Kush është Lorena Goxhobelli që mori post të rëndësishëm shtetëror?

Pas Kongresit të fundit të PS, Edi Rama po bën lëvizje të shpejta në qeveri dhe në krejt piramidën e administratës shtetrore. Sot ai ka firmosur disa emërime. Edhe në ASHK ose si quhet në gjuhën popullore në “Hipotekë”, kryeministri ka dërguar një juriste të re, por të zonjën.

Lorena Goxhobelli u emërua nga kryeministri Rama në detyrën drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Ajo vjen nga Ministria e Mbrojtjes, ku shërbente si këshilltare e jashtme ligjore për pronësinë në kabinetin e ministrit që prej qershorit 2022. Ka eksperiencë të gjatë në fushën e drejtësisë, fokusuar kryesisht në çështjet e pronësisë, administrimit të tokës, kontratat publiko-private për administrimin e pronës shtet, etj.

Lorena Goxhobelli është diplomuar në vitin 2006 për drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe ka kryer studimet master në ekonomi, me fokus administrimin publik, në periudhën 2009 – 2011.

Në vitet 2014 – 2017 ka mbajtur postin e këshilltarit ligjor të Zëvendëskryeministrit, e më pas të këshilltarit ligjor të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, deri në muajin maj të vitit 2022.

Në periudhën 2009-2013 ka qenë e angazhuar, si pjesë e ekipit të një kompanie ndërkombëtare, i cili zbatoi një projekt të financuar nga Bashkimi Evropian për ngritjen dhe forcimin e strukturave shtetërore për menaxhimin e decentralizuar të asistencës financiare të BE.

Ka qenë gjithashtu pjesë e administratës publike në vitet 2007-2009, fillimisht në Drejtorinë Juridike e më pas në Drejtorinë e Licensave dhe Menaxhimit të Kontratave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ka eksperiencë akademike, fillimisht si asistente pedagoge e më pas si pedagoge e së Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Familjare dhe e së Drejtës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në institucione publike dhe private të arsimit të lartë.

Aktualisht mbante edhe postin e drejtorit të Divizionit Ligjor në Koorporatën e Investimeve Shqiptare.

Ajo është anëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë që prej vitit 2006.

Fusha e angazhimit: Këshillim ligjor i Ministrit të Mbrojtjes në çështjet e pronësisë për pronën shtetërore në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes.

SHKARKO APP