Kur Dvorani flet me gjuhën e Udhëheqësit të Rilindjes!
Presidenti shpjegoi mbrëmë, para shqiptarëve, se si Rilindja e kryeministrit Rama po punon për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe natyrisht edhe Gjykatën e Lartë. Ilir Meta foli për një mekanizëm mafioz që po vepron Rilindja. Ai shpjegoi se si loja e kryetarit të Këshillit të Emërimëve në Drejtësi (KED) është tërërisht si një veprim mafioz, pasi luan për llogari të kryeministrit Rama e jo për të zbatuar reformën në drejtësi.
E gjithë skema rilindase është në tratativa se si të fusin në dorë gjykatën kushtetuese, pasi iu duhet për të zyrtarizuar zgjedhjet e 30 qershorit 2019 si dhe për marrëveshjen e detit, ku duan ti falin Greqisë (mundet në këmbim të miliardave euro) një pjesë të detit shqiptar. Por të gjitha këto, e jo vetëm këto, duan firmën e gjykatës superior shqiptare, kushtetutueses.
Ndaj janë hedhur më kohë në veprime mafioze, pa u ndier shumë, por si skuthat për të seleksionuar emrat që duan. Dhe si të mos mjaftojë kjo, edhe te emrat e seleksionuar nga KED, prapë fusin ato që i kanë më të sigurtë për votën nesër në gjykatën kushtetuese.
Presidenti shpjegoi qartë dhe foli prerë se nuk do të lejojë një gjykatë kushtetuese që zgjidhet nga grupi mafioz i Rilindjes, por në realitet kryeministri Rama po fut duart në emrat që synon. KED jo si organ, por kryetari Ardian Dvorani, po punon në linjën e Rilindjes.
Edhe në përgjigjen e tij të sotme si kryetar KED insiston dhe sikur e vulos se anëtare e gjykatës kushtetuese është Arta Vorpsi e jo Marsida Xhaferllari, të cilën e ka dekretuar Presidenti. Gjuha e drunjtë, por rilindase e Dvoranit, thotë se “ne do të njohim atë që vendosim ne (pra Rilindja)”.
Kjo lojë e rrëzikshme, antikushtetuese dhe mafioze, e Rilindjes, duke përdorur njerëzit që ka katapultuar në disa institucione kushtetuese, mbetet një rrezik për zbatimin e ligjit.
Rilindja është hedhur në sulmin final për të kapur përfundimisht gjykatën Kushtetuese, pasi të tjerat i ka kapur.