Kujt mafie i shërben sot kryeministri Rama me projektligjin e plehrave?

Pak muaj pasi qeveria Rama kishte ndaluar importin e të gjitha mbetjeve, një dokumentar i Journeyman.tv tregonte me fakte, me zë e figurë, se mbetjetjet në Shqipëri vazhdonin të futeshin, madje edhe ato të rrezikshmet. Dokumentari rreth 29 minuta titullohej “Vendi i Mbeturinave/ Si po bëhet Shqipëria mali i plehrave europiane”.

Gazetarët raportonin se megjithë ndalimin e importit nga qeveria Rama, ky aktivitet vazhdonte, kryesisht për letrën dhe skrapin. Ata intervistuan edhe kryeministrin Rama, i cili në mënyrë të prerë mohonte importin (shih dokumentarin më poshtë në rubrikën lajme të Lapsi.al, minuta 14:40). Faktet tregonin të kundërtën e asaj që thoshte kryeministri i Shqipërisë në mikrofonin e gazetarëve të huaj. Shqipëria, – thuhet në këtë dokumentar, – vazhdon të jetë e kërcënuar nga një katastrofë ekologjike dhe e rrezikon të bëhet mali i plehrave europiane.

Sot mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama ka dërguar në parlament një ligj të ri për plehrat, jo për të shtërnguar masat për të mos lënë që mbetjet e Europës të hyjnë në Shqipëri, por për ta legalizuar ardhjen e tyre. Një ligj që rrëzon të gjithë betejën që Edi Rama pati bërë kur ishte në opozitë, prej vitit 2010. Ky ligj e bën atë politikanin më të pavërtetë që ka parë Shqipëria.

e2365565-006c-457d-ad9c-7e3004547868

Për ta provuar këtë vetëm shihni se çfarë ka thënë Edi Rama në parlament kur votohej ligji i tij për të ndaluar importin e plehrave. “Është krejtësisht e qartë. Shqipëria sot dhe nesër nuk mund të importojë plehra nga jashtë. Ka vetëm një arsye, pse mafia i drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të pamundura për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufinjtë e tyre t’i hapin rrugën importit të plehrave. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve në nevojë në mungesë të qeverive dhe shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve” (video 2, më poshtë).

Sot, më shumë se dje kur importi i plehrave ndalohej, Shqipëria është në rrezik nga plehrat dhe mafia e plehrave që duket se më në fund e gjeti rrugën e duhur për të depërtuar.

Qindra mijëra tonelata plehra të vendeve të ndryshme të botës do të zbarkojnë në një vend, ku ashtu siç thoshte kryeministri Rama në fund të vitit 2013, e ka të pamundur të kontrollojë ruajtjen e standardeve dhe është më shumë se kurrë nën ndikimin e interesave të jashtëzakonshme financiare, që këtë herë lidhen me fatkeqësinë e shqiptarëve.

Këtë fakt e pranon edhe vetë mazhoranca, ndonëse në mënyrën më qesharake të mundshme. Duke vënë në dyshim aftësinë e autoriteteve shqiptare për të kontrolluar mbetjet po ashtu edhe besueshmërinë e Ramës ndaj publikut, LSI propozoi që grupe të shoqërisë civile të kontrollojnë mbetjet ne dogana.

Ky propozim, përveç se i tejkalon kufinjtë e marrëzisë për shkak se është e paimagjinueshme se si dhe me ç’mjete do t’i kontrollojë shoqëria civile qindra mijëra tonelata me plehra që vijnë nga jashtë, vë në lojë sa shqiptarët aq edhe kryeministrin.

Nga njëra anë LSI e nxjerr të pabesueshëm Edi Ramën, nga ana tjetër, duke mos patur më guximin për të dalë hapur kundër tij, u thotë shqiptarëve të dalin nëpër dogana për t’i monitoruar mbetjet.

e2365565-006c-457d-ad9c-7e3004547868

Po kaq qesharake është mbrojtja që Edi Rama po i bën këtij vendimi. Ai nxori Eduard Shalsin për ta përdorur edhe njëherë në një betejë me moral të humbur. Sepse Shalsi i tij nuk dha dot një arsye mbrëmë në emisionin Opinion se përse Shqipëria kishte nevojë të importonte mbetje.

