. Anëtarët e bandës së trafikut të drogës të drejtuar nga vëllezërit Habilaj pritet të dalin para gjykatës së Katanias (Itali). Seanca e parë gjyqësore ndaj të arrestuarve në Itali është fiksuar në datën 31 tetor. Avokatët e 8 të arrestuarve kanë paraqitur ankesë ndaj vendimit të Gjykatës së Katanias. Dëshmia e të arrestuarve pritet me interes në Shqipëri, pasi në bisedat e përgjuara mes tyre ata kanë përmendur disa herë ish–ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili është nën akuzë dhe po hetohet në Shqipëri për trafik droge, pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë.
Katër nga të arrestuarit janë shqiptarë:
Moisi Habilaj, lindur më 18.01.1978, banues në Vlorë (kreu i bandës)
Fatmir Minaj, lindur më 15.04.1962, banues në komunë Modica të Raguzës, Itali
Maridian Sulaj, lindur më 27.01.2016, banues në komunë Modica të Raguzës, Itali
Nezar Seiti, lindur më 30.03.1977, banues në Vlorë (i arrestuar në Shqipëri)
Katër të arrestuar të tjerë janë italianë:
Angelo Busacca , banues në Raguza (i penduar)
Vincenzo Spampinato, banues në Palagonia, Katania
Gianluca Passavanti, banues në Katania
Antonino Riela, banues në Katania.
Policia italiane dhe ajo shqiptare janë në kërkim të tre anëtarëve të tjerë të bandës. Florjan Habilaj, vëllai i Moisi Habilaj, lindur në Vlorë më 11.10.1980. Armando Sulaj , vallai i Maridian Sulaj, lindur më 12.05.1984. Tigrens Mezuraj lindur më 29.07.1994
Ky grup akuzohet se ka dërguar në Itali tonelata me kanabis. Ai është mbajtur nën përgjim nga antimafia e Katanias prej vitit 2013. Në bisedat e përgjuara mes Habilajt dhe anëtarëve të tjerë të bandës përmendet disa herë edhe Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm i Shqipërisë në atë kohë. Në një rast anëtarët e bandës flasin për 30 mijë euro që duhet t’i dërgojnë atij. Në një tjetër bisedë flasin për 5 milionë euro që bën në muaj Tahiri, apo për 20 milionë euro që nuk i mjaftojnë për fushatë. Habilajt janë përgjuar edhe duke folur për disa dhurata të shtrenjta, byzylykë apo varëse të shtrenjta 10 deri në 15 mijë euro për nënën dhe bashkëshorten e Tahirit.
Por përveç akuzës së prokurorisë italiane, prokuroria shqiptare dyshon se audi AA 003 GB është përdorur si mjet kalimi të drogës nga pikat kufitare të Shqipërisë në drejtim të Italisë. Bile gazetarja e Ora News në Romë, Alba Kepi ka zbuluar një tjetër detaj nga dosje voluminoze e Prokurorisë së Katanias në lidhje me grupin e trafikut të drogës së Habilajve.
“Unë kam në dorë vetëm dosjen e parë, ku janë përfshirë shumë persona të tjerë por jo zyrtar të lartë. Pse zoti Tahiri në këtë dosje është përfshirë me makinën Audi. Në një episod të veçantë në dosje thuhet se Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çela. Thuhet që Moisi Habilaj sapo mbërrinte në Raguza me makinën Audi AA 003 GB e parkonte në parkingun e Anxhelo Buzaka një tjetër trafikant i arrestuar. Linte makinën në garazh dhe lëvizte në Raguza me një makinë të dorës së dytë.” – tha Kepi. Pra, sipas dojes italiane dhe shqiptare makina AA 003 GB vetëm shërbente sa për të kaluar pikat e kufirit dhe më pas kjo makinë mbyllej dhe lëvizej me makina të tjera për shpërndarjen e drogës.
Pyetja është se si ka mundësi që me këtë makinë te ish-ministrit kalohej nga Shqipëria dhe me pas kur arrinte në Raguza, ajo mbyllej dhe nuk përdorej? Nëse ishte makinë (pa hile), njeriu lëviz nëpër qytet dhe kudo me atë makinë me të cilën ka ardhur dhe e ka te veten. Apo jo? Pra sejcili që ka dalë jashtë shtetit me makinën e tij natyrisht që ka lëvizur apo kryer punë me makinën me të cilën e ka pronë të tij. Pikëpyetje e madhe fakti që deri në Raguza në Itali (qendra ku shpërndahej droga) Habilajt kanë shkuar me AA 003 GB dhe me pas, siç del nga dosja italiane e hetimit, ata e mbyllnin dhe lëviznin me makina të tjera. Dhe më pas kur mbaronin punë ktheheshin prapë në Shqipëri me audi AA 003 GB.
Histori interesante mafioze!
Por makina audi AA003 GB nuk po gjendet. Akuza ka ardhur mbrëmë nga Kastriot Myftaraj në emisionin “360 gradë” te Artur Zhejit në Oranews. Ai tha se makina është e fshehur te Kodra e Diellit në Tiranë, aty ku kanë shtëpitë shumica e drejtorëve të policisë shqiptare. Bile Myftaraj insistoi se as prokuroria shqiptare nuk po kërkon për ta sekuestruar makinën e krimit. Sipas tij deri mbrëmë makina ishte afër shtëpisë se Saimir Tahirit.
Në kërkim të makinës prokurorët e Krimeve të Rënda kanë zbuluar, se edhe targa që mbante ky automjet deri pak përpara arrestimit në Itali të Moisi Habilajt është ç`regjistruar në Drejtorinë e Transportit Rrugor. Nga një kërkim që ka bërë organi i akuzës, rezulton se kjo targë nuk është më në qarkullim. Pavarësisht kësaj hetuesit janë vënë në kërkim të automjetin, në banesat e Habilajve dhe në baza të ndryshme të miqve të tyre në Vlorë, Fier e Tiranë, por nuk kanë mundur dot ta gjejnë. Burimet thanë se pas çregjistrimit të targës AA003GB, makina është ritarguar, por edhe me këtë targë të re të shpallur “në kërkim” në gjithë territorin e vendit, ajo nuk po gjendet dot. Ka dyshime të forta se në kuadër të operacionit për zhdukjen e sa më shumë provave, që do të rëndonin në gjykatë Saimir Tahirin, mjeti është çmontuar dhe është çuar për skrap. Audi tashmë i famshëm, deri në këto momente do të përbënte një nga provat më të rëndësishme për gjykatën e Krimeve të Rënda.
Nga ana tjetër nëse arrihej që ky mjet të binte në duart e prokurorëve, do të mësohej nëse ishte ndërhyrë në pjesë të ndryshme të tij për të krijuar “xhepa”, ku zakonisht trafikantët fusin drogën. Ka dyshime se Audi i ish-ministrit të Brendshëm nuk përdorej në rrugët e shumta që ka bërë në Greqi dhe Itali për transport kanabisi, por për atë të drogave të shtrenjta, veçanërisht kokainës.
Por Kastriot Myftaraj insiston se ajo ndodhet e fshehur te Kodra e Diellit në Tiranë.
Megjithatë duhet që prokuroria ta hetojë dhe ta gjejë vendndodhjen e makinës AA 003 GB.