Kujdes, do ketë reshje të forta shiu dhe përmbytje!

Po vjen një valë reshjesh të cilat do sjellin përmbytje të mëdha. Paralajmërimi ka dy ditë që jepet nga institucionet shtetrore, por edhe nga media. Sipas meteorologut të njohur Sakis Arnautoglou sasia e reshjeve të shiut që do të bien nga e enjtja deri të dielën në mbrëmje do të jetë e barabartë me gjithë reshjet që bien në Shqipëri për gjysmë viti. E thënë në shifra do të kemi në shumë zona 500 ml ujë shiu në një metër katror shkruan TCH.

“Edhe në Shqipëri kushtet do të jenë tepër të këqija. Do të kemi shira të vazhdueshëm, nga e enjtja deri të shtunën të pakten, reshje të cilat do kenë edhe tension edhe vazhdimësi. Dhe ndoshta shkaktojnë edhe probleme, rritje të menjëhershme të nivelit të lumenjve dhe përrenjve, përmbytje në zona të caktuara ose edhe rëshqitje dheu”, thotë sinoptikani Sakis Arnautoglou.

I kontaktuar nga TCH meteorologu në fjalë ka theksuar se reshjet e dendura do të shoqërohen edhe me erëra të fuqishme mbi 7 ballë.

Televizioni shtetëror paralajmëron të gjithë banorët e zonave perëndimore të Greqisë, por më tepër shtetasit shqiptarë dhe gjithë ata që duan të lëvizin në këto ditë midis dy shteteve, të anulojnë për më vonë udhëtimin dhe të shmangin lëvizjet me automjete të çdo lloji në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, pasi kushtet e motit do të jenë ekstreme.

“Edhe në Shqipëri,në vendin fqinj, do të kemi shume shumë ujë,(shi),në ditët në vazhdim dhe të premten e tregojnë këtë hartat e parashikimit”, tha Arnautoglou.

Sipas përshkrimit të sinoptikanit grek kemi të bëjmë me një fenomen që konsiderohet si një “bllokim trafiku” i sasive të jashtëzakonshme të reve të ngarkuara me shi mbi zonat perëndimore të Greqisë dhe sidomos mbi jugun e Shqipërisë. Moti do të fillojë të normalizohet nga fillimi i javës tjetër.

“Sipas të dhënave nga institucionet tona, por edhe institucioneve ndërkombëtare parashikohet që në vendin tonë në datat 30 nëntor, 1, 2 dhe 4 dhjetor të bien mbi 110 ml shi në 24 orë. Të njëjtën situatë do të ketë edhe veriu i Greqisë, çka do të rëndojë situatën në zonat tona jugore kryesisht vendet që përkeqësohen nga lumenjve Vjosa, Semani dhe Shkumbini, etj”, shprehet Shemsi Prençi.

Emergjencat Civile kanë lajmëruar të gjitha prefekturat e për të marrë masa, si në zonat urbane, edhe në ato rurale. Alarmi për prefekturat është dhënë të shtunën e kaluar, kohë e mjaftueshme për marrë masat. Kujdes duhet treguar sidomos në shkolla.

“Nëse do të vazhdojë procesi mësimor, gjatë ditës së premte, veçanërisht nxënësit e shkollave 9-vjeçare duhet të shoqërohen patjetër nga prindërit ose të afërmit”, u shpreh Shemsi Prençi.

“Në çdo sekondë që do të jepet sinjali për të reaguar. Të gjitha strukturat, duke filluar nga Drejtoria e Policisë së qarkut do të japin në kohë reale që popullata të mos gjendet në kushtet befasisë”, deklaroi prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj , zonë e cila do përmbytet.

“Në ditët e reshjeve të pakësojmë lëvizjen në rrugë, mbi të gjitha të lirojmë garazhet që janë përmbytur një vit më parë”, këshillon kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli.

 

SHKARKO APP