Por ashtu si 3 vjet më parë, që subkoshienca i nxorri shprehjen “nuk do të vjedhim kaq hapur si këta”, ashtu edhe mbrëmë Shalsi e tha një gjysmë të vërtetë të arsyes së ndryshimit të ligjit. Ai përmendi një marrëveshje mes Erion Veliajt dhe bashkisë së Veronës për të përpunuar mbetjet.

Ai foli për një biznes, i cili vetëm pak javë më parë nxorri në dritë një skandal të Veliajt, që i kishte dhënë leje një kompanie private që ndërtonte impiantin e saj në mes të landfillit të Sharrës. Kompania ishte e kreut të PS –së së Peqinit, Edurim Teqes, i shpallur në kërkim pas vdekjes së 17 –vjeçarit Ardit Gjoklaj, teksa punonte natën “në të zezë” në landfillin e Bashkisë së Tiranës shkruan lapsi.

Investimi personal i Veliajt në industrinë e riciklimit të mbetjeve nga njëra anë dhe ai Ramës nga ana tjetër flasin qartë për arsyen përse Edi Rama po e lejon importin e mbetjeve.

Ka vetëm një arsye për këtë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, siç shprehej dikur Rama: Interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve në nevojë në mungesë të qeverive dhe shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve.

Në këtë rast pyetja është: interesave të kujt po u shërben Edi Rama?

shekulli_0

Sot në sallën e Kuvendit shkon një ndryshim në ligj për të lejuar importin e mbetjeve nga jashtë me qëllim riciklimin. Kjo iniciativë që publikisht është marrë përsipër nga 3 deputetë të mazhorancës ka hasur menjëherë në një reagim të opinionit publik, ambientalistëve dhe shoqërisë civile. Kryeministri Rama këtë të enjte do të ngrejë dorën kundër vetë-vetes pasi hedh poshtë vendimin e parë që ka marrë si kryeministër kur hyri në zyrënë vitin 2013: ndalimin e ligjit të importit të mbetjeve.

Transformimin e pabesueshëm të kreut të mazhorancës e ka nxjerrë në pah edhe gazeta “Shekulli” e ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima që ka shtuar dozat e kritikave ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Fakt është që kjo gazetë në vite është reshtuar në krah të atyre që kundërshtonin importin e mbetjeve edhe kur këtë e kanë tentuar i pari Fatos Nano në vitin 2004 e më pas Sali Berisha në vitin 2010. Këtë të enjte gazeta sjell një shkrim vitit 2010 të publicistit të ndjerë Ardian Klosi, që siç dihet ka qenë një mik i vjetër i Edi Ramës.

Në të dyja fushatat kundër importit të mbetjeve Rama ka qenë në krah të Klosit. Fillimisht ai e mbështeste atë në hije kundër Fatos Nanos. Më pas në opozitë doli hapur kundër këtij vendimi të Sali Berishës. Tani Rama kryeministër i ka fshirë këto ngjarje sepse ka arritur atë për të cilën luftoi fort: marrjen me çdo kusht të pushtetit. Asgjë nuk ka ndryshuar në 3 vite përveç vërtetimit se Rama nuk e ka besuar asnjëherë kauzën e mbrojtur prej Klosit, por ai gjithmonë ka menduar si ta përdorë atë për të kapur pushtetin.

“Shkrimi më i fundit i botuar te gazeta “Shekulli” në tetor 2010, (nga Klosi) është sa aktual aq edhe denoncues se përballë plehrave dhe biznesit të tyre shumëmilionësh kriminal, qeveritë kanë të njëjtën sjellje” – akuzon Shekulli në shkrimin që mban emrin e kryeredaktorit Arben Rozhani.

Aty thuhet se fjalët e ish-zv.ministrit të Mjedisit Bino në atë kohë ngjajnë njëlloj me ato të deputetëve të sotëm socialistë që thonë se janë të detyruar ta rikthejnë ligjin  për importin e mbetjeve për nevoja të industrisë ricikluese.

