Kur zbarkon në “Normandi”, Basha?
Sot një javë, fushata elektorale mbyllet zyrtarisht. Një ditë heshtje zgjedhore dhe të dielën me 25 qershor shqiptarët do vendosin me votën e tyre. Por deri më sot, “fronti i luftës” mes PD dhe PS ka qenë si të shkatërrojnë LSI, e cila realisht mbetet faktori numër një në krijimin e qeverisë së re të pas 25 qershorit. Ndërkohë që LSI forcohet dhe tashmë e tregoi edhe mbrëmë mitingu i saj në sheshin “Nënë Tereza”, ku kishte dhjetra mijëra njërëz (dikush thotë edhe 100 mijë), por akoma lideri i opozitës Lulzim Basha nuk po vendos të hap “FRONTIN E NORMANDISË”. Pas takimit me Presidentin amerikan Donald Trump duhet të jetë më i qartë Lulzim Basha dhe të synoj të jetë vetë kryeministri i zgjedhur, natyrisht me koalicion, por pa votat e PS-së dhe Ramës. Tashmë e ka marrë viston amerikane dhe duket se është i përzgjedhuri i Trump. Presidenti amerikan e bëri këtë gjest me foton e tij me Lulzim Bashën edhe si një qëndrim antiRama. Ndaj Basha duhet të fillojë betejën finale. Pa LSI nuk bën dot qeverinë, edhe LSI pa PD e ka vështirë për të nisur për pension politik Edi Ramën. Edi Rama nuk është i lehtë për t’u rrëzuar, realisht. LSI e akuzon se Edi Rama po hedh paratë e drogës në votime, PD ka frikën e pabesisë së Ramës, tashmë e provuar me LSI-në, dhe po ngurron. Akoma nuk po sulmon Lulzim Basha. Por nuk ka kohë. Edhe një javë. Militantët demokratë akoma ndjehen si të turullosur nga media dhe pakti Basha-Rama. Nuk po motivohen opozitarët. Lideri opozitar ka një siguri amerikane, tashmë, që duhet ta hedh në lojën elektorale. Por FRONTI nuk po hapet! “Normandia” po mbetet si një kujtim historik në zyrat e PD-së. Koha nuk pret!
Po ç’është Normandia? Për lexuesit duhet rikujtuar se kur Hitleri nuk po tundej nga pushteti, ndonëse kishte filluar paksa rrënimi, amerikanët dhe britanikët, bashkë edhe me kanadezët, vendosen të sulmojnë në FRONT. Dhe vendosen të zbarkojnë në Normandi të Francës. Ishte beteja finale. Ja se çfarë thotë historia:
Normandi, Franca e veriut. Është data 6 qershor e viti 1944, dhe dielli po lind. Gazetari Raymond Daniell, i cili është i dërguari i gazetës amerikane “Neë York Times” në selinë e Forcave të ekspeditës aleate, rrëfen: “Pushtimi i Europës nga perëndimi filloi. Në dritën gri të një mëngjesi vere, Gjenerali i Përgjithshëm Duajt D. Ajzenhauer dha urdhër për nisjen aksionit të forcave amerikane dhe britanike për çlirimin e kontinentit. E kryeson sulmin një grup i komanduar nga gjenerali anglez Bernard L. Montgomeri, që përfshin trupa amerikane, britanike dhe kanadeze”. Ky mëngjes, shkruan gazeta simbol e botës së lirë, e cila në këto ditë përkujtimore – risjell disa fjalë të presidentit Ajzenhauer. Disa nga më të rëndësishmet janë drejtuar ushtarëve: “Ne nuk do të pranojë asgjë tjetër, pos fitores të plotë. Paçi fat -Good luck”.
Pra Normandia solli fitoren kundër Hitlerit, natyrisht pa harruar edhe forcat ruse nga Lindja.
Por “Normandia” e Bashës është se nuk po vendos sulm total ndaj Edi Ramës. Nëse pakti-pazar funksionon edhe pas takimit të Bashës me Presidentin Trump, lideri i opozitës duhet ta thotë troç: Do bashkëqeveris me Edi Ramën! Nëse nuk do të qeverisë me të, duhet të fillojë sulmin në “NORMANDI”. Ndryshe pazari vazhdon dhe elektorati i djathtë nuk do të dalë në votime, çka favorizon krahun ANTINORMANDI.
Lulzim Basha nuk ka më kohë. Asnjë dekikë, nëse don të luftojë, por nëse do vazhdojë me batuta e thumba, nuk mposhtet kundërshtari. Edi Rama mbetet mjeshtër i diversionit dhe i miklimit politik. Kurse Ilir Meta, në dy ditët e fundit, ka filluar sulmin me të gjitha llojet e topave antiRama, duke i lëshuar sinjal Lulzim Bashës që të nxjerrë “topat berishianë” në fushën e betejës.
“Normandia” po pret Lulzim Bashën.
(Marrë nga www.albanianews.al)
http://albanianews1.al/kur-zbarkon-ne-normandi-lulzim-basha/