Kukan: Maqedonia merr negociatat në shtator, Shqipëria nuk ka shanse

Shqipëria ka pak shanse që të marrë çeljen e negociatave me BE në shator. Ky skenar tashmë pranohet edhe nga eurodeputetët që kanë mbështetur qeverinë “Rama” dhe deri pak ditë më parë thoshin se është në rrugë të mbarë.

Eduard Kukan, një nga politikanët e Parlamentit Europian që është marrë gjatë më problemet e Shqipërisë në rrugën e integrimit, thotë se Tirana ka ende probleme. Në një intervistë me Shoqatën Sllovake të Politikave të Jashtme (SFPA), Eduard Kukan, i cili kryesoi Grupin Punues të Ballkanit Perëndimor gjatë kohës së tij në PE, shpjegon se Maqedonia e Veriut ka vite që i plotëson kriteret, por Unioni po e shtyn hapjen e negociatave, të cilat, ai beson, janë absolutisht të turpshme dhe demotivuese.

Nga ana tjetër, ndërsa është i vetëdijshëm se Tirana po pret edhe një hap të ngjashëm, Kukan beson se situata në Shqipëri është krejtësisht e ndryshme. “Ata duhet të zbatojnë një reformë të madhe gjyqësore, opozita bojkoton parlamentin dhe, mbi të gjitha, shqiptarët nuk mund të gjejnë kompromise”,- theksoi ai.

Kukan është dhe më i prerë në qëndrimin e tij duke thënë se “do të ishte joreale që Shqipëria të merrte datën për momentin”. Lidhur me Maqedoninë e Veriut Kukan thotë se asaj “mund t’i jepet një datë specifike në samitin evropian në vjeshtë, të cilën unë e konsideroj realiste”,- thotë ish-deputeti, duke shtuar se, ndërsa Emmanuel Macron kishte deklarata shumë kategorike për këtë çështje, duket se ai tashmë po i lehtëson ato.

Eduard Kukan është një njohës i mirë i politikës në Tiranë, edhe BE, dhe deklarata e sotme nuk është një parashikim, por gati një konfirmim i moshapjes së negociatave. Një skenar i tillë, që cilësohet më negativi për vendin do të shënojë dhe dështimin më të madh të qeverisë “Rama”. Të gjitha arsyet e mosdhënies së statusit, reforma në drejtësi, bojkoti dhe mungesa e kompromisit janë llogari që kërkojnë përgjigjen nga PS dhe kryeministri, dhe jo opozita.

SHKARKO APP