“Ai (Klosi) i dha fund jetës më shumë se një vit para se ish-miku i tij Edi Rama të bëhej kryeministër dhe të firmoste VKM-në e parë që do të ndalonte importimin e plehrave në Shqipëri, ligjëruar nga Berisha. Edi Rama do ta kujtonte ish-mikun e vet, Ardian Klosi në fund të prillit të kaluar, kur në kryeministri u promovua libri i autorit Oliver Schmit ”Për Ardian Klosin, gjermanin nga Shqipëria”. Ai i përmendi të gjitha aktivitetet letrare apo civile të Klosit, deri edhe protestën kundër prishjes së Piramidës nga Sali Berisha, por “harroi” atë kundër importit të plehrave” – shkruan Shekulli.

Rama madje kujtoi edhe se e kishte parashikuar se do të vetëvritej, gabimisht me revole, kur ai përdori litarin. “Kur ai ndërtonte shtëpinë te liqeni, thoshte do të bëj një papafingo aty lart. Mirëpo, shtëpia ishte vendosur në një pozicion që nuk kishte asgjë rreth e rrotull dhe zakonisht, kur unë shkoja ndonjëherë, ishte muzg dhe kishte një qetësi të jashtëzakonshme dhe i thosha se pak a shumë në këtë orë, këtu lart do të ndjehet një krismë e thatë, pastaj do të ngrihen dy rosa nga pasqyra e liqenit dhe pastaj do të merret vesh që i madhi Ardian Klosi nuk na tha lamtumirë, por na tha “Ik pirdhuni!” – kujtonte Rama.

“Shekulli” bën edhe një hamendësim të fortë se vetëvrasja e Klosit ishte një lloj “prerjeje në besë” nga Edi Rama që me ardhjen në pushtet është reshtuar në krah të atyre që mbrojnë plehrat apo duke vazhduar politikat e mbrapshta të Sali Berishës.

“Ardian Klosi u nda nga jeta në moshë shumë të re. Motivin e mori me vete. Por nëse do të ndodhte sot, do të hamendësonim ndonjë motiv, si p.sh. dhimbja që ish-shoku i tij “i armëve”, është në krye të atyre që mbrojnë plehrat, është vazhdues i politikës së mbrapshtë të Berishës dhe do t’i jepte fund jetës ndoshta jo me litar, por me armë, ashtu siç e kishte parashikuar Edi Rama, duke thënë: Ik pirdhuni!. Sikur Edi Rama të ishte sot opozitar, kë do të kujtonte te rubrika “AMARCORD” në profilin e tij në “Facebook”? Do të vinte foton e aktivistit dhe ish-mikut të tij që dilte kundër planeve të Nanos dhe Berishës për importimin e plehrave të Europës? Apo të përsëriste shprehjen që tha për të në prill 2016?” – shkruan “Shekulli”.

Gazeta thotë se qeveria shqiptare e ka motivuar rikthimin e projektligjit për importin e mbetjeve për të shpëtuar industrinë e riciklimit nga falimentimi. Por këta investitorë sipas saj i përkasin të djathtës dhe që kanë mbështetur Berishën në pushtet.

“Pak muaj më parë, kur qeveria deshi organizojë një tryezë të rrumbullakët për mjedisin dhe mbetjet, pyetën se kë mund të ftonin. Doli që ishin të gjithë të djathtë, biznesmenë që ishin rritur si kërpudhat pas shiut në industrinë e tyre helmuese gjatë qeverisjes së Berishës, që kanë ngritur impiantet e tyre vrasës anash ose në mes të zonave të banuara duke vjellë helm dhe vdekje ndër banorët e injoruar nga strukturat shtetërore. Mund të jetë shtuar edhe ndonjë biznesmen i majtë në listë për biznesin e plehrave, por në përgjithësi janë të djathtë dhe aspak të injoruar nga qeveria prej anësisë politike. Përkundrazi. Qeveria e koalicionit të majtë, prej shtatorit 2013, është përpjekur me mish dhe me shpirt për të ndihmuar në lulëzimin e bizneseve që u rritën nga Berisha” – shkruan “Shekulli”.

