Kur janë në tavolinë 2.7 miliardë euro Franca thekson se Serbia është vend demokratik dhe se “Kosova bën veprime të njëanshme”!

Serbia nënshkroi të enjten në mbrëmje me Francën marrëveshje për blerjen e avionëve ushtarakë francez Rafale, në nisje të vizitës dy ditëshe të Presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd. Marrëveshja me vlerë prej 2.7 miliardë eurosh, sipas zyrtarëve francez, është pjesë e strategjisë më të gjerë për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian.

Presidenti Macron e quajti marrëveshjen “historike dhe të rëndësishme” dhe vlerësoi “guximin strategjik” të Serbisë. “Është një demonstrim i vërtetë i frymës evropiane”, tha ai, duke nënvizuar se Serbia është vend me rëndësi për sigurinë në Evropë.

Presidenti serb Vuçiç, tha se Serbia do të blejë 12 avionë Rafale, duke e cilësuar blerjen “një lajm të madh”. Por ai nuk tha se kur do të arrijnë avionët në Beograd.

Ai tha se kjo paraqet blerjen më të madhe të armatimeve nga Perëndimi.

Serbia kishte shqyrtuar blerjen e avionëve të rinj Rafale për më shumë se dy vjet, pasi rivalja e saj në Ballkan, Kroacia bleu 12 avionë luftarakë të përdorur të këtij lloji në vlerë prej rreth 1 miliard eurosh.

Blerja i lejon Serbisë të modernizojë forcën e saj ajrore, e cila përbëhet kryesisht nga avionë MiG-29 të prodhimit sovjetik dhe avionë të vjetër jugosllavë. Rusia ka qenë një furnizues tradicional i Serbisë me avionë ushtarakë, helikopterë. Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

“E di që Emmanueli do të donte që ne t’i vendosim sanksione Rusisë, por nuk më vjen turp për vendimin tim”, tha presidenti serb. Presidenti francez tha se Serbia si vend sovran ka të drejtë të vendos vet për marrëdhëniet me vendet e tjera, ndonëse në një shkrim autorial të publikuar në të përditshmen proqeveritare serbe Politika, ai shkroi se “me shpërthimin e luftës në kontinentin tonë, të nisur nga Rusia, … ideja se Serbia mund të kërkojë rrugën e saj në lojën e përjetshme të drejtpeshimit midis fuqive… është thjesht një iluzion”.

Shitja e avionëve Rafale Serbisë e cila herë pas here ka shprehur një qëndrim agresiv ndaj fqinjëve të saj ballkanikë, ka ngritur shqetësime, një prej të cilëve është se si Franca planifikon të parandalojë që teknologjia e sofistikuar e këtyre avionëve të mos ndahet me Rusinë.

Por zyrtarët francezë thanë se “në çdo kontratë përcaktohet një kuadër për përdorimin” e mjeteve që shiten.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por nën sundimin gjithnjë e më autokratik të Presidentit Vuçiç, ajo ka bërë pak përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave demokratike, të cilat janë parakushte për anëtarësimin në bllokun 27-vendesh.

Presidenti francez tha se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë e procesit integrues dhe kjo çështje nuk mund të zgjidhet pa kompromise nga të dyja palët. Ai u shpreh i shqetësuar me ato që i quajti “veprime të njëanshme” të Kosovës, që sipas tij, nuk paraqesin shenja të mira drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai tha se Franca do të vëzhgojë “kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë”, duke nënvizuar se “në këtë aspekt, jemi veçanërisht të përkushtuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Në shkrimin e tij autorial në prag të vizitës në Beograd, Presidenti Macron ritheksoi përkushtimin ndaj marrëveshjes së arritur ndërmjet palëve në shkurt dhe mars të vitit 2023 në Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve, në bazë të një plani të hartuar nga Franca dhe Gjermania.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press

SHKARKO APP