Kushtet e Koalicionit të ri / LSI kryeministrin, ndërsa PS Presidentin
PS-ja nuk e mban dot pushtetin pa LSI. As këto ditë të fundmandatit, por as pas 18 qershorit. Këto janë sondazhet e selisë rozë. PS-ja edhe nëse synon t’i vjedhë zgjedhjet nuk do ti gëzojë, pasi opozita, por nuk është çudi që edhe LSI, bashkohen në protesta të dhunshme, çka sjellë që të mos qeveriset më vendi. Nga SHBA, presidenca Trump, mezi pret që t’i kthejë reston kryeministrit Rama për çfarë tha në CNN e në mediat europiane ndaj Donald Trump. Ndaj Edi Rama duhet të ketë prioritet që të zhvillojë zgjedhje korrekte dhe të mos i blejë si në Dibër, të dialogojë ftohtë dhe pa nerva me LSI për kushtet e koalicionit dhe bashkëqeverisjes pas 18 qershorit, të jetë i besueshëm kur premton në këto zgjedhje elektorale si dhe të mos besojë se me “tre koka” mund të ketë koalicioni i majtë. Nëse deri tani i është përmbajtur sloganit me “dy bashkëkryetarë të koalicionit”, kështu duhet t’i qëndrojë këtij slogani, që e mbajti në pushtet këto katër vite.
Natyrisht që sejcila parti ka forcën e saj dhe duhet respektuar, ofruar dhe ndihmuar. Por “zot shtëpi” në koalicion janë Rama dhe Meta. Nëse fillojnë që nga selia rozë të fusin “shkopinjë ndër rrota” sepse hamëndësojnë se i fitojnë pa LSI zgjedhjet, le ta thonë dhe të mos presin asnjë minutë. Ta shpallin atë që kanë në mendje. PS-ja duhet të mendojë firot që i sjellë qeverisja katërvjeçare, fenomenin Blushi dhe LIBRA, e cila do jetë vertetë surpriza e këtyre zgjedhjeve dhe që deri në katër apo pesë deputetë do t’ia heq LIBRA në qarqe. Jo se do t’i fitojë vetë këto deputetë, por merr vota dhe i bën dëm PS-së. Përveç Ben Blushit një “fadromë votash” do jetë edhe Koço Kokëdhima. Shumë vetë e marrin me humor e batuta në selinë rozë, porse me aksiomën e tij se “duhet që anëtarsia e PS-së të votojë emrat për kandidatë për deputetë”, Kokëdhima praktikisht ka ndezur elektoratin e majtë, i cili ndjehet i dhunuar dhe i pa respektuar nga kupola e PS-së. Më humor e tallje le ta marrin ish-deputetin Kokëdhima, porse një deputet në Fier, një në Vlorë, një në Sarandë, një në Tiranë ai do t’ia heq PS-së.
Edi Rama nuk është se fluturon, pasi e di mjaft mirë se si është gjendja në bazën e PS-së dhe në popull. Disa reforma që janë bërë, natyrisht që duheshin, porse prodhojnë kosto elektorale. Në çdo rrethanë PS-ja në këto zgjedhje parlamentare nuk merr me shumë se 60 mandate. Ka disa analistë që thonë se zbret edhe në 55 deputetë, por le të marrim 60. I duhen edhe 11 që të bëjë qeverinë. Me kë do t’ia marrë 11 deputetë, pa LSI? Nuk ka asnjë shans. Me LSI krijon me shumë se numri 71. Por çdo forcë politike ka ambicjet e veta kryeministrore. Eshtë normale. Ka individë të spikatur në aftësitë ekzekutive. LSI nuk mund të jap votën përherë siç do PS-ja. Ka nevojë për reciproritet.
Logjika e ftohtë mes PS dhe LSI mund t’i ulë në bisedime duke këmbyer postin e kryeministrit. Në të kundërt “sejcili për vete e Zoti për të gjithë!”.