Gazeta sjell si argument edhe shlyerjen e borxheve që sipas saj çuan miliona euro te biznesmenët që kishin marrë punë nga Berisha.

“Ato 720 milionë dollarë borxhe që sot Rama tha se ishin borxhe të papaguara, iu dhanë biznesmenëve që kishin marrë punë nga Berisha gjatë 8 viteve të tij si kryeministër. Koncesionet e dhënë deri para largimit të Berishës jo vetëm nuk u zhbënë, por vetëm sa janë forcuar dhe bërë edhe më gjakpirës” – shkruan “Shekulli./lapsi.al/

Shkrimi i Ardian Klosit në vitin 2010

Demagogji e re për një projekt të vjetër

Nga Ardian Klosi

Një projekt i vjetër dhe gjithmonë i dashur i qeverive Berlusconi: shkarkimi i mbeturinave të Italisë në Shqipëri merr jetë sërish. Në të vërtetë e prisnim prej kohësh dhe po na habiste vonesa e qeverisë Berisha për të hequr pengesat ligjore që ndalojnë importimin e plehrave në Shqipëri. Të gjitha projektet e tjera që kishin zënë fill nën qeverinë Nano, të cilat mund t’i përmbledhim nën titullin: lehtësimi i fqinjit të madh nga industritë dhe veprimtaritë e tjera ndotëse duke përdorur Shqipërinë, po bëhen realitet: ngritja e TEC-eve në Porto Romano, e portit të hidrokarbureve me rafineri në Vlorë etj. Me sa kuptohet për mbeturinat urbane u gjet çasti i duhur për ta shpallur: pasi u platit konflikti për Petroliferën në Vlorë, pasi u shpallën njëra pas tjetrës dhe filluan të ndërtohen fabrikat e çimentos në ultësirën nga Fushë Kruja në Shkodër, pasi u dha zona e Karaburunit dhe Llogorasë për mullinjtë me erë të një firme siciliane, pasi zuri vend mirë edhe centrali bërthamor në protokollet e bashkëpunimit të ardhshëm midis dy shteteve, pasi u harrua disi nga media lufta për mbeturinat urbane që përfshiu Napolin dhe zona të tjera të jugut italian, qeveria Berisha kërkoi këto ditë që të hiqet ndalimi për importimin e plehrave në Shqipëri.

Çast më të mirë për të hedhur një hap të tillë në vështrimin e tij nuk mund të kishte: ende s’mund të thuhet që kjo qeveri është e paralizuar nga skandalet e shumta që i janë hapur ose nga protesta këmbëngulëse të opozitës. Ende është ajo periudha e mjegullt kur mund të merren vendime, siç ishte 2004, një vit para zgjedhjeve për Fatos Nanon kur ai bëri marrëveshjen për Petroliferën dhe atë me Beketin për sjelljen e mijërave tonelata me mbeturina nga Italia. Për më tepër, Berisha e bën këtë lëvizje pasi ka provuar që vetëdija ekologjike dhe lëvizja ambientaliste në këtë vend janë të tepër dobëta; e për sa u takon protestave popullore siç ndodhën në qershor 2004, këtyre me sa duket s’ua ka më frikën sidomos pas Gërdecit, pas përfundimit të protestave në Vlorë dhe tani në fund protestave politike të opozitës.

Këto janë testime të rëndësishme për një ujk të vjetër të pushtetit dhe politikan që nuk ka asnjë skrupull kur është fjala për t’u shërbyer të fuqishmëve, njerëzve që mund ta mbajnë në pushtet, grupeve okulte siç janë bizneset famëkëqija të eksportimit të plehrave të rrezikshme, pa përfillur interesat e sotme dhe të ardhme të Shqipërisë. Shqipëria, siç u vu në dukje me të drejtë këto ditë, është e paaftë të zgjidhë problemin e mbeturinave të veta urbane e jo më të përpunojë plehra të importuara. Argumenti se me djegien e këtyre plehrave përfitohet energji është sa qesharak aq edhe i dëmshëm: qesharak sepse përfitimi është minimal në krahasim me koston e transportit, ndarjes së mbeturinave, koeficientin e energjisë termike që çliruakan këto mbeturina në djegie (edhe një TEC me naftë që ngritën në Vlorë nuk po e vënë dot në punë për shkak të kostos së lartë të lëndës djegëse); i dëmshëm, sepse në mbeturinat që vijnë për djegie në inceneratorë fare mirë mund të fshihen mbeturina të rrezikshme radioaktive etj.

