Kush po e shkatërron Konsensusin?
Ka zgjatur vetëm pak ditë ‘festa’ e arritjes së konsensusit për votimin e ndryshimeve në Kushtetutë. Forcat kryesore politike, PS dhe PD i janë rikthyer sherrit dhe akuzave për votimin e 7 ligjeve të reja, që janë pjesë e reformës në drejtësi.
Shkak është bërë një kërkesë, në dukje procedurale e Partisë Socialiste, porse në thelb provokon opozitën për ta detyruar për bojkot. Kreu i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj kërkoi me urgjencë miratimin e ligjit për vetingun e gjyqtarëve. Kërkesa dhe projektligji, sipas PD-së, u është dërguar në rrugë zyrtare deputetëve opozitarë dy ditë më parë. PS thotë se është e gatshme që këto ligje t’i miratojë që në seancën e sotme të Kuvendit. Dje, Fatmir Xhafaj kërkoi mbledhjen e Komisionit, ndërkohë anëtarët e PD-së nuk u paraqitën.
Mungesa e demokratëve ka të bëjë me dy momente. Së pari, sipas tyre drafti u ka ardhur me vonesë nga Xhafaj dhe duan kohë që të njihen me detajet e reja që janë shtuar. Dhe shqyrtimi i këtij projekti ka jo pak jo pak probleme,sipas tyre. Në këtë ligj duhet të jenë pasqyruar të gjitha negociatat e bëra më herët mes palëve. Gjithashtu, projekti duhet të jetë hartuar sipas variantit të Ndihmës Sekretares së Shtetit Amerikan për Europën dhe Euroazinë Victoria Nuland, por edhe letrës së fundit që Komisioneri i BE, Johannes Hann u dërgoi për krerët e partive kryesore PS, PD, LSI. Palët ranë dakord për kalimin me 140 vota të ndryshimeve Kushtetuese duke marrë garanci se dhe 7 ligjet e tjera do të miratohen në frymën e konsensusit. Nëse projektet kanë pësuar ndryshime dhe futen me emergjencë për votim në Kuvend, dyshimet e opozitës janë se PS-ja mund të ketë lëvizur nga marrëveshja e 21 korrikut.
Së dyti, votimi i projektligjit të Vetingut me urgjencë në seancën e Kuvendit ka probleme të rënda ligjore. Ndryshimet në Kushtetutë u miratuan në datën 21 korrik zyrtarisht hyjnë në fuqi vetëm më 11 gusht. Nëse deputetët do të kërkojnë miratimin e tyre më herët, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shkelin me të dyja këmbët Kushtetutën. Një gabim të tillë nuk e bëjnë as juristët fillestar. Votimi i ligjeve në seanca jashtë afateve të Kushtetutës, mund të hap rrugën e ankimit më vonë në Gjykatën Kushtetuese dhe këtu nis një spirale që e bënë pa vlerë konsensusin e datës 21 korrik.
Në këtë situatë lind pyetja, cila është pala që po tenton të shkatërrojë konsensusin e arritur të enjten e kaluar? Ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin pranoi dje se miratimi i ligjeve më herët sesa data 11 gusht është e pamundur nga pikëpamja juridike. Duke qenë se edhe vetë ambasadorja e BE-së ka nxjerrë paksa zbuluar nxitimin e Edi Ramës për votuar ligjet, atëherë përse gjithë kjo urgjencë në Partinë Socialiste për të shkelur Kushtetutën? Sepse socialistët thonë se projektligjet janë gati për miratim që ditën e sotme në Kuvend.
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, në një deklaratë të përbashkët për mediat Ambasadat e SHBA dhe BE kërkuan votimin e 7 ligjeve të mbetura. Deklarata thotë se drafti është shpërndarë drejtuesve të partive në muajin qershor. Ndërsa vë në dukje se kreu i Kuvendit, Ilir Meta është treguar i gatshëm të mbledhë Kuvendin në seancë të jashtëzakonshme në datën 11 gusht, kohë në të cilën hyjnë në fuqi ndryshimet Kushtetuese.
“BE së bashku me SHBA-të kanë kërkuar miratimin e shpejtë të shtatë ligjeve, dhe të parin ligjit e vlerësimit (vetting), në mënyrë që të përshpejtohet zbatimi i paketës së Reformës në Drejtësi. Kjo gjë i është bërë e ditur të gjithë udhëheqësve politikë, dhe Kryetari i Kuvendit Meta ka konfirmuar se si Kryetar i Kuvendit është i gatshëm të thërrasë mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit me të hyrë në fuqi Ndryshimet Kushtetuese (më 11 gusht), meqenëse krerët e grupeve parlamentare kanë rënë dakord për këtë”,- thuhet në deklaratën e SHBA dhe BE.
Ajo që ka acaruar palët duket se është kërkesa e bërë nga PS për mbledhje dhe votim urgjent këto ditë. Në këtë mënyrë PS-ja vendoset në pozicionin se është ‘pro’ reformës, ndërsa PD-ja duke kundërshtuar procesin, sipas socialistëve, kundërshton edhe miratimin e reformës. Është e njëjta lojë që u përdor me datën 21 korrik dhe që nuk lë hapësira për kompromis. Një lojë që ka nisur në Komisionin e Parlamentar të Reformës në drejtësi, por që duket se drejtohet direkt nga Kryeministria. PS-së reforma nuk i duhet me miratimin e opozitës, ndaj po provokon. Edhe dje në mbrëmje Rama u kujtoi demokratëve se votat i dhanë nga presioni i BE dhe SHBA, si dhe nga frika e çarjes së PD. Afati vendosur këtë herë është 11 gushti. Deri në atë datë, qëndrime të tilla nuk bëjnë gjë tjetër veçse minojnë edhe një herë konsensusin.
Por duket se Edi Rama është xheloz që Ilir Meta arriti të bindë opozitën e cila e votoi me 21 korrik. Taktika e PS-së nuk e pranon që PD ta votojë. I duhet ta paraqesë PD-në si parti antireformë, ndaj e acarojnë dhe i krijojnë premisa qe të mos votojë. Jo se PD-ja është “Shenjti”, por me mirë duhet bashkëpunim se sa sherr. Flitet për reforma që do sherbejnë për 50 vitet e ardhshme, ndaj sa me shumë debat e konsensus aq me mirë, pasi partia që vjen në pushtet nga opozita nuk duhet ta rrezojë reformën, pasi cikli fillon nga fillimi.
Duket se ka zhvillime mbrëmë vonë në kampin e mazhorancës. Kryeministri Rama ka mundësi të kërkojë largimin e dy ministrave të LSI, duke provokuar kështu një krizë qeverisëse, pasi ka siguruar 72 vota për të bërë qeveri tjetër, thonë burime nga selia rozë.
Kryeministri Rama ka garantuar votat e çamëve, të Nard Ndokës, të Dashamir Shehut, të Eduard Selamit dhe Majlinda Bregut. Mësohet se me këto deputetë si dhe PDIU-së, Rama bën 72 vota. Eduard Selami mësohet se mund të jetë zv/kryeministër, kurse Majlinda Bregu ministre e jashtme. Ndërsa sejcili deputet “tradhtar” që vjen nga e djathta do të marrë post ministri.
Pra një qeveri e re “rrumpallë” fundi i se cilës nuk dihet nëse do të përfundojë në Lanë apo në lumin e Fushëkrujës!