Kur Fatos Nano dyshohej se kishte shtypur për vdekje një 70 vjeçar
Aksidenti i shkaktuar nga deputeti Aqif Rakipi sjell në vëmendjen e publikut një tjetër aksident, atë të Shkallnuerit në shkurt 2001, ku dyshohet se u përfshi Fatos Nano dhe gruaja e tij e ardhshme.
Deputeti Rakipi u largua nga vendngjarja por më pas u dorëzua, ndërsa aksidenti i vitit 2001, për shkak të asaj që ndodhi më pas, u shndërrua në krim pa ndëshkim dhe bashkëpunim në zhdukjen e provave.
Shkallnuer. Vetëm tre ditë nga shkurti 2001. Errësira ka rënë ndjeshëm rreth orës 19 të darkës. Një makinë rrëmben një kalimtar e përplas për tokë. Një dëshmitar ka parë gjithcka nga pika e karburantit pranë aksidentit. Në vendngjarje vjen policia rrugore, por ajo që identifikohet është vetëm viktima. Petrit Islami 70 vjeç.
Kerkimet mbeten vetëm dialogje pa përgjigje në radio policie. Makinën e përpin dheu, udhëtarët e natës gjithashtu.
Çeshtja Penale Nr.45 pezullohet për mos zbulim te autorit më 25 Korrik nga Prokuroria pranë Gjykates së Shkallës së Parë Durrës.
Robert Qirjo, ishte shef i qarkullimit rrugor të Durrësit në kohën e ndodhjes së aksidentit. Dëshmia e tij u zhduk nga dosja hetimore.
DITA ka botuar sot këtë dokument që mendohej i zhdukur, por doli në dritë gjatë një rihapje të hetimit në nëntor 2004
Hetuesi: Më shpjegoni edhe njeherë të vërtetën sipas asaj që di.
Roberti: Ngjarja ka ndodhur në orën 7.30 te datës 3 shkurt 2001.Kam qënë në lëvizje. Më njofton patrulla për një aksident : është gjetur nje person në asfalt. Kam shkuar menjeher atje. Njoftova oficerin e rojes .Vajti grupi. Shkova tek vëndi i ngjarjes. Atje mora vesh se kishte vdekur.
Hetuesi: Në çfarë asfalti ndodhi kjo?
Roberti: Në Shkallnuer. Ishte kohë me shi. Kam parë vëndin e ngjarjes. Me përjashtim të disa copave të xhamit, që për mendimin tim ishin copat e pasqyrës së krahut të djathtë nuk kam parë gjë tjetër.
Hetuesi: Personi ishte i vdekur, apo e kishin nisur për në spital?
Roberti: Ishte nisur për në spital.
Hetuesi: Patrullën e keni gjetur aty?
Roberti: Jam lidhur direkt me Tiranën me 63-shin. Zoti Toska e di mirë këtë se kush është dhe pas një ore më kthyen përgjigje se nuk po vjen asnjë makinë të dhënat e së cilës pak a shumë i kishim përshkruar. Atëherë kam marrë makinën në vend ngjarje dhe kam shkuar deri ne Romanat. Nuk gjeta gjë. U ktheva, u lidha prapë me Tiranën (63), ka ndërhyrë pastaj nëndrejtori i Policisë së Tiranës.
Hetuesi: Si quhet ky?
Roberti: Sokol Bizhga. Me pas më është dhënë përgjigja në Drejtorinë e Policisë Durrës se Niko Brahimaj, atëherë ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Kriminale, po e ndiqte këtë problem. Në drejtori me thanë lëre atë punë se personi që ka bërë aksidentin është njeri tepër i nderuar dhe nuk bëhet shaka me të .
Hetuesi: Si ta thanë emrin?
Roberti: Nuk e mbaj mënd.
Hetuesi: Ligji të detyron .
Roberti: Pyesni drejtorin, Niko Brahimajn.
Shefi i qarkullimit Robert Qirjo merret sërish në pyetje më 10 Korrik 2001.
Hetuesi: Çfarë kujtoni nga kjo ngjarje?
Roberti: Po, erdhen këto ditë dy specialistë nga Ministria e Rendit . Ariani, drejtori im më tha që të mos i takoja.
Hetuesi: Përse?
Roberti: Fjala kishte marrë dhenë në Durrës se aksidentin e kishte bërë Fatos Nano, bile “Benz”-in e kishte fshehur në magazinën e…. Ishte ndërruar “Benz”-i i aksidentit atë natë me një tjetër që të mos kapej në hyrje të Tiranës.
Hetuesi: Kush?
Roberti: Ju lutem pyesni drejtorin…
Hetuesi: Po atë djalin që ka parë atë natë aksidentin a e keni thirrur ndonjëherë në polici?
Roberti: Patrullës i kishte thënë se në makinën që bëri aksidentin ishte një burrë me syze dhe nje grua doli nga makina . Ai i kishte parë nga karburanti që është shumë afër vëndit ku ka ndodhur aksidenti. Sipas djalit, nga pas makinës doli nje person tjetër që e ka hedhur viktimen në kanal afër rrugës dhe “Benz”-i ka ikur me shpejtësi.
Hetuesi: Po targa?
Robert: Ai djali nuk e mbante mënd mirë, por na tha se me sa dukej ishte 8227 E. Megjithatë nuk ishe i sigurt .Kemi hetuar plot. Po hetojmë edhe Ministrinë e Pushtetit Lokal. Atje ka një “Benz” të tillë.
Hetuesi: Konkretisht?
Robert: Nuk e di. Kaq munda. E di drejtori, e di Arjani…
(marrë nga Express)