Ligji për ndalimin total të importimit të plehrave në Shqipëri është i mirë sepse është në këtë fushë i vetmi ligj që mund të zbatohet sot për sot tek ne. Prej çastit që fillojnë përjashtimet, i hapet porta së keqes; kush është në gjendje të dallojë në këtë vend mbeturinat e rrezikshme si elementet e djegies bërthamore, ose mbeturina kimike ose spitalore etj? këtu e shumta mund të dallojnë letrën nga xhami, rakinë nga uji dhe kaq. Përfytyroni një doganier në portin e Durrësit i cili do shquajë mes dengjeve me plehrat e Pulies mbeturina fosfatesh ose uraniumi nga veriu i Italisë dhe Europës. Absolutisht e pamundur, ndaj e vetmja rrugë për sa kohë ekziston kjo injorancë dhe ky nivel zbatimi ligjesh e rregulloresh te ne, është ndalimi total. Ç’ishte ky lajm i mirë i pasuar nga një lam i keq? Sikur të kishte këtu impiante për riciklimin e letrës, të plastikës, të aluminit etj., atëherë do të funksiononte i gjithë zinxhiri, nga ndarja e mbeturinave te furnizimi i fabrikave që thotë zv. ministri. Sikur të mos funksiononte, atëherë do të subvenciononte qeveria që të funksiononte kjo industri ricikluese.

Kush ka qoftë dhe një fije mendimi ekonomik në kokë e kupton që në qoftë se në Itali a kudo gjetiu në vendet e zhvilluara europiane, mbeturinat janë ndarë dhe janë bërë gati për riciklim, ato nuk kanë nevojë të ngarkohen në vaporë për t’u prurë te impiantet e riciklimit në Shqipëri. Kjo nuk është një punë dore, si bie fjala qepja e të mbathurave, që të del më lirë t’i gatitësh në Kavajë sesa në Milano, jo ky është një proces industrial riciklimi ku natyrisht, nëse kursen rrugën, ke ulur dhe çmimin e produktit të ricikluar. Por e mësuar me një popull që s’kundërshton, që është tepër i lodhur nga këta politikanë, me vetëdije tepër të ulët ekologjike dhe tepër individualist në veprimtaritë e tij, qeveria i heq atij nëpërmjet zv.ministrit të saj të Mjedisit edhe mundësinë që të ketë një fije mendimi ekonomik në kokë.

Kur dëgjon një arsyetim të tillë pyet: por përse duhet një arsyetim? Si kanë ardhur punët, është më mirë që kjo qeveri të mos japë asnjë shpjegim për punët që bën sepse ajo punët e këqija i bën që i bën, ndaj dhe nuk është nevoja të fyhen kaq keq njerëzit në inteligjencën e tyre. E gjitha është një demagogji e keqe për të fshehur projektin e rrezikshëm të importimit të plehrave nga Italia dhe vende të tjera të zhvilluara në Shqipëri, një projekt që e dinim të vdekur qysh në 2004-n. Ai duhet ndaluar me të gjitha mënyrat, në radhë të parë me anë të vetëdijesimit të qytetarëve shqiptarë, duhet organizuar edhe një herë shoqëria civile, në qoftë se projekti s’mund të ndalet politikisht, për të ndaluar shitjen e mëtejshme të interesave të vendit në formën më të keqe të mundshme, atë të helmimit të tokës dhe ajrit të tij me mbeturinat e të tjerëve.

