Kush janë mediat e tejpasura?

Në fjalën që mbajti para gazetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Edi Rama foli për media të tejpasura. E bëri të qartë se fliste për Shqipërinë, kur foli për korrupsion dhe pasuri të paligjshme të medias, por pa kaluar në raste konkrete. Ja se ç’tha kryeministri sot:
“Është e pamohueshme që sot ne kemi një problem të rëndësishmë që është pjesë e një procesi tërësor transformimi, të cilin nuk e sjellin thjesht ligjet por e sjell transformim në mendësi që është pjesë e afrimit të familjes europiane si mendësi që ka të bëjë, në rastin tonë me shfrenimin e gjuhës së urrejtjes dhe me përdorimin e licensës për të ushtruar aktivitet në këtë fushë kaq jetike dhe kaq delikate si licensë për gjueti, për gjueti për qëllime që nuk thuhen, por që janë shtysa kryesore ne funksion të ushtrimit të të drejtës, së kësaj license. Nga ana tjetër, Indro Montaneli, ati themelues i gazetarisë italiane thoshte me të drejtë: “Kurrë nuk i besohet një gazetari të pasur” dhe është e pamohueshme që sot, unë po flas për Shqipërinë, në media gjenerohet një pasuri e tejskajshme. Dhe nëse flasim për korrupsion dhe përfitime të paligjshme, nëse flasim për rritje disproporcionale të të ardhurave të personave, kjo thuhet në media, se s’ka ku thuhet tjetër, por nuk e përjashton median. Dhe në një shoqëri ku fjala, siç është Shqipëria, ku fjala ka qenë e burgosur shtatë pashë nën dhe, sot është dita të flasim për t’i dhënë kësaj fjale sensin e lirisë, që i ka kthyer mediat në Shqipëri në institucione të pabesueshme për publikun”- u shpreh Rama.

Kryeministri nuk mund të justifikohet në këtë mënyrë, duke hedhur gurin në lumë dhe ikur prapë në darkë me disa pronarë mediash. Që ka pasuri të madhe në media kjo mbetet e vertetë, por duhet që Rama të investigojë me tatimet dhe policinë kriminale. Dhe ti penalizojë. Nëse një media është e financuar nga krimi, nga pushteti apo segmente të tjera verifikohet kollaj, mjafton të çojë kontrollin. Por duhet edhe një kusht: Kryeministri nuk duhet të ulet apo bëjë pazar me bosët e këtyre mediave apo t’i mbushë me leje ndërtimi, privatizime.

 

SHKARKO APP