Kur ministri tenton edhe si kryeminister
Dje patëm një reagim publik të ministrit të drejtësisë për dorëheqjet e drejtorëve të ipotekave. Me pak fjalë ministri injoroi kryeministrin. Kryeministri Rama para pak ditësh u kërkoi dorëheqjen drejtorëve në fjalë sikurse me pas edhe atyre të spitaleve , etj. Eshtë çështje debati dhe morali politik nëse veproi drejt apo jo kryeministri. Po të nisesh nga rrjetet sociale nuk rrinin pa e përgëzuar Edi Ramen për këtë veprim që ishte populist. Kënaqeshin me kokat e prera të drejtorëve, a thua se e keqja apo mungesa e mirëqënies ka ardhur nga këto drejtora që Rama u kërkoi dorëheqjen.
Po e përsërisim; ishte një lojë me publikun e Ramës kur po publikisht u kërkoi dorëheqjen. E bëri për të krijuar idenë se “këta ishin e keqja e qeverisjes” ndonëse pjesa intelektuale e shoqërisë shqiptare e di mjaft mirë se e gjitha ishte për të sulmuar LSI-në dhe për të thënë se “tashmë kemi shpëtuar nga këta të “tepsisë”. LSI e kritikoi fort Ramën për këto spektakle politike e mediatike.
Por nuk mund të themi se ka shkelur ligjin kryeministri Rama. Aspak. Eshtë e drejtë e tij që të veproj edhe në këtë mënyrë për të larguar ato me të cilët nuk dëshiron të punojë. Kryeministri përderisa është i votuar dhe i ligjshëm ka gjithë të drejtën të veprojë me fuqi ekzekutive, por edhe politike. Pra ligjërisht deri këtu është në rregull kryeministri.
Dalja e djeshme e ministrit të drejtësisë, i cili është ministër paçka e quajnë teknik apo sezonal, është një dalje politike. E palogjikshme dhe e padrejtë kur ndërkohë hedh poshtë porosinë dhe kërkesën e kryeministrit. Shefi i qeverisë ka fuqi të plota dhe nuk mundet asnjë ministër ta kundërshtojë apo edhe ta poshtërojë publikisht, edhe me shkrim, kur ministri mbetet vartes i kryeministrit. Nëse kryeministri mund të kishte kërkuar një gjë antiligjore apo antikushtetuese atëhere ka të drejtë ministri iks. Bile e denoncon në prokurori kryeministrin. Por në rastin në fjalë ka të drejtë kryeministri Rama.
Nuk mundet e nuk duhej të dilte publikisht ministri për të hedhur poshtë kërkesen politike të kryeministrit.
Mbahet mend shumë nga politika se si Ilir Meta kur ishte kryeministër i kërkoi Presidentit të Republikës shkarkimin e mënjëhershëm të ministrave Preç Zogaj dhe Zef Preçi pasi kishin kundërshtuar urdhërin dhe porosinë e kryeministrit Meta. Dhe Meta për dy minuta e njëzet sekonda ka firmosur shkarkimin e dy ministrave pa asnjë hezitim.
Qeveria ka hierarki, në të kundërt mos prano të jesh anëtar qeverie, por merru me zanatin tënd privat.
Dje kryeministri Rama duhej ta kishte firmosur shkarkimin e ministrit të drejtësisë mënjëhere dhe pa medyshje.
Fakti që nuk e bëri për të ruajtur dinjitetin e qeverisë dhe të shtetit tregon jo shumë dhembsuri, por dyshime se pakti Rama- Basha vazhdon. Ministri në fjalë eshtë teknik dhe vjen nga PD.
Kryeministrin nuk e duam të jetë i rreptë me qytetarët që nga halli edhe vjedhin energji elektrike se nuk ka e lekë për ti paguar pasi qeveria nuk u rrit mirëqënien. Kryeministrin e duam të jetë i rreptë me krimin, me padrejtesitë dhe kur kushdo shkel dinjitetin e kryeministrit.
Nuk e duam të thotë se po e fal këtë radhë një minister vetëm se qenka i PD!
Po të kishte qenë i LSI-së, a do ta shkarkonte mënjëherë siç bëri Ilir Meta me Preç Zogaj dhe Zef Preçi !?