*Botuar te gazeta “Shekulli”, më 16 Tetor 2010. Ribotohet sot kur qeveria pret të votojë importin e mbetjeve urbane në seancën plenare

Komentuesit i turren Edi Rames:

Edi Rama nuk pati guxim të dalë t’u flasë shqiptarëve përballë se përse po e zhbën vendimin e parë që ai mori sapo hyri në zyrën e kryeministrit. Ai u fsheh pas Eduard Shalsit dhe nuk sqaroi përse po e lejon importin e mbetjeve. Dhe ashtu siç bën jo rrallë herë kur është në hall, e provokon pulsin e shqiptarëve nga Facebook -u. Kësaj herë ai hodhi dy foto për të treguar se situata e menaxhimit të mbetjeve ka ndryshuar. Janë dy foto nga landfilli i Elbasanit, për të cilin ka një hetim. Por komentuesit i janë vërsulur të gjithë: Mbaj premtimin, mos lejo importin e mbetjeve. Rama nuk ka mundur të gjejë asnjë përgjigje. Duket se ai nuk di çfarë t’u thotë shqiptarëve që i gënjeu  nga viti 2010 dhe i përdori për të marrë pushtetin. Ai nuk u thotë dot se interesave të kujt po u shërben me vendimin e beftë për të lejuar importin e plehrave. Po t’u kishte shërbyer interesave të shqiptarëve, duhet së paku t’i kishte pyetur, ose t’i drejtohej referendumit, siç thoshte kur ishte në opozitë. Komentuesit e zhgënjyer i kujtojnë se ai është bërë më keq se Berisha. /Lapsi.al

 

Diskreditimi i dytë i Sazan Gurit

Sazan Guri, ai që mediat e parisë e trumbetojnë si ambjentalist, njëri nga ata që kur e urdhëruan doli kundër mbetjeve kimike siriane, ka thënë në një intervistë për Dritare.net se “të jesh kundër importit të mbetjeve është marrëzi”. Mirëpo Guri që në debate në media bërtet shumë për “mjedisin”, para disa muajsh mbeti memec në një debat kur kryebashkiaku i Tiranës Veliaj i përmendi pa shumë takt se “ta mbaj tët bir në punë, e ke parasysh vetë ti”. Dhe tani që djali i Sazanit vazhdon të japë leje mjedisore në emër të Veliajt, ja ku del edhe ambjentalisti Guri në favor të importit të mbetjeve.

sazan-guri-480x360

Po ashtu, shumë të tjerë të ashtuquajtur ambjentalistë që marrin paratë nga burimet e huaja pranë Sektit të Rilindjes, si psh.Xhemal Mato, heshtin dhe e kanë aprovuar në parim importin e mbetjeve i cili sipas ekspertëve të shëndetit publik do t’a rriste me të paktën 2000 vetë në vit numrin e personave që diagnostikohen me kancer.

Paria merr paratë, Sazani dhe Xhemali thërrimet, neve na mbetet kanceri./bletashqiptare.com

 

Pse plehrat ia ulën kokën Ramës?

Në këto tre vite, sa herë është akuzuar, qoftë nga gazetërët kritikë, qoftë nga kundërshtarët politikë, se me qeverisjen e tij po ngre një sistem të mirëfilltë të grabitjes së shqiptarëve, Edi Rama e ka pasur gjithnjë të gatshme një përgjigje.

Kur i thonë se po e lëshon qeverisjen në duart e miqve të tij, të cilëve u ka dhënë koncesione marramendëse, ai përmend faktin se shteti nuk ka para t’i bëjë të gjitha.

Kur i thonë se po flirton me ish biznesmenët spekulantë të kohës së Berishës, ai justifikohet se nuk e bën me zemër, por ishte e pamundur të mos i zbatonte kontratat tashmë të nënshkruara.

Kur i thonë se po e mbush vendin me hashash si pasojë e një policie bashibozukësh të korruptuar, ai fshihet pas gishtit duke thënë se tani bie më shumë në sy, pasi tani po kapet më shumë.

