Kush është organizatori i super grabitjes në Rinas?

Grabitja e 10 milionë eurove dje në Rinas, më e madhja që ka ndodhur në Shqipëri, ka deri më tani vetëm një emër të identifikuar. Ai është Admir Muratajt, grabitësi që u gjet i vrarë pak kilometra larg aeroportit. Pasi identifikoi në morg trupin e Admir Muratajt, bashkë me kunatën, në një prononcim për mediat, vëllai i Admirit, Cen Murataj deklaroi paraditen e sotme se prej dy vitesh ai nuk komunikonte me vëllain e tij.

Në prononcimin e tij, Cen Murataj nuk e pranoi që Admiri, të ketë qenë organizator i grabitjes në aeroportin e Rinasit, ndërsa thotë se ende nuk e ka të qartë se prej kujt u vra vëllai i tij, nga shokët, apo nga policia.

“Besoj që janë përdorur si vegla. Do t’a gjejmë fillin më vonë. Si ka mundësi që organizatori ngelet i vrarë dhe të tjerët ikin. Do ta gjejmë, do shohim”,- thotë Cen Murataj.

Dhe duke marrë shkas nga kjo deklaratë e vëllait të atij që u cilësua si “truri” i grabitjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, e vetmja pyetje që mund të shtrohet në këto momente është se: Kush është organizatori i vjedhjes në Rinas?

Është një pyetje që kërkon një përgjigje konkrete tani që ka kaluar dhe 24 orëshi i parë i ngjarjes që tronditi jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe mediat prestigjioze ndërkombëtare, pasi topi i përgjegjësisë për hidhet sa tek njëri institucion tek tjetri, ku vetëm Qeveria nuk pranon asnjë përgjegjësi për ngjarjen në fjalë, të cilën ia faturon të gjithën koncensionarit të aeroportit të Rinasit.

Sa i përket legjislacionit në fuqi, është Autoriteti i Aviacionit Civil që ka për detyrë të kërkojë dhe kontrollojë kushtet e sigurisë që merr kompania private. Aviacioni Civil duhet të raportojë publikisht se sa herë është kontrolluar kompania private e sigurisë ICTS, e cila ka dalë në rregull edhe pas grabitjes së parë dhe me shumë gjasë, edhe pas kësaj ngjarjeje do të dalë e pastër.

Por ashtu siç dhe e pohoi dhe vetë ministri i linjës, me grabitjen e djeshme “u cenua rëndë siguria e Aeroportit të Rinasit” dhe u vu në rrezik serioz jeta e qytetarëve, por edhe e forcave të rendit.

Dhe në fakt, përtej rëndësisë që mbart vlera monetare e grabitur dje në barkun e avionit që do bënte transferimin e parave, ajo që ka më shumë rëndësi është vetë grabitja dhe mënyra e realizimit të saj. Deri tani bëhet fjalë për një hyrje-dalje të grabitësve të pashqetësuar brenda perimetrit të aeroportit, dhe ku thuhet se përballja me policinë ka qenë e rastësishme, pasi siç tha dhe vetë Lleshaj, policia nuk u lajmërua në kohë. Që do të thotë se ka dyshime të forta që me grabitësit të jenë të përfshirë dhe funksionarë të aeroportit, apo dhe brenda vetë Autoritetit të Aviacionit Civil.

SHKARKO APP