Megjithëse aspak të besueshme, këto alibi, në të shumtën e rasteve kanë mbajtur gjallë për një kohë të gjatë propogandën e rilindjes dhe përballjen e saj në debatet me kundërshtarët.

Por sot, ka ndodhur diçka e rrallë.

Në rrjet po përhapet me shpejtësi një fjalim i kryeministrit të sapoemëruar në parlamentin e Shqipërisë. Një ushtrim i bukur oratorie i njeriut që, me kokën lart, (sapo kish nënshkruar aktin e tij të parë në zyrën e shtetit për ndalimin e importit të plehrave) shpjegonte një gjë të thjeshtë.

Shpjegonte me pak fjalë, se në ç’rast, njerëzit mund ta quanin me plot gojën hajdut, vetë atë, Edi Ramën.

Është tejet interesante të rishikohet sot ky fjalim tërë pathos, pjesë nga i cili Lapsi.al po i boton me video (shiko lajmin poshtë).

Aty Rama argumenton se pse në një vend të pafuqishëm dhe pa instrumentet e nevojshëm të kontrollit si ky yni, apo në të singjashëm me të, mafia rreket të eksportojë plehra.

Pasi thekson me plot gojën se as sot dhe as nesër, vieni re me vëmendje, nënvizon “as nesër”, Shqipëria nuk mund të importojë plehra nga jashtë, ai shpjegon se si do të quhej një politikan që do të tentonte ta bënte këtë.

Për Ramën e tre viteve më parë, ai do të ishte një njeri i kapur nga interesat financiare që i diktonte mafia.

Sot, deputetët e tij kanë bërë gati të miratojnë në Kuvend, pëkërisht ligjin që shefi i tyre abrogoi me pompë tre vite më parë.

Natyrisht për të mbuluar aq sa mundet këtë skandal të madh, ata pretendojnë se janë konsultuar me grupet e interesit, se duan të pengojnë vdekjen e sigurt të kësaj industrie, se kanë parashikuar vetëm importin e mbetjeve të sigurta, etj.

Në këtë ballo me maska është futur edhe LSI, që me sitilin e saj qesharak, sikur flet në emër të publikut, ka shtuar kushtin që ky import të mund të kontrollohet nga shoqëria civile (imagjinoni, një rrezik të cilin nuk e pengon dot armata e administratës shtetërore, do ta monitorojnë ata pak militantë ambientalistë).

Por të gjitha këto argumenta janë vërtetë pallavra.

Mjafton të shikohet fjalimi i Ramës i tre viteve më parë, ku ai flet për pamundësinë e shteteve si ky yni për të përballuar mafian e plehrave për të kuptuar gjithçka.

Rama e thotë troc, pa përdredhje dhe pa alibi të shpikura.

Nëse një qeveri e bën këtë në Shqipëri, ajo është një qeveri hajdute që punon kundër kombit të vet.

Po atëherë, nëse kjo shumicë e kalon këtë ligj në parlament, a kemi të drejtë ta etiketojmë Ramën me fjalët që ai vetë ka zgjedhur për veten?

A nuk është kjo edhe një provë më shumë se edhe për rastet e tjera abuzive, kur ka mundur të shpikë një alibi, ai është motivuar nga interesa financiare që ia ka imponuar mafia? /Lapsi.al/

AKIP paralajmëron rikthimin e referendumit kundër importit të plehrave

Dhjetëra pjesëtarë të shoqërisë civile dhe aktivistë të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) u mblodhën të hënën përpara Piramidës për të shprehur kundërshtimin e tyre për ligjin e importit të mbetjeve, rikthimin në axhendën parlamentare të të cilit e quajtën një “rrufe në qiell të hapur”.

“Është për t’u habitur se si po rikthehen plehrat. Kryeministri që nga dita e parë në pushtet e ndaloi importin e plehrave në respekt të elektoratit të tij dhe 65 mijë votave kundër [të peticionit],” tha në protestë një nga themeluesit e AKIP, Andi Tepelena.

“Ligji nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe pseudo dëgjesat e mbajtura nuk kanë përfshirë as ministrinë e bujqësisë apo atë të turizmit… dhe as komunitetin e banorët e zonave”, shtoi ai.

Nga viti 2011 deri në vitin 2013, Shqipëria u përfshi nga një debat i gjerë kundër ligjit të importit të mbetjeve të riciklueshme, të cilën qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha vendosi ta çojë për miratim në parlament.

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe aktivistë të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) protestojnë kundër ligjit për importin e plehrave. 19 shtator 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe aktivistë të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) protestojnë kundër ligjit për importin e plehrave. 19 shtator 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Pas nismës së udhëhequr nga Partia Socialiste për një referendum mbi këtë çështje, e cila mblodhi 64,000 firma, data e referendumit u caktua më 24 dhjetor 2013. Për shkak të presionit të madh qytetar, qeveria Berisha u tërhoq nga importi i mbetjeve në shtator 2013 duke shkaktuar anulimin e referendumit.

Megjithatë, aktivistët mjedisorë pretendojnë se rikthimi i ligjit në parlament, u jep atyre të drejtën të rikthejnë automatikisht referendumin.

“Ata po riaktivizojnë objektivin [e referendumit] të vitit 2013 dhe ne do ta riaktivizojmë në këtë mënyrë referendumin”, u shpreh Tepelena.

Aktivistët shprehën gjithashtu skepticizëm për kapacitetet e Shqipërisë në riciklimin e mbetjeve nga jashtë, pa zgjidhur më parë problemin e mbetjeve urbane të vendit, ndërsa paralajmëruan se ky ligj mund t’i hapë rrugën importit të mbetjeve edhe më të rrezikshme si ato spitalore dhe kimike.

Ata gjithashtu e cilësuan biznesin e riciklimit të mbetjeve si një biznes “mafioz” dhe që do t’i sjellë përfitime një grupi të vogël njerëzisht, ndërsa do të varfërojë banorët e zonave dhe do të shkatërrojë mjedisin ku do të krijohen landfillet.

Rrahim Jata nga lëvizja Ta Pastrojmë Shqipërinë, iu bashkua protestës së mjedisorëve, ku shprehu zhgënjimin e tij për riaktivizimin e ligjit, që sipas tij do të shkatërrojë përpjekjet e deritanishme të pastrimit vullnetar që synojnë futjen e Shqipërisë në hartën e turizmit për vizitorët e huaj.

“Jemi habitur të gjithë që nuk janë cituar ndikimet në mjedis apo nuk janë konsultuar grupet [e interesit]. Ne presim që qeveria të menaxhojë mbetjet që kemi dhe jo të krijojë ligj për importin e tyre,” tha Jata.

“Krimi mjedisor ka pasoja të mëdha te shtetet dhe në Shqipëri këto pasoja do të jenë edhe më katastrofale prej korrupsionit,” përfundoi aktivisti.

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe aktivistë të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) protestojnë kundër ligjit për importin e plehrave. 19 shtator 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe aktivistë të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) protestojnë kundër ligjit për importin e plehrave. 19 shtator 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Një protestuese tjetër paralajmëroi se rasti i Porto Romanos do të përsëritet nëpër të gjithë Shqipërinë nëse nuk ndalohet ligji për importin e mbetjeve.

“Banorët e Porto Romanos gjatë verës nuk mund të hapin dritaret e shtëpive të tyre për shkak të djegies së plehrave. Ne jemi ngujuar në shtëpitë tona, ndërsa shohim sesi të njohurit tanë sëmuren çdo ditë nga kanceri,” tha në protestë një banore e kësaj zone.

“Nëse plehrat janë kushti që Shqipëria të hyjë në Europë, atëherë ne nuk duam të anëtarësohemi në BE,” përfundoi banorja e Porto Romanos.

Më pas, protestuesit marshuan më pas drejt selisë së Partisë Socialiste me thirrjet “Nuk i duam plehrat” dhe “Jo plehrat në Shqipëri” dhe i kërkuan kryeministrit Rama të zbatojë konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut në vendimmarrje, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar.

Protestuesit paralajmëruan protestën e ardhshme të enjten përpara parlamentit.

 

SHKARKO APP